https://shopee.com.br/Poster-Massive-Attack-Blue-Lines-Tamanho-A3-i.436982866.7889818260

Autori ka qenë dhe vijon të jetë sot, në shoqërinë e sotme të dukjes, personazh i hijes. Po të mos kishte vullnet të autoriteteve publike, të shprehur nëpërmjet ligjeve, konventave dhe rregulloreve të shumta, gjasat do të ishin që autori do të konsiderohej përfundimisht si një nga punonjësit e shumtë që kontribuojnë në krijimin e një vepre, e shfrytëzuar nga të tjerë dhe jo siç është në të vërtetë, krijuesi fillestar i veprës.[1]

Në këtë kuptim, garancitë që ligji i jep autorit janë të një natyre të dyfishtë: nga njëra anë, ato synojnë që autori të gëzojë lidhjen që ka me veprën, duke i dhënë atij mekanizmat ligjorë që ta mbrojnë atë dhe emrin e tij nga çdo përçudnim ose transformim i padëshiruar i veprës dhe, nga ana tjetër, të gëzojë përfitimet e duhura dhe të përshtatshme financiare, në përpjestim me suksesin e veprës së tij. Të parat njihen si të drejtat jopasurore dhe të dytat, objekt i këtij artikulli, të drejtat pasurore të autorit.

Sipas ligjit tonë, autori gëzon të drejta të vlerësuara si ekskluzive[2] për të autorizuar apo ndaluar përdorimin e veprave ose kopjeve të tyre. Sipas ligjit tonë, këto të drejta përfshijnë të drejtën e riprodhimit të veprës, të drejtën e shpërndarjes së veprës, të drejtën e komunikimit në publik dhe të drejtën për të bërë vepra të prejardhura (ndryshe, përshtatje).

Do të ndalemi në mënyrë të veçantë në të drejtën e riprodhimit të veprës dhe të përshtatjes së saj. E para nënkupton të drejtën e bërjes së një ose më shumë kopjeve të veprës në çfarëdolloj forme dhe mjeti.[3] Në fakt, e drejta e riprodhimit që autori ka fillon më përpara në kohë (nëse duam t’i japim kuptim kësaj të drejte). Që të flasim për të drejtë riprodhimi duhet së pari të themi se riprodhimi është fiksim (regjistrimi, fotografimi, depozitimi i një vepre në format digjital në hard diskun e një kompjuteri– “çfarëdolloj forme dhe mjeti”) material i veprës që bën të mundur komunikimin[4] e saj në publik. Nga ky përkufizim, rezulton se e drejta e riprodhimit që ka autori i jep atij tagrin që të autorizojë fiksimin e parë të veprës në një suport material që në fillim (dhe jo vetëm bërjen e kopjeve, siç thuhet në ligj).

E drejta për të bërë vepra të prejardhura nënkupton të drejtën për të autorizuar çdo përshtatje[5] që mund t’i bëhet veprës së tij ekzistuese. Përshtatjet karakterizohen nga dy momente thelbësore: momenti i parë është roli thelbësor i autorit të veprës së përshtatur dhe, momenti i dytë, mungesa e bashkëpunimit ndërmjet autorit të veprës së përshtatur dhe përshtatjes. Nëse nuk do të ishte kushti i dytë, atëherë do të ishim në prani të një vepre të realizuar në kushtet e bashkautorësisë, situatë që gjen zgjidhje gjithashtu në ligjin tonë. Është pikërisht mungesa e bashkëpunimit dhe ekzistenca e një hierarkie ndërmjet veprave që i karakterizon ato si dy vepra të ndryshme, secila me ekzistencë të vetën.

Mirëpo të përshtatësh, do të thotë të zbatosh një krijim mbi një krijim tjetër.[6] Nga kjo rrjedh që krijimi i një vepre të prejardhur varet nga vullneti i autorit të veprës së përshtatur, i cili ka të drejtën ekskluzive (thotë ligji ynë) që të autorizojë bërjen e përshtatjes. Jo më kot ligji përdor shprehjen vepër “e prejardhur”, sepse e dyta nuk do të mund të ekzistonte pa të parën. Në këtë kuadër, autorizimi nga autori i parë merr një rëndësi të veçantë, sepse një përshtatje implikon dy momente shumë të rëndësishme: momenti i parë që lidhet me të drejtën morale të autorit (jopasurore), sepse ai mund të mos jetë dakord me përshtatjen dhe ta konsiderojë atë si përçudnim të veprës së tij dhe momenti i dytë që lidhet me implikime të natyrës financiare, për të cilat dhe autori i parë legjitimisht mund të kërkojë të ketë përfitimet e veta të kësaj natyre.

Në këtë kontekst, roli parësor i kontratës për përshtatjen e veprës është i padiskutueshëm. Kushtet e kësaj kontrate (dhe nëse kjo çështje duhet të zgjidhet në një kontratë të veçantë ose në një kontratë të përgjithshme të kalimit të të drejtës së autorit) do të diskutohen në një trajtim tjetër. Këtu po kufizohemi vetëm në shtjellimin e përmbledhur të të drejtave të përmendura më sipër.

Për të treguar faktin se këto çështje nuk janë thjesht teorike, por edhe shumë praktike, mund të marrim shembullin vijues. Një vepër muzikore (e zhanrit variete ose muzikë e lehtë), e përbërë në pjesën më të madhe të saj nga një vepër muzikore e mëparshme në kohë (sigurisht dhe e publikuar) dhe që përmban një përshtatje në formën e shtesës që i përket një zhanri tjetër muzikor, ka mundësi shumë të mëdha që të jetë një vepër e prejardhur: teksti i njëjtë, ritmi i njëjtë, muzika dhe kompozimi pothuajse të njëjtë, me përjashtim të pjesës së shtuar që vjen nga një zhanër tjetër muzikor (le të themi, hip-hop) janë tregues të fortë të identitetit të njëjtë të veprave. Aq shumë mund të jenë identike, saqë mund të shtrohet dhe çështja e klasifikimit juridik të të drejtës së përdorur nga vepra e prejardhur: është riprodhuar vepra e parë (me disa modifikime të vogla) apo është përshtatur kjo vepër (duke krijuar kështu një koncept të ri muzikor). Në të dyja rastet, krijuesit e veprës së dytë duhet të kishin marrë autorizimin e autorit të veprës së parë, kjo është një kërkesë ligjore që nuk mund të anashkalohet. Në rastin e marrë si shembull, gjithçka mund të zgjidhet përballë gjykatës: përveç analizës juridike, do të duhet dhe ndërhyrja e ekspertëve muzikorë për të përcaktuar nga pikëpamja muzikore, e ritmit dhe e kompozimit, ngjashmërinë mes tyre. Fjala e fundit do t’i mbetet gjykatës, e cila është e vetmja e autorizuar me ligj që të bëjë analizën juridike të rastit.

O. Spiro


[1] Ngjashëm me “work made for hire” të të drejtës amerikane.

[2] Nëse fjalet kanë kuptim, “ekskluzive” do të thotë përjashtimore, gjë që nënkupton se këto të drejta autori i gëzon vetë, pa ndërhyrjen e askujt.

[3] Thotë në thelb, ligji ynë.

[4] Ligji ynë ka tendencën të përdorë herë fjalën “përcjellje” herë “komunikim”. Ideja në rastin konkret është komunikimi i veprës në kuptimin e prezantimit të saj te përdoruesi (dhe s’duhet ngatërruar me të drejtën e komunikimit në publik, që nënkupton një plularitet përdoruesish – spektakle, shfaqje, transmetime në lokale, bare dhe mjedise të populluara…).

[5] “[…] për të përkthyer, botuar në një përmbledhje, për të bërë aranzhime muzikore, si dhe çdo transformim tjetër […]”

[6] P-Y Gautier, Droit d’auteur, PUF, f. 648.