https://ar.inspiredpencil.com/pictures-2023/ignorance-is-bliss

Jo, autor nuk është ai që këndon këngën dhe jo, kur paguan këngëtarin në shfaqje, nuk ke shlyer detyrimet që lindin nga përdorimi i të drejtës së autorit…

Nëse do të bëhej një sondazh, të paktë do të ishin ata që do të thoshin se kush është autor i këngës “Na lini të jetojmë”, i këngës “Banania” apo i këngës “Killing me softly”. Shumë pak veta do të ishin në gjendje t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje dhe jo për shkak të mungesës së kulturës muzikore apo të neglizhencës ndaj artistëve shqiptarë.

Kur publikohet një këngë, interpretuesi i saj do të marrë rolin kryesor, aq sa refleksi shumë i kuptueshëm i shumicës prej nesh është që të mendojmë se interpretuesi është dhe autori i vetë këngës. Një refleks i tillë nuk të habit, sepse kontakti që kemi me veprën kalon pothuajse ekskluzivisht nga zëri dhe performanca e interpretuesit. Madje, edhe në rastet kur vihemi në dijeni të autorëve të veprës (pra kompozitorit dhe poetët), si për shembull në Festivalin e RTSH-së, emrat e tyre do të harrohen (përveç rasteve kur autorët janë të njohur ose dhe interpretues, pra kantautorë).

Pra, ne si dëgjues të muzikës (ose në terma pak më modernë, “konsumatorë” të saj), nuk kemi asnjë detyrim që të njohim se kush qëndron prapa këngës, mjafton që ajo të na pëlqejë edhe pse, tregohemi të padrejtë duke ia veshur tërë meritat interpretimit dhe duke harruar se prapa saj, ka autorë, pa kontributin e të cilëve nuk do të kishte material për të interpretuar.

Kjo qasje, edhe pse e kuptueshme, ka krijuar premisa të rrezikshme të mohimit (për të mos thënë shkeljes) të ligjit të të drejtës së autorit nga ato kategori përdoruesish veprash që nxjerrin fitime nga përdorimi i tyre. Duke ndjekur këtë logjikë, haset tashmë rëndom nga bisedat dhe komunikimet me përdoruesit e veprave qëndrimi se përdorimi i veprës është tërësisht i ligjshëm për sa kohë përdoruesi ka paguar artistin (nënkupto interpretuesin) për interpretimin e tij në një spektakët, koncert (po e quajmë “event”). Kategoria e përdoruesve në fjalë është ajo e specializuar në organizimet e eventeve kulturoro-muzikore dhe e pronarëve të ambienteve të shërbimeve tregtare lokale dhe bare, për rastet kur në ato ambiente organizohen koncerte “live” por edhe për rastet e përgjithshme kur në ambientet e tyre tregtare transmetohet muzikë. Kjo kategori kapitalizon mbi vepra muzikore që luhen vazhdimisht në eventet e organizuara prej tyre. Nuk ka asgjë të keqe të kapitalizosh mbi këto vepra, përkundrazi, një aktivitet i tillë luan një rol të vyer në përhapjen e veprave në një publik sa më të gjerë dhe ndihmon në përhapjen dhe në ruajtjen e kulturës muzikore në vend. Dhe, kjo kategori përdoruesish ka dalë në mejdan për të fituar dhe shumë mirë kështu.

Megjithatë, kjo kategori, si dhe shume kategori të tjera përdoruese të veprave të autorit, kanë detyrime që lindin për shkak të përdorimit të veprave. Dikush e di një gjë të tillë nga eksperiencat që kanë patur me evente të organizuara jashtë Shqipërisë, dikush e di se është informuar për këtë punë, dikush nuk e di dhe dikush bën sikur s’di ose as që nuk do t’ia dijë dhe këmbëngul në këtë mohim të pakuptimtë, fyes dhe që rezulton në një përdorim të paligjshëm të veprave. Thelbi është që detyrimi që ata kanë lind nga një logjikë që, jo vetëm gjen mbështetje në ligj, por dhe në arsye, si juridike ashtu dhe ekonomike.

Vepra artistike është një pronë dhe si e tillë, askush nuk mund ta përdorë atë jashtë kufirit të autorizimit nga titullari i të drejtës mbi atë pronë. Konkretisht, personat që kanë të drejta mbi një vepër artistike të kënduar në një event janë autori, producenti dhe interpretuesi i saj parësor (me pak fjalë, me interpretimin e kujt është bërë e njohur vepra). Nëse një organizator eventi paguan vetëm artistin që ekzekuton veprën, ai është faktikisht shkelës i ligjit, sepse përdor një vepër (lexo pronë) pa të drejtë ose pa autorizimin përkatës, sepse interpretuesi thjesht interpreton, ai s’ka krijuar veprën dhe as nuk e ka prodhuar atë. Dikush mund të thotë: përse organizatori është shkelës dhe jo këngëtari që këndon një këngë për të cilën ai nuk ka të drejtë për ta kënduar? Përgjigja është e thjeshtë: sepse kështu e parashikon ligji. Dhe arsyeja përse e parashikon ligji kështu është edhe ajo mjaft e thjeshtë: organizatori i një eventi është ai që nxjerr fitime prej tij, është ai që mbikëqyr eventin, që ushtron në fakt kontrollin efektiv mbi të. Ai merr përsipër rreziqet sepse ai merr dhe përfitimet prej tij. Duke marrë përsipër rreziqet, ai merr përsipër dhe përgjegjësitë dhe një prej tyre, është përdorimi i ligjshëm i veprave artistike.

Që të përdorë veprën ligjërisht, organizatorit i duhet që të gjurmojë një zinxhir të gjatë kontraktor, në mënyrë që të gjejë titullarët e të drejtave, t’u marrë atyre autorizimin dhe në fund, t’i përdorë ato vepra rregullisht dhe ligjërisht. Sigurisht që një rrugëtim i tillë mund të dekurajojë çdo organizator eventesh, sikur ta zëmë për një çast se do e kishte ndarë mendjen se eventi i tij do të bëhej në pajtim me ligjin. Për të zgjidhur këtë koklavitje, ligji, bazuar në praktikat dhe legjislacionet e huaja tashmë të konsoliduara, parashikon ato që quhen agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave fqinje me të (të interpretuesve, producentëve e kështu me radhë). Ndër të tjera, këto agjenci sigurojnë komunikimin me përdoruesit dhe u japin atyre autorizimin për të përdorur veprat në mënyrë të ligjshme sa herë që të organizojnë evente.

Në ndryshim nga çfarë mund të mendojnë organizatorët, agjencitë janë entitete juridike të parashikuara në ligj, aktiviteti i të cilave rregullohet po me ligj, që përbëhen nga autorët, interpretuesit, producentët e kështu më radhë. Agjencitë i japin autorizimet në emër të tyre dhe përgjigjen përpara tyre, përfshi këtu dhe në lidhje me shpërndarjen e të ardhurave në favor të tyre. Agjencitë në fjalë kanë marrëdhënie reciprociteti me agjenci të huaja dhe për këtë arsye, ato përgjigjen dhe përpara tyre me autorët e huaj. Agjencitë veprojnë në bazë të licencës së lëshuar nga ministria e ngarkuar me cështjet e kulturës dhe kontrollohet prej saj. Thënë shkurt, agjencitë janë të pranishme për të ndihmuar përdoruesit që të marrin autorizimet sa më thjeshtë dhe pa koklavitje administrative, nëse kuptohet, nisemi nga premisa se përdoruesi e ka të qartë se pa këtë autorizim është duke shkelur ligjin (si penal ashtu dhe civil).

Sic shihet, edhe Shqipëria ka mundësinë të bëjë si gjithë bota së cilës ajo dëshiron t’i bashkohet. Kështu, secili ka mundësi të luajë rolin e vet në respekt të punës së tjetrit dhe të ligjit të të gjithëve: autorët të krijojnë dhe të paguhen rregullisht për punën e tyre, organizatorët të organizojnë eventet e tyre dhe shteti të kontrollojë gjithcka. Organizatorët e eventeve janë të mirëpritur të përmbushin e detyrën e tyre: ata jo vetëm do të kontribuojnë në trajtimin me dinjitet të autorëve (citimi i emrave të tyre si “artistë të mëdhenj” sa herë që u këndohen veprat nuk ka pikën e vlerës kur krijimi i tyre përdoret si mall pa zot), por edhe do të shmangin çdo sanksion të natyrës penale dhe civile, që çdo autor ka të drejtën legjitime që t’u kërkojë autoriteteve që t’i zbatojnë. Autorët e përmendur mnë fillim dëgjojnë krijimet e tyre të luhen çdo natë nëpër bare, lokale dhe në spektakle të ndryshme, shikojnë me gëzim sesi ua njohin tekstet dhe meloditë dhe sodisin të pafuqishëm në përdorimin e krijimeve të tyre, pa marrë asnjë përfitim, përveçse atij moral (kot nuk përdoret nëpër transmetime televizive fjalia “na dhuron emocione të jashtëzakonshme” kur flitet për një autor të një vepre të njohur).

Gjithçka ka një zgjidhje, gjithçka është e shkruar, mjafton që të zbatohet, në të mirë të të gjithë aktorëve të industrisë artistike, veçanërisht të krijuesve, pa të cilët nuk do të jemi dot në gjendje të kuptojmë varfërinë kulturore dhe emocionale në të cilën do të gjendeshim.

OS