Shërbimi Voice over Internet Protocol (VoIP) është një shërbim telefonie nëpërmjet Internetit. Metoda VoIP lejon kalimin e sinjaleve analoge telefonike (ose ndryshe, telefonia fikse normale, që funksionon jashtë rrjeteve të internetit) në sinjale digjitale që mund të transmetohen nëpërmjet internetit. Cili është qëllimi i kësaj teknologjie? Së pari, ajo bën të mundur komunikimin pa pagesë (sigurisht duke hequr tarifat e abonimit në shërbimet VoIP, siç është shërbimi SkypeOut që do e shikojmë më poshtë, kosto e të cilave është disa herë më e vogël se kostot e telefonisë normale). Së dyti, nga pikëpamja teknologjike, VoIP tregon rrugës e së ardhmes (madje dhe të të tashmes), të zhvillimit të komunikimeve tona, të cilat do të jenë tërësisht të digjitalizuara.

Cilat janë teknikat e ndryshme VoIP?

Shërbimi ATA – Pajisjet “analog telephone adaptor” (ATA) janë ato pajisje që mundësojnë lidhjen e një telefoni standard (normal) me një kompjuter ose një pajisje tjetër që ofron internet, për përdorimin e VoIP. ATA është një konvertues i sinjaleve analoge në digjitale. Qëllimi është pra që sinjalet analoge të transmetuara nëpërmjet telefonit normal të shndërrohen në të dhëna digjitale që të mund të transmetohen nëpërmjet rrugëve të internetit.

Telefonat IP (IP phones) – Këto telefonë janë të lidhur me router-in dhe janë në gjendje që të kryejnë telefonata IP.

Computer to Computer – Kjo është mënyra më e njohur e përdorimit të VoIP. Sigurisht në këtë rast nuk ka asnjë tarifë për të paguar: çdo telefonatë do të bëhet nëpërmjet internetit. Përjashtim bën dhe kjo është e vetëkuptueshme, tarifa e pagesës së abonimit në Internet, por kjo është pagesë e karakterit të përgjithshëm që nuk lidhet në mënyrë direke me thirrjet (telefonatat) VoIP.

Së fundi është shërbimi VoIP i përdorur nga Skype (që në fakt, nuk është e vetmja kompani që e ofron këtë shërbim), nëpërmjet SkypeOut, i cili i mundëson një përdoruesi që të bëjë thirrje duke përdorur internetin drejt një linje fikse telefonie standarde ose telefonie të lëvizshme (celulare), nëpërmjet VoIP. SkypeOut nuk lejon që të bëhet e kundërta. Nga pikëpamja teknike, një gjë e tillë kërkon lidhjen me internetit, që sigurisht ofrohet nga një ISP[1] si dhe ndërhyrjen e ofruesve të shërbimeve të telekomunikacionit, të cilët janë të autorizuar në mënyrë të rregullt për të transmetuar thirrjet telefonike drejt rrjetit publik[2]. Shoqëria Skype Communications, e cila zotëron shërbimin SkypeOut ka lidhur marrëveshje me këto rrjete publike[3], pa të cilat shërbimi SkypeOut nuk do të ishte i mundur.

Problemi juridik lidhet me përkufizimin e këtij shërbimi. Në funksion të përkufizimit, do të lindin detyrime specifike për ofruesin e këtij shërbimi, sipas ligjeve të vendeve të ndryshme ku ky shërbim ofrohet dhe që për Europën, përfshi dhe Shqipërinë[4], janë të harmonizuara. Konkretisht, nëse ky shërbim do të hynte në përkufizimin e shërbimeve të komunikimeve elekronike, atëherë lindin detyrime për ofruesin të cilat konsistojnë në (i) regjistrimin e aktivitetit konkret (në rastin e Shqipërisë me anë të një njoftimi që i dërgohet Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare [AKEP][5]), por mbi të gjitha (ii) regjistrimin si subjekt në vendin e ushtrimit të aktivitetit, me të gjitha pasojat, përfshi ato tatimore dhe tarifore, që sjell ky regjistrim. Nëse jo, siç pretendonte të ishte SkypeOut në çështjen në fjalë, atëherë, ofruesi i këtij shërbimi nuk do të kishte asnjë detyrim në vendin ku ushtron këtë aktivitet dhe mund të vijojë të ofrojë këtë shërbim pa asnjë detyrim rregullator.

Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Europiane e Drejtësisë (Gjykata), me vendimin e datës 5 qershor 2019 përcakton disa rregulla që mund të kenë pasojë të madhe mbi të gjitha shoqëritë që ofrojnë VoIP (në këtë fushë, perveç Skype-it, mund të përmendim Viber dhe Whatsapp). Me anë të këtij vendimi, Gjykata përcakton statusin juridik të këtij shërbimi, sipas disa kushteve të caktuara. Çështja vendoste përballë autoritetin belg të postës dhe komunikimeve elektronike dhe Skype Communications, në lidhje me mungesën e njoftimit të këtij të fundit për ofrimin e një shërbimi, që autoriteti belg e konsideronte si shërbim të komunikimeve elektronike.

Sipas direktivës europiane, shërbimi i komunikimit elektronik është shërbimi i ofruar përkundrejt pagesës që konsiston në transmetimin e sinjaleve në rrjetet e komunikimeve elektronike (përfshi telekomunikacionet).

Bazuar në këtë përkufizim, Skype pretendonte se nuk kryente asnjë aktivitet në Belgjikë dhe se nuk ofronte asnjë shërbim të komunikimeve elektronike, siç përkufizohej në direktivë, për shkak se nuk ishte Skype që transmetonte sinjalet[6]  dhe as nuk niste transmetimet e sinjalit. Nga ana e saj, Gjykata u shpreh se, që një shërbim të hyjë në përkufizimin e shërbimit të komunikimeve elektronike, duhet të përfshijë dhe transmetimin e sinjaleve në një infrastrukturë të caktuar rrjeti, pavarësisht nëse infrastruktura i përket ofruesit ose jo (në rastin konkret Skype)[7]. Me SkypeOut, Skype propozon një funksionalitet që u mundëson përdoruesve të bëjnë thirrje, nisur nga një pikë fundore (kompjuter), e lidhur me internetin, drejt një numri fiks ose të lëvizshëm, nëpërmjet një rrjeti që s’i përket, nëpërmjet funksionalitetit VoIP[8]. Fakti që ky rrjet nuk i përket Skype-it nuk do të thotë se Skype nuk ka asnjë përgjegjësi: përkundrazi, lidhja e kontratave mes Skype dhe rrjeteve tregon se rrjetet nuk kanë asnjë marrëdhënie me përdoruesin. Skype gjithashtu e ofron këtë funksionalitet me pagesë (nëpërmjet një abonimi), pra ka përgjegjësinë ndaj përdoruesve të tij.

Në këtë kuadër, Gjykata arriti në përfundimin se ofrimi i shërbimit VoIP që i mundëson një përdoruesi të SkypeOut të bëjë një thirrje, duke përdorur internetin, drejt një numri fiks ose celular, duke shfrytëzuar rrjetin telefonik të një vendi përbën “shërbim të komunikimeve elektronike” për sa kohë ofrimi i këtij shërbimi, nga njëra anë, parashikon një pagesë nga përdoruesi dhe nga ana tjetër, sjell lidhjen e kontratave me ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit që kanë rrjetin për transmetimin e thirrjeve[9].

Po nëse komunikimi do të bëhej në formën computer – computer? Pra nëse nuk do të përfshinte thirrjen drejtuar një telefoni fiks ose celular? Në rastin konkret, Skype do të ofronte një shërbim që nuk është komunikimi elektronik, për shkak se komunikimi i Skype do të sigurohej nëpërmjet një ISP-je, i cili ky i fundit siguron shërbimin e komunikimit elektronik, pasi ai zotëron ose ka lidhur kontrata me rrjetin, por jo Skype-i.

Megjithatë, Bashkimi Europian është duke tentuar të ndryshojë rregullat dhe për këto lloj komunikimesh të quajtura OTT messaging (over the top messaging), ofruesit e të cilëve edhe pse nuk kanë rrjet, krijojnë komunikime “alternative” me rrjetin, të cilat mund të zënë vend parësor në komunikimet e të ardhmes.

Juritek.al

(ilustrimi i marrë nga supertintin.com)


[1] Internet Service Provider, ose ofruesi i shërbimit të internetit, te i cili ne abonohemi për të patur internet.

[2] Si rregull, rrjeti publik telefonik (i njohur me akronimin PSTN) përbehet nga rrjetet telefonike që ofrojnë infrastrukturën dhe shërbimet e telekomunikacioneve publike. Ky rrjet ka qenë tërësisht analog, sot është pothuajse tërësisht i digjitalizuar.

[3] Vendimi i Gjykatës datë 5 qershor 2019, paragrafi 11

[4] Ligji 9918 Për komunikimet elektronike

[5] Autorizimi i Përgjithshëm, sipas Ligjit 9918

[6] Vendimi i Gjykatës datë 5 qershor 2019, paragrafi 13

[7] Vendimi i Gjykatës datë 5 qershor 2019, paragrafi 29

[8] Vendimi i Gjykatës datë 5 qershor 2019, paragrafi 30

[9] Paragrafi i fundit i Vendimi të Gjykatës datë 5 qershor 2019