Si në shumë fusha të të drejtës, edhe e drejta e autorit gjendet përpara sfidës së vazhdueshme të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian. Ajo gjithashtu, gjendet përpara sfidës ‘së përjetshme’ të zbatimit efektiv të ligjit. Ka patur vazhdimisht përpjekje për t’i bërë ballë këtyre problematikave, megjithatë, konstatohet se këto çështje ende nuk po gjejnë trajtimin dhe vëmendjen e duhur. Përveç çështjes së vullnetit të aktorëve kryesorë, duhen nënvizuar gjithashtu dhe vështirësitë e lidhura me faktin se e drejta e autorit është një fushë e re në Shqipëri dhe që në shumë aspekte, kërkon një punë të palodhur pedagogjike drejtuar publikut dhe përdoruesve të veprave, shpeshherë edhe vetë autorëve dhe titullarëve të të drejtave mbi të drejtat që kanë dhe si mund t’i përdorin ato më mirë.
Po të shtohet dhe kompleksiteti i mekanizmit të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit, kësaj panorame jo lehtësisht të deshifrueshme, i shtohet kështu edhe një problematikë tjetër dhe kështu, tabloja e vështirësive praktike të zbatimit të ligjit del edhe më e plotë. Megjithatë, kjo nuk duhet të stepë as autoritetet, as grupet e interesit që të punojnë pareshtur në të mirë të zbatimit të ligjit dhe të gjetjes së ekuilibrit ndërmjet interesave të autorit dhe publikut, pra përdoruesve të të drejtave të tyre. Në këtë kontekst, është parësore që të flitet për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit si një mekanizëm shumë i mirë në shërbim të misionit të dyfishtë të përmendur më sipër.
Çfarë është menaxhimi i kolektiv i të drejtës së autorit dhe si mund të ndihmojë ai në gjetjen e ekuilibrit në marrëdhëniet autor-përdorues? E drejta e autorit është një e drejtë pronësore që i përket autorit që ka krijuar veprën. Si çdo e drejtë pronësore dhe e natyrës personale, i takon vetë autorit që të ushtrojë të drejtat e tij, thënë ndryshe, të japë autorizimet përkatëse për të tretët që të përdorin veprën e tij, të përcaktojë vetë tarifat e përdorimit të veprës dhe t’i vjelë ato si dhe të mos lejojë përdorimin e veprës, nëse mendon se një gjë e tillë nuk është në interesin e tij ose kur thjesht, nuk do. Megjithatë, ushtrimi i këtyre veprimeve nga vetë autori është i vështirë, më së shumti për arsye praktike: autori do ta këtë të vështirë të administrojë të drejtat e tij, duke patur parasysh përhapjen shumë të madhe dhe të shpejtë të veprave, sidomos për shkak të digjitalizimit dhe përhapjes së veprave në internet. Në këto kushte, del e nevojshme që të drejtat e autorit, sipas kushteve të përaktuara në ligj, të administrohen në mënyrë të përbashkët ose kolektive, një lloj mishërimi i parimit “bashkimi bën fuqinë”. Menaxhimi kolektiv, në vetvete, nuk përbën ndonjë risi. Në vende si Franca ose Mbretëria e Bashkuar, ky lloj administrimi për të drejtat e autorit ekziston që prej shekullit XIX dhe fillimshekullit XX. Në Shqipëri, menaxhimi kolektiv ka njohur ulje dhe ngritje të vazhdueshme. Ligji në fuqi për të drejtën e autorit tenton që të organizojë këto agjenci në përputhje me parimet themelore të direktivave europiane që rregullojnë veprimtarinë e tyre.
Duhet thënë se menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit nuk mund të kryhet nëse autori nuk i autorizon agjencitë e menaxhimit kolektiv me anë të një kontrate. Siç u tha më sipër, parimi ligjor është që një autor ka të drejtën që t’i administrojë vetë të drejtat e tij si autor i tyre. Kjo do të thotë se shfrytëzimi i të drejtës në mënyrë vetjake dhe të drejtpërdrejtë nga autori është një e drejtë që nuk mund t’i kufizohet. Megjithatë, autori për arsye praktike jo të neglizhueshme, lidh kontrata të kalimit të të drejtave të autorit me palë që duan të shfrytëzojnë veprat dhe që kanë mundësinë financiare dhe praktike për t’i prodhuar ato dhe për t’i komunikuar ato në publik (si për shembull prodhuesit e fonogrameve, thënë ndryshe suporteve të veprave muzikore, më thjesht akoma, disqeve). Në këtë rast, prodhuesi do të marrë përsipër rreziqet e prodhimit të veprës, të shpërndarjes, komunikimit në publik e kështu me radhë. Problematika qëndron në faktin se veprat sot shpërndahen në mënyrë masive dhe në forma të shumëllojshme. Edhe vetë prodhuesit e veprës nuk mund të kontrollojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese të gjithë rrugëtimin e shpërndarjes së veprës: radioshpërndarje, transmetime audiovizuale, komunikime nëpërmjet Youtube, Spotify, Deezer, përdorimi në salla eventesh, në lokale, restorante, manifestime sportive, politike dhe sociale, shumëfishime të veprave për përdorim vetjak… Lista e përdorimeve është e pafund dhe për këtë arsye si ndjekja ashtu dhe evidentimi i të gjitha përdorimeve është shumë i vështirë… Por jo e pamundur. Me kusht që të pranohen disa pika themelore, si nga ana e titullarëve të të drejtave, ashtu dhe nga përdoruesit. Së pari, me gjithë vetëdijen e shumë autorëve dhe producentëve të tyre se mund të jenë në gjendje që të kontrollojnë vetë qarkullimin e veprave të tyre, duhet pranuar se realiteti nuk është aq i thjeshtë dhe se ka vështirësi praktike, në realizimin e një ndërmarrjeje të tillë. Autorët dhe titullarët e të drejtave duhet që të japin autorizimin për çdo përdorim që do t’u bëhet veprave të tyre dhe, që të realizohet kjo, duhet që titullarët e të drejtave të lidhin marrëveshje me çdo përdorues. Nëse këto marrëveshje nuk lidhen, përdoruesit do të ndodhen në një situatë ku nuk mund të përdorin veprat, ose t’i përdorin në shkelje të të drejtës së autorit. Një situatë e tillë është e papranueshme, si për titullarët e të drejtave, ashtu dhe për përdoruesit. Mirëpo, sado e papranueshme, kjo situatë është e pashmangshme për shkak se një titullar të drejtash nuk i ka mundësitë teknike të mjaftueshme për të mbrojtur veprën e tij dhe se, nga ana tjetër, është e pamundur që të vendosësh një bllokim të plotë dhe automatik të përdorimit të veprave nga përdoruesit. Format e shumta të përdorimit dhe qarkullimi shumë i shpejtë i veprave si pasojë e masivitetit të përdorimit të teknologjive të informaionit, vështirësojnë së tepërmi gjurmimin e plotë të qarkullimit të veprës, akoma më tepër nëse ky gjurmim bëhet nga një autor i vetëm dhe pa mbështetje. Për këtë arsye, ajo që thamë më sipër, pra e drejta që ka autori për t’i shfrytëzuar vetë veprat, njeh disa kufizime, të cilat janë të parashikuara në ligj, pikërisht si pasojë e ndërgjegjësimit dhe pranimit të një situate ku menaxhimi individual është pothuajse i pamundur.
Në këto kushte, roli dhe funksioni i agjencive të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit, si entitete ku mund të takohen interesat e autorëve dhe përdoruesve, merr një rëndësi shumë të madhe. Nëpërmjet kontratave që titullarët e të drejtave lidhin me agjencitë, ata jo vetëm që bëhen anëtarë të tyre (dhe kështu, rrjedhimisht, kanë të drejtë të kontrollojnë aktivitetin e tyre, gjë që garantohet në ligj), por edhe e autorizojnë atë që të lidhë kontrata me përdoruesit e veprave, si dhe të mbledhë shpërblimet, në emër dhe për llogari të titullarëve të të drejtave. Gjithashtu, agjencitë e menaxhimit kolektiv janë të habilituara nga ligji që të kryejnë “administrimin (menaxhimi) kolektiv të detyrueshëm”, që do të thotë se për disa përdorime të caktuara, përdoruesit janë të detyruar që të kontaktojnë këto agjenci në lidhje me veprat që përdorin për raste të tilla si komunikimi i veprave muzikore në ambiente publike ose tregtare (dyqane, restorante, lokale, evente publike), janë të detyruar të paguajnë shpërblimin dhe gjithashtu, këto agjenci kanë të drejtë të kontakojnë përdoruesit dhe të kërkojnë prej tyre pagesën e tarifës së shpërblimit për veprat që ata përdorin. Në kuadër të aktivitetit të tyre, menaxhimi kolektiv duhet të ketë mbështetjen e autoriteteve publike të përcaktuar në ligj për të kontrolluar zbatimin e tij në tregun shqiptar. Nga këto që thamë, dalin disa probleme, të cilat mund t’i përmbledhim si në vijim. Së pari, nevoja e ndërgjegjësimit të aktorëve të fushës. Autorët dhe në përgjithësi, titullarët e të drejtave duhet të ndërgjegjësohen për të drejtat që kanë dhe për potencialin ekonomik të madh që ato përfaqësojnë. Në këtë aspekt, ata duhet të bashkohen dhe të nxisin autoritetet publike që të jenë më të vëmendshme ndaj të drejtave të tyre dhe zbatimit të ligjit. E kush më mirë se një agjenci që bashkon brenda saj të gjithë ose të paktën, shumicën e autorëve dhe titullarëve të të drejtave. Së dyti, ndërgjegjësimi i përdoruesve. Këta të fundit duhet të kuptojnë se përdorimi i veprave në ambientet e tyre nuk mund të vijojë në shkelje të të drejtës së autorit. Situata me përdoruesit është paradoksale sepse, nga njëra anë askush prej tyre nuk kundërshton faktin se vepra është një aset, një pronë e karakterit krijues, por që në fund të fundit, është një pronë si çdo pronë tjetër dhe kësisoj, përdoruesit nuk mund të përdorin ose disponojnë lirisht por ndërkohë, nga ana tjetër, tregojnë shumë pak gatishmëri për të kompensuar përdorimin masiv të veprave në ambientet e tyre. Një situatë e tillë paradoksale mund të ketë shkaqet e saj, që deri diku janë të justifikueshme. Një prej tyre lidhet me shumën e tarifës së shpërblimit për përdorimin e veprës, një tjetër është dhe mosnjohja e sistemit dhe funksionimit të menaxhimit kolektiv. Për rastin e dytë, duhet t’i rikthehemi vërejtjes së ndërgjegjësimit, për të cilin ende nuk është bërë një fushatë e qënësishme dhe e plotë. Për sa i përket të parës, pra shumës së tarifës që duhet të paguajë përdoruesi, nevojitet të bëhet një transparencë e plotë e mënyrës së vendosjes së tarifave. Kjo mënyrë duhet të marrë në konsideratë kushtet e secilit përdorues. Transparenca në vendosjen e tarifave do të ndihmonte në gjetjen e një ekuilbri ndërmjet interesave të përdoruesve (secili të paguajë sipas përdorimit që bën) dhe interesave të autorëve. Në kushtet e sotme ekonomike dhe sociale që kalon Shqipëria, autorët duhet të pranojnë se ekuilibri duhet të jetë pak i çekuilibruar në disfavor të autorëve, që do të thotë se në përcaktimin e tarifave duhet vënë theksi mbi kushtet ekonomike me të cilat përballet një përdorues mesatar në Shqipëri. Në fund të fundit, e rëndësishme është që përdoruesi të shpërblejë autorin, në radhë të parë si një gjest pozitiv drejt pranimit të ekzistencës së një të drejte të cilën përdoruesi nuk mund ta shkelë dhe, në radhë të dytë, autorëve t’u njihet në mënyrë të plotë e drejta e tyre mbi çdo përdorim të veprave të tyre. Gjithashtu, është e rëndësishme që përdoruesit që nuk kryejnë pagesën e tarifës së shpërblimit për përdorimin e veprave të kuptojnë se janë në shkelje të ligjit dhe për pasojë, do të duhet të ballafaqohen me autoritetet kompetente të zbatimit të ligjit. Këto autoritete ekzistojnë, janë të parashikuara në ligj dhe i kanë mundësitë ligjore për të kryer funksionin e tyre.
Siç mund të kuptohet, kantieret janë ende të hapur dhe shumë punë mbetet për t’u bërë. Ku ka vullnet, ka dhe rrugëzgjidhje dhe ku ka rrugëzgjidhje, hapen horizonte të panjohura por me siguri shumë dobiprurëse për autorët, për sektorin e ekonomisë kulturore në Shqipëri dhe për të gjithë aktorët e tjerë të tij.
Av. Dr. Oltion Spiro
Leave a Reply