I. Kuadri i përgjithshëm

Çështja e përgjegjësisë për publikimet online të komenteve që cenojnë nderin, personalitetin ose reputacionin e personit shtrohet gjithmonë e më shumë me masivizimin e mjeteve të komunikimit dixhital. Sot stimulohet në mënyrë të vazhdueshme përdorimi i tekonologjive të informacionit si një mjet për të komunikuar dhe shpërndarë informacione në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më efikase. Kjo situatë faktike është ndjekur nga përpjekje të vazhdueshme nga ana e ligjvënësit për t’u përshtatur dhe për të vënë rregull në një zonë që edhe në vende më të zhvilluara është konsideruar deri vonë si një zonë ku mungonte e drejta. Kështu, është votuar Ligji nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike”, i ndryshuar si dhe Ligji nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike”, i ndryshuar. Gjithashtu, së fundi është miratuar dhe Ligji nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

II. Ofruesit e shërbimeve të shoqërisë së informacionit

Këto ligje shënojnë një përparim të madh për sa i përket përgjegjësisë së aktorëve të shoqërisë së informacionit, në mënyrë të veçantë Ligji për tregtinë elektronike. Për herë të parë në legjislacionin shqiptar janë parashikuar “ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit” si dhe regjimi i tyre juridik i veçantë, në harmoni me Direktivën 2000/31/CE mbi tregtinë elektronike. Ky regjim juridik bazohet në mungesën e përgjegjësisë për këta ofrues të shërbimit të shoqërisë së informacionit, nëse kufizohen vetëm në transmetim të thjeshtë[1], ruajtjes së përkohshme të informacionit[2] si dhe në aktivitetin e hostimit[3]. Natyrisht, mungesa e përgjegjësisë ka kufijtë e tij që janë parashikuar për secilin rast të përmendur[4].

Nga pikëpamja praktike, ofruesit e shërbimit të informacionit janë kryesisht furnizuesit e aksesit drejt internetit (Internet Service Providers), hostimi që mund të përkufizohet si vënia në dispozicion në favor të një klienti të hapësirës dixhitale të programeve kompjuterike që kërkon klienti si dhe kapacitete transporti të të dhënave brenda rrjetit[5]. Mund të përmendim dhe faqet e referencimit, kryesisht me karakter tregtar, si për shembull Google, eBay e kështu me radhë, të cilat në parim kufizohen vetëm në referencimin neutral të portaleve elektronikë (faqeve të internetit), në funksion të kërkimit të konsumatorit. Së fundi, mund të përmendim këtu edhe krijuesit e faqeve të internetit (portaleve elektronikë), të cilët dizenjojnë dhe mirëmbajnë nga pikëpamja teknike faqen.

Përshkrimi i shkurtër i ofruesve të shërbimeve të shoqërisë së informacionit është i rëndësishëm, pasi roli i tyre në disa raste mund të tejkalojë atë të transmetimit të thjeshtë dhe kështu, të mos mbrohen nga përjashtimi i përgjegjësisë të parashikuar në Ligjin për tregtinë elektronike.

III. Furnizuesit e përmbajtjeve të faqeve të internetit

Bota dixhitale ka dhe aktorë të tjerë të cilët, për shkak të veprimtarisë së tyre të përditshme, luajnë një rol më aktiv në jetësimin e rrjetit. Në mënyrë pak përgjithësuese, këta aktorë mund t’i kategorizojmë si furnizues të përmbajtjes. Furnizuesi i përmbajtjes, në ndryshim ngë ofruesit e shërbimeve të shoqërisë së informacionit nuk përfiton nga përjashtimi i përgjegjësisë, pikërisht sepse ai shkon përtej rolit të ndërmjetësit teknikë që kanë këto të fundit. Në doktrinën juridike ashtu dhe në jurisprudencën e vendeve perëndimore si dhe në atë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut[6], furnizuesit e përmbajtjeve të faqeve të internetit janë përgjegjës për informacionin, ose në mënyrë më të gjerë, për përmbajtjen e tyre. Përmbajtja mund të jetë e formave të ndryshme: shkrime, materiale audio, vizive, multimediale, lidhje hipertekst (link, të cilët pasi klikohen hapin një faqe tjetër) e kështu me radhë. Furnizuesi i përmbajtjes ka kontrollin efektiv mbi faqen e tij.  E drejta jonë pozitive nuk parashikon një përkufizim të furnizuesit të përmbajtjes, ashtu sikundër as të drejta të tjera të huaja. Një regjim për përafërt me atë të furnizuesit të përmbajtjes mund ta gjejmë te Ligji për mediat audiovizive, i cili parashikon për ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv “përgjegjësinë editoriale për zgjedhjen e përmbajtjes së transmetimeve dhe vendosjen e mënyrës së organizimit të saj[7].”

IV. Përgjegjësia e furnizuesve të përmbajtjes së internetit

Përgjegjësia editoriale dhe mënyra e organizimit të faqes mund të jenë dy kritere mbi të cilat mund të mbështetet përkufizimi i furnizuesve të përmbajtjes së një faqeje interneti. Për arsye se pozita e furnizuesit të përmbajtjes mund të përmbajë realitete të ndryshme (faqe mediatike online “zyrtare”, faqe mediatike të një niveli më modest,  forum diskutimi, blog e kështu me radhë), të cilat kanë nevojë për një liri më të madhe se mediat audiovizive, jemi të mendimit se nga përkufizimi i marrë nga Ligji 97/2013 për mediat audiovizive të përdoret kriteri i “mënyrës së organizimit të faqes” si dhe, duke parë jurisprudencën Delfi vs. Estoni, kriteri i kontrollit efektiv të hapësirës së dedikuar komenteve nga ana e publikut.

Mund t’i konsiderojmë faqet e internetit me furnizues përmbajtjesh të përbëra nga dy elementë: elementi i parë përbëhet nga materiale të formave të ndryshme që janë “hedhur”në faqe nga vetë furnizuesi i përmbajtjes: artikujt, lajmet, videot, lidhjet hipertekstë. Për këtë rast, mund të merret si bazë kriteri i përgjegjësisë editoriale dhe, nga pikëpamja civile, ai të jetë përgjegjës në bazë të neneve 608 dhe 617 të Kodit Civil (jemi në prani të një përgjegjësie direkte). Një  qëndrim i tillë nuk bie ndesh më argumentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Vendimin Delfi vs. Estoni.

Elementi i dytë përkon me hapësirën në faqen e internetit që furnizuesi i përmbajtjes ia dedikon ndërhyrjeve të të tretëve, si për shembull zona e komenteve ose forumet e diskutimit. Në këtë rast, furnizuesi i përmbajtjes do të konsiderohet se ka kontrollin efektiv mbi këtë hapësirë. Kontrolli efektiv buron prej faktit që hapësira e dedikuar është vënë në dispozicion të publikut nga ana e tij si dhe ai përfiton nëpërmjet rritjes së numrit të komenteve një shikueshmëri, e përkthyer në numër klikimesh, më të madhe, në funksion të rritjes së numrit të komenteve. Edhe në këtë pikë, si jurisprudenca e Gjykatës Europiane është e qartë në përcaktimin e këtyre kritereve.

Edhe pse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka gjykuar se nenet e përgjithshme të dëmit jashtëkontraktor janë të mjaftueshme për të angazhuar përgjegjësinë e subjektit që kontrollon hapësirën e komenteve[8], do të ishte më e drejtë që të parashikohet një dispozitë e veçantë, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me një përgjegjësi indirekte.

A. Subjekti që ushtron kontrollin efektiv

Kontrolli efektiv i hapësirës së dedikuar për komentet bëhet nga furnizuesi i përmbajtjes ose nga subjekti që ka krijuar faqen e internetit dhe që mund të jetë, me anë të kontratës, i ngarkuar me mirëmbajtjen e faqes dhe me moderimin e hapësirës së komenteve. Në doktrinë, dispozita ndërkombëtare apo në ligjet e brendshme, asgjë nuk bie ndesh me këtë skemë. Çfarë statuti juridik duhet të ketë subjekti që ka kontrollin efektiv të hapësirës së komenteve? Ky subjekt mund të jetë person juridik ose person fizik. Në çdo rast, kjo veprimtari është një veprimtari tregtare dhe kësisoj, administratori i portalit elektronik duhet të jetë i regjistruar në QKR, për sa i takon faqeve mediatike më të rëndësishme. Më poshtë, do të shikojmë se jo gjithmonë administratori i portalit elektronik mund të jetë një subjekt i identifikueshëm nëpërmjet regjistrimit në QKR.

B. Si mund të bëhet kontrolli efektiv

Kontrolli efektiv nënkupton mbikqyrjen e hapësirës së komenteve dhe moderimin e saj. Vështirësia praktike e kontrollit efektiv mbetet e plotë, pavarësisht parashikimeve të dispozitave ligjore. Problemi kryesor është gjetja e një ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së personalitetit të personit nga cenimet e mundshme dhe lirisë së shprehjes së komentuesit. Të dyja këto të drejta meritojnë një respekt të barabartë[9] dhe vështirësia është gjetja e një balance të drejtë midis këtyre dy parimeve. Në këtë kuptim, marrin rëndësi teknikat që do të përdoren nga subjekti i kontrollit efektiv të cilat mund të jenë: (i) filtrimi i fjalëve ofenduese, (ii) rishikimi paraprak, (iii) notice and take down, ndryshe raportimi dhe fshirja e menjëhershme e komentit nëse konsiderohet që cenon nderin dhe personalitetit e personit ose (iv) notice and stay down, kur kemi të bëjmë me shkelje të përsëritura. Në funksion të rëndësisë së faqes, mund të vendoset dhe një detyrim për të parashikuar disa ose një pjesë të këtyre mjeteve teknike.

Është e qartë se këto mjete teknike nuk mund të parashikohen në Kodin Civil, madje as në një ligj të posaçëm. Këto janë disa mjete teknike të cilat nuk janë shteruese dhe se teknologjia në të ardhmen mund të krijojë mjete teknike më efikase. Çështja nuk qendron në përcaktimin e mjeteve teknike të pengimit të komenteve, por te mënyra e mbivendosjes së tyre, sasisë së tyre dhe të subjektit që do të ketë këtë përgjegjësi. Në mënyrë konkrete dhe të detajuar, është e vështirë që këto çështje të zgjidhen me një dispozitë të Kodit Civil.

C. Si mund të mbrohet efektivisht nderi apo reputacioni i një personi

Dy mundësi paraqiten: komentuesi është i identifikuar ose jo. Në rastin e parë, pra nëse komentuesi është i identifikuar dhe nëse administratori i portalit (faqes) nuk ka marrë masat për të fshirë komentin, të dy do të jenë përgjegjës, por jo solidarisht. Komentuesi do të përgjigjet sipas nenit 608 të Kodit Civil, ndërsa administratori i portalit (faqes) do të ketë përgjegjësi për shkak të mungesës së ushtrimit të detyrës që buron nga kontrolli efektiv i hapësirës së komenteve.

Në rastin e dytë, pra nëse komentuesi nuk është i identifikueshëm, përgjëgjësia do të bjerë vetëm mbi administratorin e portalit (faqes) që ka lejuar dhe nuk ka fshirë komentin. I duhet dhënë mundësia ligjore personit të cenuar që të kërkojë gjyqësisht shtrëngimin e administratorit të portalit (faqes) që të heqë anonimatin për këtë komentues, në mënyrë që të përgjigjet si nga pikëpamja civile ashtu dhe në atë penale. Një gjë e tillë duhet bërë vetëm nga gjykata si garant i vetëm i përdorimit të përshtatshëm të të dhënave personale. Heqja e anonimatit do të jepet vetëm në ato raste kur nderi, personaliteti dhe reputacioni të personit të jetë substancialisht të shkelur.

D. Rasti i blogjeve

Blogjet janë faqe interneti të cilat dallohen për lehtësinë e krijimit të tyre dhe që përgjithësisht janë faqe të personalizuara. Disa prej tyre mund dallohen për shkak të një pjesëmarrjeje të madhe të përdoruesve të tjerë të tyre, sidomos në kuadër të postimeve në formën e komenteve. Blogjet përfaqësojnë një instrument të demokratizimit të internetit. Në ndryshim nga mediat e tjera zyrtare ose gjysëm zyrtare, mbi blogjet nuk rëndon pesha e saktësisë në dhënien e informacionit.

Në këto kushte, përgjegjësia e autorëve të blogut, të cilët janë dhe furnizuesit e përmbajtjes dhe njëkohësisht administratorët e tyre, mund të gëzojnë një liri shprehjeje më të madhe, krahasimisht me një media zyrtare ose gjysëm zyrtare. Vështirësia e kontrollit të blogjeve dhe lindjes së përgjegjësisë së administratorëve të tyre vjen për shkak se blogjet mund të mbeten anonimë. Në këto kushte, që mundësia e angazhimit të përgjegjësisë së tyre të mos mbetet hipotetike, i duhet dhënë mundësia personit që, nëpërmjet AKEP-it (ose ndonjë organi tjetër administrativ, për shembull AMA) të mund të vërë në lëvizje ofruesin e shërbimit të shoqërisë së informacionit në mënyrë që të identifikojë administratorin dhe nëse është urgjente, të bllokojë ose të errësojë faqen nëse cenimi vazhdon. Me të marrë dijeni për shkeljen, ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacioni nuk mbrohet më nga përjashtimi i përgjegjësisë të parashikuar në Ligjin për tregtinë elektronike. Ai është i detyruar të ndërpresë ose të parandalojë një shkelje, nëse kjo kërkohet nga gjykata ose nga autoritetet përgjegjëse (AKEP, për shembull, megjithatë ky term nuk ka përkufizim në ligj), në përputhje me legjislacionin në fuqi[10]. Një ofrues i këtyre shërbimeve mund të jetë ISP-ja (furnizuesi i aksesit të internetit), pavarësisht se ky aktor i internetit nuk del qartë në Ligjin për tregtinë elektronike.

Në të gjitha rastet, për sa i përket blogjeve, por dhe më gjerë, komenteve të publikut në faqet e internetit, duhet të kenë një vlerësim a posteriori të tyre, në mënyrë që të mënjanohet çdo lloj censure të mundshme[11]. Në rast të lindjes së konfliktit, autoriteti gjyqësor duhet të jetë organi i fundit që të gjykojë në themel çështjet që lidhen me shkeljet.

E. Tracabiliteti i shkeljeve (gjurmueshmëria)

Disa propozime të cilat mund të ndihmojnë në një kontroll më të efektshëm të gjurmueshmërisë së shkeljeve.

Për shembull, në mënyrë që të kemi një identifikim të administratorit dhe të pronarit të faqes së internetit, mund të kërkohet që për mediat kombëtare të ketë një detyrim të regjistrimit në domenin “.al”, regjistrim që bëhet pranë AKEP. Në këtë mënyrë, AKEP do të jetë në dijeni të të dhënave të sakta dhe të mjaftueshme për identifikimin e tyre. Një gjë e tillë tashmë është rregull në shumë vende (shih repubblica.it, lemonde.fr, liberation.fr, theguardian.co.uk). Për sa i përket blogjeve që kanë një shtrirje të gjerë dhe një numër të konsiderueshëm vizitash që mund të kuptohet nga renditjet zyrtare të faqeve më të klikuara, të ketë një detyrim të posaçëm të regjistrimit të të dhënave të tyre pranë AKEP. Sigurisht, duhet të parashikohet një procedurë për paraqitjen e kërkesës e cila të respektojë, nga njëra anë të drejtën e shkelur të personit dhe, nga ana tjetër, lirinë e shprehjes, si një element themelor në demokraci. Në këtë kuadër, AKEP mund të vihet në lëvizje vetëm në kuadrin e një procedure gjyqësore, ku do të gjykohet në themel shkelja.

juritek.al (Oltion Spiro)



[1] Neni 15 i Ligjit për tregtinë elektronike.

[2] Neni 16 i Ligjit për tregtinë elektronike.

[3] Neni 17 i Ligjit për tregtinë elektronike.

[4] Shih tre nenet e cituar më sipër.

[5] Alain Hollande, Xavier Linant de Bellefonds, Pratique du droit de l’informatique et de l’internet, Delmas, 2008, f. 214.

[6] Delfi vs. Estoni.

[7] Neni 3(17) i Ligjit 97/2013 për mediat audiovizive.

[8] Çështja Delfi kundër Estonisë si dhe Bernh Larsen Holding AS kundër Norvegjisë.

[9] Delfi vs. Estoni, paragrafi 82.

[10] Neni 19 i Ligjit për tregtinë elektronike.

[11] Çështja nr. C-70/10 Scarlet Extended, vendimi datë 24 nëntor 2011 i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.