Apple ka njoftuar më datë 22 qershor se do t’i japë fund bashkëpunimit me Intel-in, prodhuesin e famshën të mikroçipeve. Intel-i ka prodhuar procesorët e serive Mac të Apple-it që nga viti 2006. Ai gjithashtu ka pajisur dhe vijonë të pajisë kompjuterët me sistem operativ Windows që nga viti 1980.
Ndarja e shpallur nuk përbën një lajm të rëndomtë, përkundrazi. Siç dihet, procesori është një pjesë qendrore e çdo kompjuteri: është një nga elementët që ndikon më shumë mbi shpejtësinë e tij. Kapaciteti që ka procesori për të kursyer energjinë gjatë orëve produktive të kompjuterit ndihmojnë baterinë që të fitojë më shumë autonomi.
Apple-i ka vendosur të zëvendësojë procesorët Intel me mikroçipet që tashmë i prodhon vetë prej më shumë se 10 vitesh dhe me të cilat janë pajisur smartfonët dhe tabletat e tij. Përfaqësuesi më i ri i kësaj game është A13 që përbën pjesën qendrore të iPhone 11.
Sipas Apple-it, mikroçipet e tij do të bëjnë të mundur përmirësimin e autonomisë së kompjuterëve Mac dhe të rrisin edhe më tej performancën e tyre. Nga ana tjetër, Intel-i ka njohur prej disa vitesh disa probleme miniaturizimi të qarqeve elektronike, të cilat kanë bërë që të humbasë terren përballë konkurrencës. Teknikisht, sa më imët të gdhendet nja qark elektronik, aq më pak nxehtësi çliron, çka bën të mundur rritjen e shpejtësisë pa patur frikën e rritjes tej masës së temperaturës.
Procesorët e Apple-it kanë një nivel miniaturizimi nga më të mirët në botë.
Ky evolucion do të prekë MacBook-ët dhe iMac-ët që do të dalin në treg në fund të 2020 dhe 2022 sipas modeleve dhe sipas gjasave edhe të seria e MacPro, të cilët tash për tash përdorin ende procesorët Intel, të dedikuar për këtë lloj kompjuteri. Këto zhvillime do të bëjnë të mundur një dizenjo më të pastër të MacBook dhe kompjuterëve të tjerë Apple, e cila, duke patur parasysh eksperiencat e mëparshme të Apple-it, do të kenë një impakt te konsumatorët.
Në fakt, edhe vetë Intel-i po mundohet këto vitet e fundit që të përdorë për disa kompjuterë Windows procesorë Intel të përshtatur për smartfonë, bazuar në një koncept të ngjashëm me Apple-in. Por, pavarësisht përpjekjeve, disa programe ngadalësohen shumë kur punojnë me procesorë të tillë.
Në këtë kuadër, Apple-i duhet se s’bën të ketë sukses në këtë hap që hedh. Kthimi prapa nuk është dhe s’ka qenë kurrë një opsion për këtë shoqëri. Për më tepër, duhet thënë se nuk është hera e parë që Apple-i vepron në këtë mënyrë. Në 2006, viktima në atë kohë ka qenë IBM, në dëm të të cilës Apple-i zgjodhi të bashkëpunonte me Intel-in.
Për të patur sukses, Apple ka konceptuar një lloj “përkthyesi automatik” të quajtur ‘Rosetta’, në gjendje që të bëjë programet ‘të flasin’ gjuhën e mikroçipit Apple, pavarësisht se janë konceptuar për procesorët Intel-in.
Adobe dhe Microsoft janë bërë pjesë e projektit të Apple-it dhe kështu, thuhet se këto aplikacione (programe) janë përshtatur për të funksionuar me procesorin e ri Apple dhe për pasojë, janë pagëzuar me emra të rinj.
Largimi i Intel-it nga arkitektura e produkteve Apple të ardhshëm do të thotë dhe një betejë të humbur për Intel-in kundër armikut të tij të klasës, Arm. Kjo e fundit është një shoqëri konceptimi britanike që nuk prodhon çipe, por projekton arkitekturën, e cila më pas, prodhohen nga Samsung, Qualcomm, TSMC, Apple. Arkitekturat e projektuara nga Arm shërbejnë në shumë smartfonë që prodhohen sot.
Megjithatë, impakti ekonomik mbi Intel-in nuk do të jetë shumë i madh. Shitjet që Intel-i i faturon Apple-it përfaqësojnë vetëm 3% të xhiros së Intel-it.
(Përshtatje e artikullit në frëngjisht botuar në ‘Le Monde’, më datë 23.6.2020, me autor Nicolas Six https://www.lemonde.fr/pixels/article/2020/06/23/apple-tire-un-trait-sur-les-processeurs-intel_6043888_4408996.html)
Leave a Reply