Kohët e fundit po diskutohet mbi ndryshimet ligjore në ligjin për mediat audiovizive dhe në ligjin për komunikimet elektronike në Shqipëri.

Diskutimet lidhen me disa çështje problematike, për të cilat do të diskutohet më poshtë. Por më parë, duhet thënë se këto ndryshime ligjore, në parim, janë të mirëseardhura për shkak se për herë të parë i japin një zgjidhje ligjore problemit të çështjes së përgjegjësisë së publikimeve online.

Siç dihet, publikimet online shpesh janë problematikë dhe kanë kërkuar gjithmonë një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë, të cilat mekanizmat ligjorë aktualë nuk i zgjidhnin dot.

Së pari, mangësia e madhe lidhej me mungesën e përkufizimit të shërbimit të ofruar nga publikuesit e informacioneve online. As ligji për komunikimet elektronike, as ligji për mediat audiovizuale ose çdo ligj tjetër që lidhet me komunikimet elektronike nuk kanë parashikuar një përkufizim në lidhje me këtë shërbim. Ato kufizohen në përkufizimin e ofruesve të shërbimeve të karakterit teknik[1], duke lënë mënjanë kështu aktorët kryesorë të informacioneve online, pra publikuesit. Sigurisht, një zgjidhje e tillë, në rastin më të mirë, mund të ketë qenë diktuar nga fakti se dispozitat ligjore në fuqi janë në gjendje që të mbulojnë konfliktet e mundshme që lidhen me çështjet e përgjegjësisë së publikuesve të informacioneve. Mirëpo, mungesa e një përkufizimi të shërbimit të publikimit online (ose shërbimet e publikimeve elektronike, siç e parashikojnë projektligjet) jo vetëm përbën një mungesë serioze në raport me legjislacionin europian, por edhe paraqet problemin e mungesës së kritereve të përcaktimit të një publikuesi të publikimeve elektronike (çfarë detyrimesh kanë, të gjithë publikuesit përfshihen, përfshi dhe blogjet e vogla, shpeshtësia dhe shpejtësia e reagimit ndaj publikimeve konfliktuale, e kështu me radhë…).

Së dyti, duke patur parasysh vështirësinë e fushës (bëhet fjalë për një fushë ku në lojë është lira e fjalës dhe abuzimet e mundshme me të), zgjidhjet e dhëna nga dispozitat ligjore në fuqi mund të jenë jo proporcionale dhe të gjata, gjë që do ta bëntë mbrojtjen e të drejtës personale të personit të prekur shumë të vështirë si dhe do të rëndonte lirinë e fjalës përtej një caku të arsyeshëm.

Të dyja këto çështja gjejnë zgjidhje në këto projektligje. Megjithatë, këto projektligje, sidomos ai i ndryshimeve në ligjin për mediat audiovizive përmban problematika serioze të cilat duhen diskutuar.

I. Risitë e projektligjeve

Projektligjet përkufizojnë ofruesin e shërbimeve të publiiemeve elektronike (OSHPE) si personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike, që ofron shërbime të publikimit elektronik[2]. Nga ky përkufizim rezulton se këto ofrues duhet të jenë të identifikueshëm në regjistrin e këtyre ofruesve (që do të mbahet nga AKEP[3]). Sigurisht, nëse këto faqe do të kryejnë aktivitet tregtar, publikuesit duhet të regjistrohen si biznese pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Projektligji nuk e specifikon qartë këtë moment, për shkak se jo të gjitha faqet janë domosdoshmërisht të thirrura që të kryejnë aktivitet tregtar.

Projektligjet parashikojnë gjithashtu detyrimet e OSHPE-ve gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre[4]. Nga pikëpamja praktike, detyrimi më i rëndësishëm dhe në fakt, i domosdoshëm është caktimi i një personi përgjegjës për sektorin e publikimeve.

Projektligjet parashikojnë procedurën e trajtimit të ankesave nga personat që janë bërë objekt të publikimeve, për shembull nëse këto publikime kanë shkelur dinjitetin ose reputacionin e përdoruesit ose ndonjë të drejtë të pronësisë së tij intelektuale. Së pari, ankesat i paraqiten OSHPE-së, e cila duhet të shqyrtojë ankesën brenda 24 orëve. Nëse OSHPE refuzon kërkesën, personi, interesat e të cilit janë prekur, ka të drejtë të ankohet pranë Këshillit të Ankesave, një organ i ri i parashikuar nga projektligjet në fjalë, që do të funksionojë pranë AMA-s[5]. Nëse Këshilli i Ankesave çmon që ka shkelje, merr masat përkatëse të cilat përfshijnë gjobat si dhe pezullimet ose bllokimet e aksesit të internetit për afate që mund të shkojnë deri në 1 vit për OSHPE-te që kanë kryer shkelje. Pavarësisht se projektligji ndan pezulllimet dhe bllokimet në dy kategori, në varësi të regjistrimit të OSHPE-ve në regjistrin e publikuesve (për shembull faqet me .al) ose jo (faqet me .com), AKEP merr masa për të dyja këto kategori.

Së fundi, projektligjet parashikojnë gjithashtu dhe rastet e refuzimeve të ankesave nga ana e Këshillit të Ankesave.

II. Problematikat e projektligjeve

Problematika e parë lidhet me ngritjen e Këshillit të Ankesave. Pyetja e parë që të shkon në mendje është përse ky këshill ngrihet pranë AMA-s? Cila është lidhja ndërmjet mediave audiovizive dhe publikuesve të publikimeve elektronike? Së dyti, cili është statusi i Këshillit të Ankesave? A do të ketë ky këshill prerogativa juridiksionale? Apo do të veprojë si një organ administrativ? Problemi qendron te fakti se duhet të merret parasysh e drejta për një proces të rregullt ligjor, si për personin e prekur është dhe për përgjegjësinë e publikimit. Në këto kushte, mendojmë se organi më i përshtatshëm për të shqyrtuar këto ankesa duhet të jetë një organ me prerogativa juridiksionale (pra gjykatë ose quasi gjykatë). Në stadin aktual të projektligjeve, kjo pikë nuk duket të jetë e reflektuar.

Në çdo rast, edhe nëse do të mbahet një formë e tillë (pra një organ administrativ që do të shprehet në lidhje me shkeljet e mundshme), fjala e fundit gjithmonë i duhet lënë gjykatës, për arsyet që thamë më sipër. Duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me lirinë e shprehjes, abuzimet e të cilës nuk mund të shqyrtohen vetëm nga një organ administrativ, përndryshe do të kemi një rrezik potencial censure.

Natyrisht, nevoja për urgjencë dikton një zgjidhje të shpejtë, e cila, sipas projektligjeve, ofrohet nga këshilli i ankesave. Megjithatë, nevoja për një shqyrtim të shpejtë nuk duhet të eklipsojë domosdoshmërinë e respektimit të të drejtës së palëve në një shqyrtim që në fakt është më shumë një proces ku secila prej palëve ka fjalën e saj për të thënë.

juritek.al


[1] Ofrues të shërbimeve elektronike dhe ofrues të rrjeteve të komunikimeve elektronike

[2] Neni 3 i Projektligjit për mediat audiovizive dhe neni 1 i ligjit për komunikimet elektronike

[3] Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

[4] Neni 33 i Ligjit për mediat audiovizive: 1. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik duhet të: sigurojë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive; sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme; vendosin masa mbrojtëse për  mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale; mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; ofrohen për të gjithë përdoruesit njëlloj, pa dallime ndërmjet sekseve, racave, besimit, etnisë apo bindjeve të personave që i përfitojnë ato; të mos cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut; mos cenojnë shëndetin publik; respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos lejojë shfaqen e publikimeve që mund të nxisin vepra penale; respektojë të drejtat e autorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera ë lidhura me të; sigurojë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit; të publikojë në mënyrë të qartë dhe të dallueshme informacionin për: (i) emrin dhe adresën\në rastin e personave juridikë, emri dhe adresën e përfaqësuesit të autorizuar; (ii) shenjën/dritaren ku mund të bëhet ankesë për lajmin e publkuar; të caktojë një person\persona përgjegjës për sektorin\sektorët përkatës të publkimeve emri\emrat dhe adresa\adresat e të cilit\cilëve duhet të publikohen qartësisht. Në caktimin e këtyre përsonave përgjegjës ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike  mbajnë parasysh cilësitë profesionale dhe etiko morale të tyre.

[5] Autoriteti i Mediave Audiovizive