Juritek.

e drejta e krijimeve intelektuale dhe inovacionit

Parandalimi i shkeljeve të të drejtës së autorit në mjedisin dixhital

Photo by NordWood Themes on Unsplash

Ligji shqiptar mbi të drejtat e autorit ka hyrë në fuqi në tetor 2016. Ligji përafron direktivat kryesore të BE-së lidhur me të drejtat e autorit, ndër të cilat, kryesoret janë Direktiva 2001/29[1], Direktiva 2004/48[2], Direktiva 2009/24[3] dhe Direktiva 2014/26[4].

Një nga objektivat e ligjvënësit ka qenë sigurimi i një niveli të lartë mbrojtjeje për veprat. Në këtë kuadër, ligji i ka dhënë shprehimisht gjykatës mekanizma më të thelluar proceduralë, në mënyrë që jo vetëm të shprehet në mënyrë më të plotë në lidhje me pretendimet për shkelje të mundshme të të drejtës së autorit, por edhe t’i përgjigjet masave urgjente, siç është parandalimi ose pezullimi i ndonjë shkelje para shqyrtimit në thelb të çështjes. Me fjalë të tjera, ligji për të drejtat e autorit, nëpërmjet harmonizimit të tij me direktivat që përmendëm më sipër, në mënyrë të veçantë të asaj të vitit 2004, detajon më tej rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile të Shqipërisë në lidhje me masat paraprake për sigurimin e padisë në fushën e të drejtës së autorit. Masat, të përshkruara më poshtë, janë të rëndësishme në shumë aspekte, veçanërisht në rastet e shkeljes së të drejtës së autorit në internet

Objektivi tjetër kryesor i ligjit është t’i sigurojë autorit mekanizmat e dëmshpërblimit kundër shkeljes. Edhe në këtë drejtim, ligji është përafruar me Direktivën 2004. Në këtë kuadër, për shkak të fushës së re jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, është e rëndësishme që gjykatat kombëtare të ndjekin jurisprudencën e CJEU, veçanërisht në lidhje me nenin 13 të Direktivës 2004, pasi ajo hedh dritë mbi disa aspekte të dëmshpërblimit, qoftë për dëmet pasurore dhe/ose dëmet morale. Vlerësimi i dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së autorit në epokën dixhitale është një sfidë me të cilën agjensitë e zbatimit të ligjit dhe gjyqtarët duhet të përballen në dritën e direktivës së re evropiane të vitit 2016.

Gjykata mund të urdhërojë (injunction) masa të përkohshme për të siguruar padinë, të cilat konsistojnë në përfundimin ose parandalimin e shkeljes[5]. Ligji parashikon kushte në të cilat mund të merret një urdhër i tillë. Së pari, urdhri duhet të kërkohet nga mbajtësi i së drejtës[6]. Këto të fundit duhet të vërtetojnë se të drejtat e tyre janë shkelur, do të shkelen ose ka arsye për të besuar se ato janë shkelur[7].

Procedura civile shqiptare lidh masat e përkohshme me detyrimin e mbajtësit të së drejtës së autorit që të paraqesë padinë brenda një periudhe kohe të caktuar[8]. Nëse padia nuk është ngritur brenda kësaj periudhe, masat e përkohshme do të bien.

Gjykata, sipas Ligjit 35/2016, mund të urdhërojë që i padituri të pushojë cenimin ose të heqë dorë nga veprimet që cenojnë të drejtën e mbajtësit. Një urdhër i tillë mund të merret gjithashtu, në të njëjtat kushte kundër ndërmjetësve, nëse është provuar gjatë gjykimit se shërbimet që ai ofron janë përdorur nga palët e treta për shkeljen e të drejtave të mbajtësit të të drejtës së autorit.

Përgjegjësia e ndërmjetësve teknikë është shembëlltyrë e regjimit juridik të përcaktuar në Direktivën për Tregtinë Elektronike. Ligji Nr. 10128 datë 11.05.2009 “Për tregtinë tlektronike” është përafruar me Direktivën e Tregtisë Elektronike. Prandaj, ligji ynë parashikon parimin e përjashtimit nga përgjegjësia e ndërmjetësve teknikë (ose ofruesve të shërbimeve të shoqërisë së informacionit – ISS), i njohur gjithashtu si safe harbor, nën të njëjtat kushte të parashikuara në direktivë.

Përjashtimi mbulon vetëm raste kur veprimtaria e ofruesit të ISS-ve kufizohet në procesin teknik të funksionimit dhe ofrimin e aksesit në rrjetin e komunikimit te i cili informacioni i vënë në dispozicion nga palët e treta transmetohet ose ruhet përkohësisht[9]. Ideja natyrisht është që ofruesi ISS nuk ka as njohuri dhe as kontroll mbi informacionin që transmetohet ose ruhet në rrjetet e tij[10].

Në përputhje me direktivën, ofruesi i ISS mund të përfitojë nga përjashtimi nga përgjegjësia për veprimtari mere conduit (transmetim i thjeshtë), ruajtje e përkohshme (cashing) dhe hosting[11]. Në këtë kuadër, Ligji 10128 siguron një safe harbor për ofruesit e ISS, i cili konsiston në parimin e përgjithshëm të mungesës së detyrimit të përgjithshëm për të monitoruar. Megjithatë, një detyrim i tillë nuk është i pakufizuar. Mbrojtja nga safe harbor do të jetë jo funksional nëse ofruesi i ISS ka dyshime të arsyeshme që përdoruesit e ISS po ndërmarrin veprimtari të paligjshme ose kanë paraqitur informacion të paligjshëm. Në raste të tilla, ofruesi i ISS të informojë menjëherë autoritetet përkatëse[12].

Sidoqoftë, ka dallime midis ofruesit të ISS, në funksion të aktivitetit që kryejnë. Për sa i përket ISS që vepron si transmetues i informacionit, duket se nuk ka asnjë detyrim të “njoftimit dhe heqjes ” (notice and take down), në ndryshim nga ISS që ofrojnë shërbime hostimi. Përveç detyrimit për të njoftuar me shpejtësi autoritetet përkatëse, nuk ka asnjë detyrim të veprojë menjëherë në heqjen e çdo përmbajtje ose informacioni konfliktual[13].

Nga një këndvështrim praktik, cilat janë pasojat ndaj shkelësve të së drejtës së palëve të treta, veçanërisht pjesëmarrja në rrjetet sociale dhe masat paraprake e duhura që mund të merren, duke marrë parasysh legjislacionin e përshkruar më lart?

Së pari, ISS që siguron aktivitetin e hosting do të veprojë menjëherë për të hequr ose çaktivizuar aksesin drejt informacionit të publikuar nga shkelëst, menjëherë pasi ISS do të vihet në dijeni mbi informacionin e një veprimtarie të paligjshme[14]. Kjo është pjesë e procedurës së “notice and take down”, e cila nuk është rregulluar plotësisht në Shqipëri (pra nuk ka një procedurë të përcaktuar, përveç rasteve kur një procedurë të tillë e organizojnë vetë redaksitë e faqeve online). Sigurisht, një veprim i tillë i kryer nga ISS nuk kryhet mbi bazën e një vendimi gjyqësor të vendosjes së masave paraprake (injunction). Sidoqoftë, për sa i përket ISS që ofron shërbime hosting, menjëherë pasi të ketë marrë dijeni për shkeljen, mbajtësi i së drejtës mund t’i kërkojë gjykatës të lëshojë një masë kundër ISS që ofron shërbimin hosting, sic parashikohet në ligj. Nëse ndërmjetësi nuk ka ndërmarrë, në fillim, ndonjë procedurë “njoftimi dhe heqje”, ISS do të jetë përgjegjëse, pasi nuk do të ketë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar shkeljen. Një urdhër i tillë do të jetë pjesë e masës paraprake.

Së dyti, për sa i takon ISS-ve që ofrojnë shërbime transmetimi të thjeshta, në zbatim të ligjit shqiptar, ato i nënshtrohen detyrimit të përgjithshëm për të informuar menjëherë “autoritetet përkatëse” menjëherë pasi të kenë dyshimin e arsyeshëm se po ndërmerret një veprimtari e paligjshme. Siç kemi nënvizuar më lart, legjislacioni shqiptar nuk parashikon ndonjë procedurë “njoftimi dhe heqjeje” për ISS që ofron shërbime transmetimi të thjeshta (mere conduit). Mbetet pyetja se cilat janë “autoritetet përkatëse” të cilat janë parashikuar në ligj dhe të cilëve ISS duhet t’i referohet në rast të aktivitetit të paligjshëm.

Kuptohet që një nga “autoritetet përkatëse” është gjykata. Ky supozim rrjedhë nga dispozita e nenit 19 të ligjit 10128, sipas të cilit: “[…] ISS është i detyruar të ndërpresë ose parandalojë një shkelje, nëse [një masë e tillë] kërkohet nga gjykata ose nga autoritetet përkatëse, në zbatim të legjislacioni në fuqi. “Në bazë të këtij neni, gjykata do të veprojë në përputhje me kompetencën për vendosjen e masave paraprake (injunction), me paraqitjen e një kërkese në këtë drejtim përpara gjykatës. Por përsëri, nuk sqarohet në ligj se cilat janë “autoritetet e tjera përkatëse”. Kjo ka një rëndësi të madhe, për shkak se autoriteti përkatës duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor, veçanërisht nëse ky autoritet do të jetë një organ administrativ.


[1] Direktiva 2001/29/KE “Mbi harmonizimin e disa aspekteve të të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të në shoqërinë e informacionit”

[2] Direktiva 2004/48/KE “Mbi zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale”

[3] Direktiva 2009/24/KE “Mbi mbrojtjen ligjore të programeve kompjuterike”

[4] Direktiva 2014/26/BE “Për menaxhimin kolektiv të të drejtës së autorit […]” (përafruar pjesërisht)

[5] Neni 173.1 i ligjit 35/2016

[6] Përkufizimi i mbajtësit të të drejtave është dhënë në nenin 163 të ligjit 35/2016

[7] Neni 173.1 i ligjit 35/2016

[8] Neni 204 i Kodit të Procedurës Civile

[9] Pika 42 e Direktivës 2000/31/EC

[10] Po aty

[11] Nenet 15, 16, 17 të Ligjit 10128 “Për tregtinë elektronike”

[12] Neni 20.2 të ligjit 10128 “Për tregtinë elektronike”

[13] Nenet 16 dhe 17 të ligjit 101028 “Për tregtinë elektronike”, parashikojnë në fakt notice and take down

[14] Neni 17.2 i ligjit 10128 “Për tregtinë elektronike”