Situata politike e krijuar nga padia, që mesa duket është dorëzuar tashmë, nuk është objekt i këtij artikulli. Morëm shkas nga kjo betejë ligjore, që tingëllon më shumë politike sesa juridike, për të trajtuar disa çështje në lidhje me kompetencën juridiksionale në rastin e shkeljeve të pretenduara të kryera në internet. Megjithatë, për të hedhur pak dritë mbi rastin konkret, gjithmonë në aspektin juridik duke patur parasysh kompleksitetin e çështjes dhe shanset deri diku të dobëta të suksesit të kësaj padie, do të trajtohet vetëm çështja e kompetencës juridiksionale vetëm në kuadër të ligjit francez si dhe vetëm në rrafshin penal.

Në ndryshim nga fusha civile dhe tregtare, fusha penale nuk njeh rregulla të konfliktit të ligjit ose të juridiksionit. Jemi përpara një konflikti ligji atëherë kur për një shkelje të caktuar mund të jenë kompetente për t’i dhënë zgjidhje çështjes, ligjee disa shteteve dhe përpara një konflikti të juridiksioneve në rastet kur gjykatar e disa shteteve mund të jenë kompetente për të gjykuar një çështje. Përgjithësisht, si çështja e konfliktit të ligjeve ashtu dhe ajo e konfliktit të juridiksionit kanë qenë objekte të rregullimeve konvencionale ndërkombëtare, me qëllim shmangien e një kakofonie insistuese në përcaktimin e ligjit të zbatueshëm dhe gjykatës kompetente. Përjashtim këtu, siç u tha, do të bëjë fusha penale, e cila për shkak se është ajo degë e së drejtës që më shumë mishëron idenë e sovranitet të rendit juridik të një shteti, do të ketë rregulla të përcaktuara në mënyrë autonome nga vetë shtetet.

Në këtë kuadër, sipas ligjit penal francez, fusha penale nuk është objekt i rregullave të konfliktit të ligjeve ose të juridiksioneve. Vetëm gjyqtarët francezë kanë të drejtë që ta zbatojnë ligjin penal francez. Me përjashtim të disa konventave të rralla ndërkombëtare, gjyqtari penal zbaton vetëm ligjin e tij. Që nga ky moment, fusha e zbatimit të ligjit penal do të përcaktojë dhe kompetencën e gjyqtarëve francezë.[1] Kjo do të thotë se duhet të shikohen rregullat që përcaktojnë ligjin e zbatueshëm për të zbuluar kompetencën e gjyqtarëve francezë.

I. Parimi i përcaktimit të kompetencës juridiksionale sipas ligjit francez

Për shkeljet e kryera jashtë territorit francez, parimi është që ligji penal francez do të zbatohet kur autori i veprës ose viktima është franceze.[2]

Cfarë do të ndodhë me rastin kur shkelja është kryer në internet? Ligji penal do të jetë i zbatueshëm kundrejt shkeljeve të kryera në territorin francez, duke patur parasysh se shkelja do të konsiderohet e kryer në territorin francez kur një prej fakteve përbërës të tij të jetë kryer në territor.[3] Koncepti i lokalizimit të shkeljes, në kuadër të internetit, kuptohet në mënyrë të gjerë (dhe është e arsyeshme të jetë kështu), që do të thotë se gjyqtari penal francez do të njohë kompetencën e tij edhe për rastet kur një përmbajtje informacionale në rrjet (internet) shpërndahet nga një pikë e caktuar e lokalizuar në një shtet tjetër që nuk është fori, por shkarkohet (ose është i aksesueshëm) në territorin e forit, në rastin konkret, në Francë. Pra, mundësia e aksesueshmërisë në një përmbajtje informacionale të një faqeje në internet nga territori francez përbën një kriter lidhjeje të mjaftueshëm për të njohur kompetencën e ligjit francez dhe të kompetencës së gjyqtarit francez.

Kjo për sa i përket parimeve. Por, në rrafshin praktik, cfarë thotë jurisprudenca franceze në interpretimin e kriterit të aksesueshmërisë?

II. Interpretimi i jurisprudencës franceze

(i) Kriteri i aksesueshmërisë

Kriteri i aksesueshmërisë së një faqeje internet në territorin francez është sanksionuar nga jurisprudenca franceze që në vitin 1998. Në një çështje që kishte të bënte me një tekst me karakter revisionist që qarkullonte në internet, gjykata e shkallës së parë e Parisit u shpreh se një shkelje që ka të bëjë me një publikim, konsiderohet e kryer kudo ku “artikulli lexohet, emisioni dëgjohet ose shikohet.” Në rastin konkret, teksti me karakter revisionist ishte publikuar në një faqe interneti të huaj, por meqënëse ai mund të konsultohej nga territori francez, gjykata franceze do të pranonte kompetencën e saj, për shkak se shkelja quhet e kryer kur faqja e internetit në fjalë është e konsultueshme në Francë.

Nga një qëndrim gati automatik të zbatimit të kriterit të aksesueshmërisë, jurisprudenca e rikalibroi lehtësisht qëndrimin e saj në një çështje që bëri bujë në kohën e saj, e ngritur kundër shoqërisë Yahoo!Inc (një shoqëri që sot nuk bën më bujë…), përpara Gjykatës Korreksionale të Parisit në vitin 2002[4] (e njëjta ku pritet të ballafaqohet Saliu me Blinkenin…), në lidhje me një faqe që ishte pjesë e galaksisë Yahoo!Inc ku shiteshin objekte naziste (një aktivitet që nuk dënohet në SHBA, por që në Francë përbënte veprën penale të apologjisë së krimeve të luftës). Gjykata këtu nuk vlerësoi kriterin e aksesueshmërisë si në rastin e mëparshëm, por vlerësoi nëse faqja që vepronte nën ombrellën e Yahoo!Inc kishte kryer veprime konkrete të afrimit të publikut francez, si për shembull një akt i asimilueshëm me publicitetin. Kështu, nga analiza e fakteve, gjykata vuri re se faqja ku shiteshin objektet në fjalë ishte një buton “search”, që sipas Gjykatës karakterizonte elementin e publicitetit të veprës penale të apologjisë së krimeve të luftës (sepse me anë të këtij butoni mund të selektoheshin artikuj të ndryshëm të kohës së nazizmit), pavarësisht se faqja e internetit nuk kishte asnjë të dhënë që të tregonte se i drejtohej specifikisht publikut francez.

Pesë vite më vonë, Gjykata e Apelit e Parisit iu rikthye analizës bazike të kriterit të aksueshmërisë në një çështje që lidhej me të drejtën e autorit. Bëhej fjalë për një shtetas italian që kishte riprodhuar një artikull të gazetës “Le Monde” pa të drejtë. Përveç kriterit të shtetësisë franceze të viktimës, që përbën në vetvete kriter të mjaftueshëm të përcaktimit të kompetencës së gjykatës franceze, sic e pamë më sipër, Gjykata e Apelit u shpreh se shkelja konsiderohet e kryer në Francë edhe sepse faqja ku përmbahej artikulli i riprodhuar pa leje ishte i konsultueshëm në territorin francez. Pra, aksesesueshmëria e thjeshtë e një faqeje në Francë mjafton për të përcaktuar kompetencën e gjykatës franceze.

(ii) Rishikimi i kriterit të aksueshmërisë – shqyrtimi i kritereve objektive

Problemi me një qëndrim të tillë është evident: gjykatat franceze do të kishin kompetencë universale dhe sistematike për sa kohë që një faqe interneti çfarëdo mund të konsultohet në territorin francez (pra, shumica dërrmuese e tyre), pavarësisht se çështja mund të mos ketë asnjë lidhje me Francën dhe të mos përbëjë asnjë shkelje ku sipas parimeve ndërkombëtare, gjykata mund të ketë kompetencë të gjykojë çështjen (si për shembull shkelje të rënda të të drejtave të njeriut).

Për pasojë, jurisprudenca solli disa kritere të cilësuara si objektive, mbi bazën e të cilave gjykatat mund të jenë kompetente për të njohur një çështje të caktuar. Në vitin 2008, gjykata e shkallës së parë e Parisit e shpalli veten kompetente për të gjykuar disa faqe shpërndarjesh veprash artistike, sipas parimit peer-2-peer. Keto faqe ishin kallëzuar nga shoqëritë kolektive të menaxhimit të të drejtave të autorit. Gjykata, për këtë rast, kërkoi një lidhje substanciale me Francën, e cila do të provonte faktin që shtetasit francezë ishin implikuar në shkarkimet të paligjshme, në mënyrë që të përcaktohej lidhja shkakësore ndërmjet faktit shkelës dhe dëmeve të pësuara në Francë (pra nga artistët, interesat e të cilëve mbroheshin nga shoqëritë e menaxhimit kolektiv).

Së fundi[5], në një vendim të korrikut 2016, Gjykata franceze e Kasacionit[6] u shpreh në lidhje me një rast ku një shtetase me shtetësi amerikane dhe japoneze dhe motra e saj me shtetësi japoneze, të dyja me vendbanim në Japoni, kishin paditur një shtetas jugafrikan para gjykatës penale me akuzën e shpifjes, për shkak të dy teksteve në gjuhën angleze të postuara në faqen e internetit kickstarter.com dhe evokimin e marrëdhënieve profesionale të tyre në Japoni.

Gjykatat e themelit shpallën veten jokompetentë për të gjykuar çështjen.

Për të konfirmuar vendimet e gjykatave të themelit, Gjykata e Kasacionit u shpreh se, pavarësisht se veprat penale në lidhje me publikime të shtypit konsiderohen të jenë kryer në çdo vend prej të cilëve komentet shkelëse janë të aksesueshëm, pasi ato janë shpërndarë në internet, kompetenca territoriale e gjykatës franceze nuk mund të jetë universale dhese kompetenca e saj mund të pranohet për sa kohë faqet e internetit i drejtohen publikut francez. Gjykata konstatoi se teksti ishte në anglisht për persona që nuk kishin shtetësinë franceze dhe që kishin vendbanimin e tyre në Japoni dhe se faqja e internetit ishtë krijuar në SHBA, nga një person që nuk kishte shtetësinë franceze dhe për pasojë, këto faqe nuk i drejtohen publikut francez, pavarësisht se faqja në vetvete mund të jetë e aksesueshme në territorin francez. Në këto kushte, Gjykata e Kasacionit rrëzoi rekursin e palës dhe la në fuqi vendimet e gjykatave të themelit.

III. Interpretimi i mundshëm i avokatit francez

Në konferencën e shtypit që mbajti më datë 5 gusht, ish Kryeministri (njëherësh ish President dhe ish kryetar i PD-së) përmendi kriterin e aksesueshmërisë si mjet për që përcakton në mënyrë automatike kompetencën e Gjykatës Korreksionale të Parisit. Megjithatë, ai u tregua i kujdesshëm pasi menjëherë më pas shtoi se “vetëkuptohet, gjithçka varet nga interpretimi i gjykatësit që do të gjykojë çështjen”. Sigurisht, avokati francez e ka paralajmëruar ish Kryeministrin se kjo çështje është shumë delikate dhe e vështirë në dy rrafshe: atë të kompetencës së gjykatës franceze, për shkak të qëndrimit që kanë mbajtur gjykatat, si u përshkruan më lart por edhe për shkak të faktit se shpifja e pretenduar nuk vjen nga sekretari i shtetit në titull personal, por si funksionar i lartë i shtetit të tij. Të shikojmë se ç’do të ndodhë, të vetëdijshëm se beteja ligjore në këtë rast është tërësisht dytësore në raport me atë politike.

O.S.

Ilustrimi: Honoré Daumier, Before the Hearing, ca. 1860 until 1865, The Phillips Collection, Washington, DC, USA. Sothebys


[1] C. Castets Renard, Droit de l’internet, faqe 458.

[2] Nenet 113-6 dhe 113-7 Të Kodit Penal francez

[3] Neni 113-2 i Kodit Penal francez

[4] Gjykata Korresionale Paris, 26 shkurt 2002.

[5] Në fakt, shembuj ka plot, por në këtë ekspoze të shkurtër është tentuar të tregohet evolucioni i jurisprudencës në lidhje me kriterin e aksesueshmërisë në Francë.

[6] Gjykata franceze e Kasacionit, 12 korrik 2016, https://www.actualitesdudroit.fr/browse/penal/droit-penal-special/1921/diffamation-publique-notion-d-acte-de-publication-sur-le-territoire-et-competence-du-juge-francais