Më datë 20 tetor 2020, Departamenti Amerikan i Drejtësisë paraqiti një kërkesë ankimore në Gjykatën e Distriktit të Kolumbias, kundër shoqërisë Google, me objekt mbajtjen në mënyrë të paligjshme të monopoleve në tregjet e kërkimeve online, të reklamimit të kërkimeve online, nëpërmjet praktikave përjashtuese dhe antikonkurruese.[1]

Një goditje e tillë ishte e pritshme nga ana e shtetit amerikan. Duhet thënë se Komiteti për çështjet gjyqësore, i Dhomës së Përfaqësuesve, me anë të nënkomitetit të tij për çështjet e konkurrencës[2], çeli një hetim në qershor 2019 kundër praktikave të gjigandëve të teknologjisë, posaçërisht në lidhje me praktikat e tyre tregtare dhe me mënyrën si këto praktika ndikojnë mbi ekonominë dhe demokracinë në SHBA.[3] Sipas përfundimeve të nënkomitetit, u provua se këto firma përdorin “dominimin e tyre në mënyrë që shkatërrojnë sipërmarrjen, degradojnë privatësinë e amerikanëve në internet dhe minojnë gjallërinë e shtypit të lirë dhe të larmishëm”. Rezultati është më pak inovacion, më pak zgjedhje për konsumatorët dhe një demokraci më e dobët.[4]

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe në Europë, vala anti-Google, tashmë e filluar prej kohësh, vijon rrugën e saj, tashmë e sigurt se gjërat do të ndryshojnë. Siç dihet, në vitin 2018, Komisioni Europian, në kuadër të kompetencave të veta, gjobiti Google me 4,3 miliardë Euro për shkak të abuzimit me pozitën dominuese të tij në treg.[5] Arsyeja ishte se Google nuk lejonte që sistemi i tij i shfrytëzimit të aplikacioneve, Android, të përdorte motorët e tjerë të kërkimit, si për shembull DuckDuckGo ose Ecosia (përveç të vetit, pra Google Search).[6] Në fakt, praktika e padrejtë tregtare e Google qendronte në faktin se prodhuesit e celularëve detyroheshin nga Google, në forma të ndryshme, që në sistemin e shfrytëzimit Android të vendosur në celular në momentin e prodhimit të tyre, të vendoseshin aplikacione të tjerë të Google në mënyrë ekskluzive, si për shembull (dhe kryesisht) Google Search.

Google tentoi që ta rregullonte këtë çështje me anë të sistemi të quajtur choice screen, që në fakt, nuk është gjë tjetër veçse një ankand, në të cilën marrin pjesë ofrues të tjerë të motorëve të kërkimit, të cilit, në bazë të çmimit të ofruar në ankand fitojnë mundësinë të futen në listën e motorëve të kërkimit në një celular dhe që, përdoruesit mund të zgjedhin vetë se cilin do të përdorin.[7]

Mirëpo dhe kjo praktikë po njeh limitet e saj. Ofruesit e tjerë të motorëve të kërkimit, konkurrentë të Google, kanë ngritur zërin dhe i janë drejtuar Komisionit Europian, që të shprehet sërish në lidhje me praktikën e choice screen, duke ngritur kryesisht pretendimin se çmimet e zbatuara pësojnë veçse rritje. Kjo përbën një barrierë që ndalon hyrjen në treg të tyre, praktikë e cila sipas këtyre ofruesve shihet si e padrejtë.[8]

Duket se kohës së identifikimit të Google me kërkimin në internet po i vjen fundi.[9] Ose jo. Gjithçka do të varet nga suksesi i pretendimeve të ngritura. Nuk mund të mohojmë dot lehtësinë që ofron Google për të gjithë përdoruesit e tij, por nga ana tjetër, nuk duhet anashkaluar dhe duhet pranuar se monopoli i krijuar mund të sjellë një orientim, qoftë dhe të pakërkuar, të dëshirave, kërkimeve dhe nevojave të përdoruesve në internet, sipas renditjeve të përcaktuara nga Google, bazuar në mekanizmat e tij, gjë që ngre shqetësimet e pranura dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA, të lidhura me barazinë në sipërmarrje, privatësinë e individëve dhe, në fund të fundit, me demokracinë.

OS


[1] https://www.justice.gov/opa/press-release/file/1328941/download

[2] House of Representatives (dhoma e ulët e Parlamentit)

[3] https://fm.cnbc.com/applications/cnbc.com/resources/editorialfiles/2020/10/06/investigation_of_competition_in_digital_markets_majority_staff_report_and_recommendations.pdf

[4] Id, faqe 7

[5] https://www.theverge.com/2018/7/18/17580694/google-android-eu-fine-antitrust

[6] https://www.lefigaro.fr/secteur/high-tech/les-moteurs-de-recherche-alternatifs-a-google-denoncent-ses-entorses-a-la-concurrence-20201027

[7] https://techcrunch.com/2019/08/02/google-to-auction-slots-on-android-default-search-choice-screen-in-europe-next-year-rivals-cry-pay-to-play-foul/

[8] https://www.lefigaro.fr/secteur/high-tech/les-moteurs-de-recherche-alternatifs-a-google-denoncent-ses-entorses-a-la-concurrence-20201027

[9] “Google is so dominant that “Google” is not only a noun to identify the company and the Google search engine but also a verb that means to search the internet.” (pika 6 e kërkesës ankimore të ngritur nga Departamenti Amerikan i Drejtëisë, cituar më sipër).