Juritek.

e drejta e krijimeve intelektuale dhe inovacionit

Përgjegjësia e ofruesve të content sharing

Cila është përgjegjësia e ofruesve të content sharing, si për shembull Facebook në raport me veprat e mbrojtura nga e drejta e autorit. Vendimi më poshtë i Gjykatës se Drejtësisë të BE-së (Sabam vs. Netlog NV) hedh dritë mbi një situatë që tashmë gjen zgjidhje me direktivën e vitit 2016, miratuar së fundi që ndryshon direktivën 2001/29 në lidhje me të drejtën e autorit në shoqërinë e informacionit.

SABAM është një agjenci gjermane kolektive që përfaqëson autorët, kompozitorët dhe botuesit e veprave muzikore. Në këtë kuadër, ajo ka të drejtën të autorizojë përdorimin nga të tretët të veprave të mbrojtura prej saj.

Netlog ofron një platformë rrjeti social, në të cilën çdo person mund të regjistrohet dhe përfiton një hapësirë personale të quajtur profil, të cilën përdoruesi e pasuron vetë dhe që është i aksesueshëm nga të gjithë (ngjashëm me platforma si facebook, Instagram etj).

SABAM kërkoi prej Netlog që të paguante shpërblimin e drejtë, për shkak se përdoruesit e Netlog postonin këngë të autorëve të mbrojtur nga SABAM dhe këto këngë vihesin në dispozicion të të gjithë anëtarëve të tjerë të Netlog, duke konsumuar kështu komunikimin në publik të veprës.

SABAM, për pasojë, kërkoi që Netlog të nënshkruante një marrëveshje me SABAM ku të parashikohej shpërblimi i drejtë.

Më vonë, SABAM kërkoi prej Netlog që të pushonte menjëherë vënien në dispozicion të publikut të veprave dhe e paditi atë disa ditë më vonë.

Netlog, në argumentet e saj, u shpreh se nëse pretendimet e SABAM realizohen, atëherë Netlog do të ketë një detyrim të përgjithshëm mbikëqyrjeje të platformës, gjë që është e ndaluar nga neni 15 i direktivës 2000/31 në lidhje me tregtinë elektronike. Gjithashtu, realizimi i pretendimeve të SABAM do të sillte si pasojë, ngritjen e një sistemi kontrolli për të gjithë klientët dhe me shpenzimet e saj, në mënyrë që të gjenden fajlet që përmbajnë vepra muzikore të mbrojtura nga SABAM. Sipas Netlog, kjo përbën një detyrim që nuk parashikohet as nga direktivë 2000/31, as nga ligji gjerman.

GJDBE, mori në konsideratë direktivën 2000/31 dhe direktivën 2001/29 dhe arriti në përfundimin se:

Vendimi që merr një gjyqtar i një shteti kundër një furnizuesi të shërbimit të shoqërisë së informacionit (Netlog) për të ngritur një sistem filtrimi nëse ky sistem (i) prek informacionet e hedhura në serverin e tij nga përdoruesit e tij, (ii) që prek tërësinë e përdoruesve, (iii) që bëhet në kuadër parandalimi të një shkeljeje të mundshme, (iv) me shpenzimet e tij dhe (iv) pa kufizim kohor, do të konsiderohet që bie në kundërshtim me direktivat e mësipërme.

Përse ky vendim? Sepse direktiva 2000/31 për tregtinë elektronike (por edhe neni 17 i ligjit tonë nr. 10128/2009[1]) parashikojnë se ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit që konsiston në ruajtjen e informacionit të siguruar nga përdoruesi (hosting) nuk është përgjegjës nuk ka ose nuk mund të ketë dijeni për veprimtarinë e paligjshme të përdoruesit. Kjo do të thotë se vetëm pasi ai merr dijeni, ka detyrim të veprojë, që do të thotë në analizë të fundit, se nuk ka një detyrim kontrolli me karakter të përgjithshëm dhe parandalues.

Kjo jurisprudencë mund të ndryshojë me hyrjen në fuqi të direktivës që ndryshon direktivën 2001/29, versioni i konsoliduar i të cilës publikohet në mars 2019. Kështu, ofruesit e shërbimeve të të shpërndarjes së përmbajtjeve online (content sharing – facebook për shembull, por në rastin konkret edhe Netlog) kryejnë një komunikim në publik dhe për pasojë ata duhet të lidhin kontrata të drejta dhe proporcionale me titullarët e të drejtave.

Nëse i referohemi rastit konkret, duke patur parasysh hyrjen në fuqi të amendimeve të direktivës 2001/29, Netlog tashmë ka për detyrë të hyjë në marrëveshje, por këto marrëveshje duhet të jenë të drejta dhe proporcionale që do të thotë, për shembull, shpenzimet e kontrollit mund të ndahen përgjysëm ndërmjet titullarëve dhe ofruesve të shërbimit.


(shërbime të shoqërisë së informacioni – vepra muzikore në rrjete sociale – agjenci kolektive – kontrata me agjencitë kolektive – tregti eletronike)


1. “Kur një shërbim i shoqërisë së informacionit konsiston në ruajtjen e informacionit të siguruar nga marrësi i shërbimit, ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit nuk është përgjegjës për informacionin e ruajtur me kërkesën e marrësit të shërbimit, nëse ofruesi i shërbimit: a) nuk ka ose nuk mund të ketë dijeni për veprimtarinë e paligjshme të marrësit ose të përmbajtjes së informacionit dhe, për sa u përket pretendimeve për dëme, nuk është në dijeni të fakteve a rrethanave prej të cilave rrjedh aktiviteti apo informacioni i paligjshëm; b) me marrjen e këtij informacioni, vepron menjëherë për të hequr ose çaktivizuar aksesin në informacion.

2. Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet kur marrësi i shërbimit vepron në emër ose në kontrollin e ofruesit të shërbimit.