
Para pak kohësh, RTSH njoftoi se kishte hapur kanalin e saj në YouTube të quajtur “RTSH Arkiv”. Qëllimi i hapjes së këtij kanali, sipas njoftimeve që ende vijojnë dhe sot të publikohen në stacionet televizive të RTSH, është krijimi i mundësisë që teleshikuesit të kenë akses në çdo kohë dhe falas në arkivën e zgjeruar të RTSH, nëpërmjet një platforme të lehtë për t’u përdorur (“miqësore”, do të thoshin anglosaksonët) për ta.
Qëllimi është i mirë. Publiku duhet të njohë dhe të ketë mundësinë të shikojë, dëgjojë dhe kuptojë se, edhe në kohë të vështira, ka pasur përpjekje të mira për krijimin e kulturës popullore të një niveli të mirë, që mbetet referim edhe sot.
Problemi qëndron te lehtësia me të cilën RTSH e kupton konceptin e arkivës. Logjika e thjeshtë do të donte që arkiva të përbëhej nga materiale të prodhuara ekskluzivisht nga RTSH ose nga materiale të cilat, juridikisht i kalojnë RTSH në pronësi ose në administrim. Mirëpo, nga njoftimi i RTSH, kutpohet që nuk është kështu. Në RTSH Arkiv përmbahen materiale të cilat nuk janë as prodhim i RTSH dhe as nuk janë nën administrimin e saj, konkretisht, filma dhe pjesë teatri, për të cilat RTSH nuk ka të drejtë ligjore që t’i japë vetes të drejtë t’i transmetojë ato, e le më t’i vendosë ato në dispozicion të publikut nëpërmjet digjitalizimit dhe hedhjes në kanalin e YouTube.
Në kuptimin juridik, RTSH ka komunikuar në publik vepra, ose me fjalë të tjera, ka ushtruar një prerogativë të mbajtësve të të drejtave të këtyre veprave: çështja që shtrohet është nëse RTSH ka vepruar në përputhje me ligjin apo i ka përvetësuar ato sipas parimit që mbretëron në mesin e transmetuesve (OSHMA) në Shqipëri “just because I can”? Kjo është një sjellje e rëndomtë që haset rregullisht në transmetuesit shqiptarë, por që nisur dhe zbatuar prej RTSH, faji është i dyfishtë.
I. Ku konsiston shkelja?
Shkelja është evidente, edhe pse nuk duket qartë me sy të lirë, si nga specialistët ashtu dhe profanët dhe faj në fakt nuk kanë, sepse, fatkeqësisht, po dalim nga dhjetëvjeçari i tretë i shekullit XXI dhe ende transmetuesit tanë që e mbajnë veten me të madhe, e ushqejnë veten duke keqpërdorur dhe vjedhur të drejtën e autorit dhe kështu, kontribuojnë me sukses në mbijetesën e lëmshit që dëmton pafund autorët dhe kulturën në përgjithësi. Megjithatë, do të mundohemi ta shpjegojmë shkurtimisht ku qendron shkelja.
Së pari, duhet kuptuar se çdo veprim që kryhet lidhur me një vepër (muzikore, audiovizuale, letrare e kështu me radhë, për referim, shih nenin 8 të ligjit 35/2016 për të drejtat e autorit) kërkon që personi që kryen këtë veprim të ketë këtë të drejtë, e cila mund të burojë nga ligji, por zakonisht nga kontrata, e cila mund të jetë një kontratë kalimi të drejtash autori, përdorimi (licencimi) e kështu me radhë. Asnjë veprim nuk kryhet pa u siguruar për vlefshmërinë juridike të tij. Në këtë kontekst, veprimi i hedhjes së materialeve në kanalin e dedikuar të RTSH në YouTube është ligjërisht, një vënie në dispozicion të publikut të veprave, e drejtë që i përket ekskluzivisht autorëve (të cilët mund ta kenë kaluar këtë të drejtë në një producent, për shembull për filmat, por që kjo e drejtë është specifikisht e shprehur në kontratë dhe për të cilën, autori do të marrë dhe shpërblimet përkatëse). Në fakt, RTSH sillet si një individ i ri që do të ketë sukses në rrjet dhe hap një kanal në YouTube për të hedhur videot që do të krijojë vetë me mjete rrethanore. Vetëm se ngjashmëria nuk ka të ndenjura ku të rrijë: RTSH ushqen kanalin e tij, ndër të tjera, me krijime të të tjerëve (filma, muzikë, shfaqje teatrale e kështu me radhë). Duhet thënë se RTSH nuk ka hapur vetëm kanalin RTSH Arkiv, por edhe kanalin RTSH Filma ku vihen në dispozicion filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”, filma që administrohen nga një entitet tjetër dhe jo nga RTSH. E njëjta situatë mund të thuhet dhe për muzikën.
Së dyti, veprimi në fjalë, pra vënia në dispozicion të publikut duhet të burojë nga një akt i qartë juridik, konkretisht një kontratë, me anë të të cilës mbajtësi i të drejtës e ka autorizuar RTSH që të kryejë një veprim të tillë. Puna e sektorëve që merren me licencimet është punë skrupuloze, e vështirë, por në fund të ditës, e bukur dhe mbi të gjitha, të siguron se veprimet që do të kryejë transmetuesi nuk shkelin të drejta, pra nuk janë burim i ndonjë telashi juridik civil dhe penal për ta. Por këtu vijmë sërish te çështja e paprekshmërisë në dukje që ekziston në favor të transmetuesve, që u jep atyre dorë të lirë të veprojnë si të duan.
Së treti, përdorimi i termit “arkiv” sjell keqkuptime të dukshme në sytë dhe veshët e publikut, sepse kur përdor këtë fjalë, të krijohet përshtypja se janë shpluhurosur ca shirita të vjetër dhe erdhi koha tashmë t’ia bëjmë ato të njohura publikut. Në fakt, këto shirita të vjetër nuk janë dhe aq të vjetër, mjafton të shikohen materialet. Së dyti, sado të vjetra, ato shirita përmbajnë materiale që mbrohen nga e drejta e autorit që mbetet në fuqi deri në 70 vjet pas vdekjes së autorit dhe së treti, ato shirita mund të jenë pronësi fizike e RTSH, por në to, ka vepra që nuk janë pronësi e vërtetë e RTSH.
Në fakt, sikur të ishte vetëm problemi i vënies në dispozicion të publikut. Në fakt, RTSH transmeton në valët e tij filma dhe muzikë pafund, për të cilat as nuk ka marrë autorizim dhe as nuk kryen ndonjë pagesë. Kjo dihet mirë, sepse autori i këtyre rreshtave merret me këtë punë çdo ditë. Të flasësh për shkeljet në YouTube kur RTSH shkel të drejtën në valët e veta është si të qahesh për shiun kur të ka bërë helaq breshëri. Por këto gjëra duhen thënë dhe me zë të lartë, sepse për shkak të këtyre ngatërresave dhe paligjshmërive që e kanë me sa duket kockën e fortë, Shqipëria nuk konsiderohet nga YouTube si një partner i besueshëm që të hapë më në fund programin e monetizimit të videove. Për të mos folur për sjelljen e paskrupullt të atyre që menaxhojnë kanalet e YouTube, por kjo është një çështje tjetër…
II. Çfarë duhet bërë
Shumë gjëra duhen bërë. Një nga të cilat është ndryshimi i qasjes së sektorit publik, marrë në tërësi, ndaj autorëve. Në fakt, televizionet publike mund të luajnë një rol me vlerë në rregullimin e tregut dhe në transparencën e përdorimit të veprave.
Doktrina botërore e të drejtës së autorit ka mbajtur një qëndrim të qartë këtu e 25 vite më parë në lidhje me rolin shumë të rëndësishëm të transmetuesve publikë në lidhje me zbatimin në mënyrë korrekte të legjislacionit për të drejtën e autorit. Në një terren shumë të vështirë siç është ai i OSHMA-ve, një autor e ka të vështirë të imponojë zbatimin e të drejtës së autorit. Shkaku është se transmetuesit kanë dy asa nën mëngë: mungesën e njohurive të mira juridike për mënyrën sesi zinxhiri i të drejtave trajtohet deri në transmetimin e një vepre në televizion dhe së dyti, transmetuesit kanë në dorë bërjen dhe zhbërjen e opinionit publik, një prerogativë që tashmë të gjithë ua njohin në praktikë dhe pakkush është në gjendje ta kundërshtojë. Në këtë kontekst, doktrina e huaj, sepse shqetësimet tona i kanë njohur dhe të tjerët më parë, ka identifikuar televizionet publike, për shkak të strukturës së kapitalit të tyre, përgjithësisht të kontrolluar nga shteti, si organizata që kanë interesin e tyre më të lartë jo vetëm të promovojnë kulturën dhe informacionin, por edhe të mbrojnë interesat e atyre që krijojnë. Nga praktika, është vënë re se në shumë vende, bazat janë hedhur nga ndërveprimi i suksesshëm i tre aktorëve: ministri (e kulturës), televizion publik dhe agjenci autorësh, për të përcaktuar mënyrën si do të funksionojë marrja e autorizimeve dhe pagesa e shpërblimit të të drejtës së autorit. Ky lloj bashkëveprimi nuk zgjidh përfundimisht problemet e të drejtës së autorit, por ndihmon në hedhjen e bazave të shëndosha, për të cilat Shqipëria ka shumë nevojë. Dhe do të vijojë të ketë sepse ky lloj bashkëpunimi gati institucional nuk duket ende në horizont…
III. RTSH Arkiv është një pikë ujë në oqeanin e shkeljeve
Po flasim për RTSH, por çfarë duhet të themi për the “Big Three” (Top-Channel, Klan, Vizion Plus) dhe për tërë batalionin e transmetuesve dhe ritransmetuesve që veprojnë në Shqipëri? Të thuhet se me daljen nga dhjetëvjeçari i tretë i shekullit të XXI, jemi ende si në fillim të viteve ’90 të shekullit XX është një eufemizëm. Situata duhet të ndryshojë dhe ndoshta dhe po ndryshon. Hyrja e premtuar ne BE e Shqipërisë mund të përshpejtojë lëvizjet e ndryshimit dhe futjes së të gjithë aktorëve të të drejtës së autorit në orbitën e të drejtës së autorit. Por pa një mobilizim të të gjithë të interesuarve, futja në orbitë do të jetë e ngadaltë dhe jo domosdoshmërisht e suksesshme.
O.S.
Leave a Reply