Kthim prapa në 2012.

Historia e dorëshkrimit të librit të Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe” mund të mos merret vesh kurrë.  Ismail Kadare mund ta ketë dhuruar realisht atë, por mundet gjithashtu që dorëshkrimi të jetë ruajtur, me kërkesë të udhëheqjes, në një vend më të sigurt për arsye që mbeten të panjohura dhe më pas, ndoshta për forcë të zakonit, ndoshta për arsye se u kuptua se dorëshkrimi, për shkak të gabimeve ideologjike që përmbante, të merrej vendimi që të mos dilte më nga ajo arkivë.  Dorëshkrimi përfundoi në posedim të Nexhmije Hoxhës dhe kështu, autori i dorëshkrimit kërkoi kthimin mbrapsht, sipas tij, në zbatim të ligjit për të drejtën e autorit.

Gjykata e Tiranës vendosi në favor të Ismail Kadaresë, duke vendosur kthimin e dorëshkrimit.  Duhet thënë se gjatë procesit gjyqësor, dorëshkrimi iu kthye arkivit të shtetit, në mënyrë që debati “u fal, s’u fal” të vijohej në një mjedis më të qetë.

Gjithçka ka një pikënisje.  Dhe kjo histori e ka me çastin e kalimit të posedimit të dorëshkrimit nga duart e shkrimtarit në atë të Nexhmije Hoxhës.  Ky moment nuk ka për t’u zbardhur ndonjëherë, sepse ekziston mundësia reale që asnjëra prej palëve nuk dëshiron të zbardhë tërësinë e çështjes.  Por nëse do të hamendësojmë se çfarë mund të ketë ndodhur , do të na duhet të vendosemi përpara dy degëve të alternativës: ajo e faljes (ose i dhurimit) dhe ajo e “konservimit” ose ruajtjes së dorëshkrimit, që në fakt përbën, në sytë e ligjit, një sekuestrim të tij.

Në rastin e parë, pra nëse do të kishim qenë në pranin e një dhurimi të dorëshkrimit, a ka të drejtë Ismail Kadareja që të kërkojë kthimin e dorëshkrimit?  Përgjigja do të ishte “po por edhe jo” ose “është e komplikuar”. Kështu, pavarësisht se dorëshkrimi është dhuruar, duhet patur parasysh se, ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet autorit dhe veprës, që e tejkalon aktin e thjeshtë të dhurimit të veprës.  Kjo do të thotë se do të ketë gjithmonë një fërkim ndërmjet zbatimit logjik të të drejtës së kontratave, nga njëra anë dhe të drejtës së autorit, nga ana tjetër.  Ky fërkim vjen sepse një vepër ka një ekzistencë të dyfishtë: pjesën e saj krijuese, që gjenden në “botën e brendshme të autorit” dhe anën e saj materiale, ku kjo botë e brendshme materializohet. Nga njëra anë është ideja dhe nga ana tjetër është suporti ku materializohet ideja. Pa të dytën, e para nuk gëzon mbrojtjen e të drejtës së autorit (sipas parimit që idetë nuk mbrohen nga e drejta e autorit nëse nuk janë shprehur diku – me “diku” nënkuptojmë një suport ku kjo ide materializohet ose mishërohet). Dhe në këtë kontekst, duhet bërë ndarja midis pjesës fizike të dorëshkrimit dhe të drejtës së autorit mbi përmbajtjen e dorëshkrimit që përbën dhe veprën.  Nëse e para mund të disponohet lirisht nëpërmjet një kontrate dhurimi, e dyta (vepra që përmbahet në dorëshkrim), është më e komplikuar, për shkak të disa të drejtave që ligji ia jep autorit, me kusht që këto të drejtë të mos jenë realizuar asnjëherë.  Ligji parashikon të drejtën jopasurore të autorit (ose ndryshe të drejtën morale) që përfshin, ndër të tjera respektimin e tërësisë së veprës, vendosjen në vepër të emrit të autorit dhe atë që quhet e drejta e divulgimit ose e përhapjes së veprës, sipas së cilës autori gëzon të drejtën të vendosë nëse, në ç’mënyrë dhe kur vepra e tij do t’i paraqitet për herë të parë publikut.  Kjo është një dispozitë ligjore që ka për synim t’i tregojë autorit dhe të tjerëve se ai është zot i veprës së tij dhe se ai dhe vetëm ai duhet të vendosë çastin e publikimit të veprës.  Nëse dorëshkrimi përmbante elementë që nuk kanë qenë botuar më parë, pra që nuk janë bërë publike, mungesa e dorëzimit të dorëshkrimit përbën një shkelje të kësaj të drejte.  Por kjo nuk do të thotë se që të vihet në vend kjo e drejtë, dorëshkrimi duhet medoemos të dorëzohet.  Ekzistojnë mekanizma ligjorë dhe teknikë që lejojnë kopjimin ose dorëzimin përkohësisht të dorëshkrimit në duart e autorit në mënyrë që ai të ketë akses drejt veprës së tij dhe kësisoj ta kopjojë atë dhe të nisë procedurat e publikimit të veprës.  Në këtë mënyrë, respektohet e drejta e kontratave dhe kalimi i pronësisë të suportit fizik që është dorëshkrimi dhe vihet në vend e drejta e autorit e mohuar për kaq shumë vite.  Pra nuk do të ketë kthim fizik të dorëshkrimit, pasi është kryer kalimi i pronësisë nëpërmjet dhurimit, parim i sanksionuar nga urtësia popullore me shprehjen “gjëja që falet nuk kthehet”.  Por duke patur parasysh specifikën e të drejtës së autorit dhe të lidhjes së ngushtë midis veprës dhe autorit, do të menaxhohet një mënyrë që autori të ketë akses drejt veprës së tij.

Rasti i dytë është ai i konfiskimit de facto të veprës.  Nëse dorëshkrimi nuk është dhuruar, shitur ose nëse nuk ka kaluar pronësia e tij në asnjë nga format e parashikuara nga Kodi Civil, atëherë familja e Nexhmije Hoxhës është në situatë të tillë që e posedon atë pa të drejtë.  Nëse do të vërtetohet se jemi në një kontekst të tillë, atëherë do të gjenin zbatim të plotë parimet e Kodit Civil, përfshirë ato që lidhen me posedimin në keqbesim nga poseduesi jopronar i një sendi të luajtshëm.

Vendimi që u dha në favor të Ismail Kadaresë nuk shqyrtonte në themel çëshjet e mësipërme, të cilat, për mendimin tonë, do të ndihmonin në qartësimin juridik të parimeve të të drejtës së autorit dhe karakteristikave të veçanta të saj, përtej debateve të kuptueshme publike dhe politike që shoqërojnë kështu çështjesh.