Si sot, 10 vjet më parë, molla më e famshme e shekullit humbi bashkëthemeluesin e saj. Në atë kohë, vdekja e Steve Jobs nuk la indiferent askënd, aq i padiskutueshëm ishte impakti i veprimtarisë së tij krijuese në fushën e teknologjisë dhe për pasojë, në përditëshmërinë tonë. Sigurisht, askush nuk është i pakritikueshëm dhe, me kalimin e kohës, kritikat ndaj tij i zunë vendin instinktit gjenial të kuptimit dhe të interpretimit të njerëzimit dhe drejtimit që po merrte. Me kalimin e kohës, edhe kompania e tij u përball me lumin e kritikave, të ngritura me të drejtë, sidomos në lidhje me problemin e akumulimit të të dhënave personale si dhe probleme të tjera, të cilat janë vënë në shënjestër nga autoritetet rregullatore si në Europë dhe SHBA.
Megjithatë, po të kthehemi në kohë, këto shqetësime, ndonëse të pranishme, nuk arrinin të zbehnin admirimin botëror për progresin e jashtëzakonshëm teknologjik që përfaqësonte molla e Steve Jobsit. Në këtë kontekst, pothuajse të gjithë organet e shtypit e nderuan figurën e tij. Në mënyrë të veçantë (dhe pak të papritur) edhe gazeta franceze me tendenca të majta “Libération” (shih foton).
Vetë krijuesit e kësaj balline, ishin të ndërgjegjshëm se po përshtatnin markën e Apple-it, nëpërmjet një hapi krijues që, sipas tyre jepte idenë e mbarimit të një epoke. Një përshtatje e tillë përbënte një përdorim të paautorizuar të markës ekzistuese dhe për këtë autorët e saj ishin tërësisht të ndërgjegjshëm.
Impakti që pati kjo ballinë në opinionin publik ishte i jashtëzakonshëm. Artistët kishin arritur më së miri qëllimin e tyre, duke krijuar një vepër, nisur nga një markë ekzistuese, për të dhënë një mesazh pa përdorur asnjë fjalë (siç shihet, ballina nuk përmban asnjë fjalë).
Disa ditë më vonë, sipas vetë autorëve, redaksia e Libération mori një telefonatë nga Apple. Mendimi i parë që u kaloi nëpër mend ishte se kundër gazetës do të fillonin kokëçarjet e një procesi gjyqësor të pafund, të kushtueshëm dhe rrënues për imazhin e gazetës. Por jo! Zyrtarët e Apple kërkonin thjesht “autorizimin” për të përdorur veprën e prejardhur, për ta vendosur në formë homazhi në shërbimet e Apple Store!
Jo vetëm që Apple nuk ngriti asnjë pretendim, por, përkundrazi, njohu autorësinë dhe origjinalitetin e veprës. Përndryshe nuk mund të shpjegohej kërkesa për dhënien e “autorizimit”. Disa mund të thonë që në situata të jashtëzakonshme, ka sjellje të jashtëzakonshme. Në situata më normale, fjalën do e kishin ekipet juridike të Apple. Megjithatë, në një aspekt më ngushtësisht juridik, ky rast tregon më së miri karakterin subjektiv të marrëdhënies pronësore mes objektit dhe mbajtësit të të drejtave mbi objektin. Ai dhe vetëm ai vendos kufijtë e përdorimit nga të tretët të objektit të tij dhe ky qëndrim do të vlejë gjithmonë, përtej çdo anekdote të bukur.
Oltion Spiro
Leave a Reply