Dispozitat e drafit të Kodit Penal (“Kodi Penal”) të lidhura me të drejtën e autorit përmbahen në tre nene, konkretisht, nenet 928 (Plagjiatura), neni 929 (Ruajtja e kopjeve të paligjshme) dhe 930 (favorizimi i shkeljeve të të drejtës së autorit).

Neni 928 përmban në thelb një përkufizim të shkeljes të të drejtës së autorit, në mënyrë të veçantë, rreshtimin e veprimeve të cilat, pa autorizimin e autorit përbëjnë arsye për marrjen e masave si kundërvajtje penale ose burgim.
Në vijim, disa komente të shkurtra që mendoj se mund të kontribuojnë sadopak në diskutimet e hapura në lidhje me përmbajtjen e dispozitave të lidhura me të drejtën e autorit.
Terminologjia e përdorur në nenin 928 nuk përputhet në disa raste me ligjin special pë të drejtën e autorit (ligjin 35/2016). Konkretisht, fjala “plagjiaturë” nuk gjendet në ligjin 35/2016. Termi plagjiaturë mund të përdoret, por kërkon një përkufizim më të plotë. Historikisht, termi plagjiaturë është lidhur me përvetësimet e teksteve të shkruara. Në fjalor, fjala “plagjiaturë” përkufizohet si: “paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri sikur është e vetja; vepra e vjedhur në këtë mënyrë: e dënuan për plagjiaturë”. Në këtë kontekst, mund të përdoret termi “përvetësim (i padrejtë ose i paligjshëm)”, që e jep më mirë idenë e marrjes së punës krijuese të tjetrit dhe paraqitjen e saj si të vetën. Akti i përvetësimit nuk përmban vetëm shkelje të të drejtës pasurore të autorit, por edhe dimensionin moral (e drejta jopasurore), pra që puna krijuese e një autori të bëhet e njohur si puna e një tjetri (pra përvetësuesit), thënë ndryshe, do të kemi një fshirje të autorësisë dhe zëvendësimin e saj me një tjetër që nuk është autori. Në këtë kuptim, masa represive ndaj akteve të përvetësimit duhet të jetë më e fortë.
Sërish në lëmin e terminologjisë, vihet re se për të njëjtin një koncept, është përdorur terminologji e ndryshme: “vepër”, “shfaqje letrare, artistike ose shkencore”, “pronësi intelektuale”, “norma të mbrojtura nga pronësia intelektuale”. Mendojmë se përdorimi i togfjalëshit “vepër, sipas ligjit për të drejtat e autorit” mund të jetë terminologjia e duhur që përfshin në tërësi, të gjitha krijimet që përmbushin kriteret e përkufizimit ligjor për t’u konsideruar vepra.
E njëjta vërejtje dhe për termat “komunikimi publikisht” (që duhet të jetë “komunikimi në publik”).
Së treti, termi transformim duhet të zëvendësohet me termin “përshtatje”, siç është në ligjin 35/2016.
Së katërti, mendojmë se “ekzekutimi dhe interpretimi artistik” i një vepre duhet të parashikohet në një dispozitë të veçantë. Ekzekutimi dhe interpretimi lidhen me të drejtat e lidhura të të drejtës së autorit, konkretisht ato të artistëve interpretues dhe ekzekutues. Këto aktorë nuk kanë të drejta autori mbi krijimin, por kanë të drejta mbi interpretimin e tyre, të fiksuar në një fonogram (për dëgjim) dhe/ose një videogram (dëgjim dhe shikim). Në këto kushte, duhet të përcaktohet më qartë se për çfarë veprimesh bëhet fjalë dhe cilët janë aktorët (pra artistët interpretues dhe ekzekutues) që janë të prekur.
E njëjta vërejtje bëhet dhe për prodhuesit e fonogramit, prodhuesit të veprës audiovizuale dhe për agjencitë e shtypit. Të drejtat që kanë këto janë të drejta të lidhura me të drejtat e autorit dhe, në këto kushte, një shkelje ndaj materialit që ata kanë prodhuar duhet të njohë gjithashtu ndëshkimin penal. Nëse nuk parashikohet një dispozitë e tillë, lihet përshtypja se aktorët e mësipërm kanë të drejta autori mbi prodhimet e tyre, ose thënë ndryshe, përdorimet e paligjshme të prodhimeve të tyre përbëjnë shkelje të të drejtës së autorit, ndërkohë që nuk është e vërtetë: përdorimet e këtyre materialeve përbëjnë shkelje të të drejtave të tyre të lidhura respektive me të drejtën e autorit. Ose thënë edhe më ndryshe, nëse dispozita ligjore lihet kështu, Kodi Penal nuk u jep mundësi këtyre aktorëve që të dënojnë shkelësit e prodhimeve të tyre.
Së pesti, mendojmë se togfjalëshi “pa autorizimin e mbajtësve të të drejtave përkatëse ose personave të autorizuar prej tyre” (neni 928, pika 1) duhet të rishkruhet si vijon: “pa autorizimin e mbajtësve të të drejtave dhe agjencive të administrimit kolektiv” (duke patur parasysh vërejtjen e mësipërme, pra që të jetë bërë ndarja e “të drejtave përkatëse”, në të drejta autori dhe të drejta të lidhura me to. Futja e personave “të autorizuar prej mbajtësve të të drejtave të autorit” në tekst krijon një amulli, për shkak se këta persona përbëjnë një kategori shumë të gjerë që nuk nënkupton domosdoshmërisht se i autorizuari ka tagrat e plota të marra nga mbajtësi i të drejtave për qëllimet e dhënies së autorizimit për përdorimin e veprës. Një mundësi tjetër do të ishte që të thuhej vetëm “në shkelje të të drejtave të autorit”, gjë që ka meritën e thjeshtësimit dhe të lidhjes më direkte me veprimin e kryer nga shkelësi.
Së fundi, fjalia e parë e pikës 2 të nenit 928: “Ndihma në mënyrë aktive, jo thjesht teknike, e aksesit ose gjetjes në internet të veprave ose shfaqjeve që i nënshtrohen pronësisë intelektuale”, duhet të rishikohet, sepse, nga mënyra si është shkruar, mënyra teknike e aksesit dhe gjetjes së veprave në internet është më e rëndë se mënyra aktive e përdorur për gjetjen e këtyre veprave. Së pari, duhet të jepen disa linja drejtuese që do të ndihmojnë se çfarë nënkuptohet me mënyrë aktive. Së dyti, ndihma në mënyrë teknike nuk duhet të ketë një kuptim gjithëpërfshirës ose automatik: një faqe ose një program kompjuteri mund të ndihmojë në përhapjen e informacioneve, por jo çdo informacion i përhapur përbën shkelje të të drejtave të autorit. Kjo pikë duhe parë e lidhur me ligjin për tregtinë elektronike, i cili përcakton se një veprim teknik nuk angazhon automatikisht përgjegjësinë e ofruesit të shërbimit dhe se rastet kur kjo përgjegjësi angazhohet, parashikohen në ligjin në fjalë. Në këtë kontekst, duhet të përkufizohet mirë “ndihma në mënyrë teknike” në aksesin e paautorizuar në vepër, në përputhje me ligjin për tregtinë elektronike (i cili, do të jetë me siguri objekt ndryshimesh, në mënyrë që të jetë në përputhje me rregulloren “Digital Services Act”).
Kodi Penal është një tekst ku reflektohen më së miri mutacionet e një shoqërie. Një Kod Penal i kohës së Zhaverit nuk mund të jetë njësoj me Kodin Penal të kohës së “Diellës”. Kodet penale sot përmbajnë dispozita që shkojnë përtej kuptimit klasik, duke pasur parasysh gamën më të gjerë të shkeljeve, për shkak të kompleksitetit të veprimtarive sociale, ekonomike dhe politike që zhvillohen në shoqëri. Në këtë kontekst, çdo dispozitë e Kodit Penal, e cila lidhet ngushtë me një ligj sektorial të caktuar, duhet të trajtohet me një kujdes dhe vëmendje të veçantë.
OS
Leave a Reply