Instagrami do t’u ofrojë përdoruesve të tij mundësinë e shfaqjes së një vijimësie mesazhesh bazuar në një rend kronologjik dhe jo më të  menaxhuar nga një algoritëm që mundëson renditjen sipas preferencave të përdoruesit. CEO i shoqërisë, Adam Mosseri, njoftoi të mërkurën, më 5 janar se rrjeti social së shpejti do të testonte tre opsione të ndryshme afishimi të mesazheve, dy prej të cilave bëjnë të mundur shfaqjen në rend kronologjik të fotove të publikuara nga profilet e ndjekur nga përdoruesi (pra atyre që u bëjmë “follow”).

Aktualisht, përditësimi i postimeve publike të profileve të ndjekur nga përdoruesi bëhet i mundur nga algoritme automatike të renditjes, të cilat marrin parasysh një numër të madh sinjalesh prej përdoruesve, për të përcaktuar se cilat foto kanë më shumë gjasa të shfaqin më shumë interes për ta. Kështu, ky sistem u jep përparësi fotove të publikuara nga profilet që kanë qenë më shpesh të vizituara ose që kanë marrë rregullisht “like” prej përdoruesve.

Kjo renditje e automatizuar ka qenë dhe vijon të jetë objekt kritikash, veçanërisht nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve dhe nga studiues të shumtë, të cilët besojnë se i jep vizibilitet të tepruar  përmbajtjeve të dëmshme. Dokumentet e zbuluara në fund të vitit 2021 nga ish-punonjësja e Facebook, Frances Haugen, treguan ndër të tjera se, përmbajtja e publikuar nga personazhet e famshëm zinte një vend kryesor në postimet publike të kërkuara nga përdoruesit dhe [një ekspozim i gjatë dhe i vazhdueshëm i këtyre postimeve] mund të kishte pasoja negative mbi mirëqenien e përdoruesve.

Në fakt, të gjitha rrjetet sociale sot përdorin, by default, një algoritëm të renditjes së përmbajtjes. Në vitin 2016, kur Instagrami hoqi renditjen kronologjike të postimeve, shoqëria e justifikoi këtë ndryshim kursi me faktin se “me përdorimin gjithmonë e më në rritje të Instagramit, po bëhej e vështirë të shikoheshin të gjitha fotot dhe videot e publikuara nga në aplikacion nga përdoruesit. Një gjë e tillë (pra renditja kronologjike) do të thotë që përdoruesit mund të humbasin publikime që do të kishin patur interes për ta.”

Nga pikëpamja ligjore, asgjë nuk e detyron Instagramit të ndryshojë mënyrën e publikimit të fotove dhe videove në hapësirën publike të përdoruesve. Megjithatë, çëshjta e mirëqënies së përdoruesve ka marrë një rëndësi shumë të madhe dhe për këtë arsye, Instagrami është duke marrë masat në mënyrë paraprake, për t’i paraprirë çdo ndryshimi ligjor që mund të ndodhë në të ardhmen në këtë aspekt.

[Përshtatur nga një artikull botuar në “Le Monde”, në datën 6 janar 2022 https://www.lemonde.fr/pixels/article/2022/01/06/instagram-va-tester-un-flux-chronologique_6108393_4408996.html]