Shteti vs. Platformat online

Këto ditë ka qarkulluar nëpër media lajmi se Google-i u gjobit sërish. Kësaj here, nga një autoritet kombëtar, Autoriteti francez i Konkurrencës, në shumën prej pesëqind milionë Euro.

Për çfarë bëhet fjalë dhe përse u gjobit Google-i?

Me Direktivën 790/2019, datë 17 prill 2019, për sa i përket të drejtës së autorit dhe të drejtat e lidhura me të në Tregun Unik Digjital, si dhe në lidhje me amendimin e Direktivave 96/9/KE dhe 2001/29/KE (“Direktiva 790/2019”), e drejta e BE-së u pasurua me një të drejtë të re, që varet nga e drejta e autorit (ose ndryshe e quajtur “e drejta fqinje me të drejtën e autorit”). Në bazë të kësaj të drejte (I) , botuesit e publikimeve të shtypit gëzojnë një të drejtë pasurore të lidhur me të drejtën e autorit të publikimeve të botuara në shtyp (II) . Kjo e drejtë nuk do të vlejë për të gjitha publikimet: ajo do të vlejë vetëm për publikimet on-line. Sigurisht, ajo mund të realizohet vetëm nëse “ofruesit e shërbimeve të shoqërisë së informacionit” do të pranojnë të luajnë rolin e tyre si përhapës të këtyre artikujve dhe botimeve, sipas përcaktimeve të Direktivës 790/2019; një rol të cilin Google-i, si njëri prej tyre, nuk pranon ta luajë dhe për këtë, u gjobit nga Autoriteti francez i Konkurrencës (III).

I. Çfarë janë të drejtat e lidhura me të drejtën e autorit

Të drejta të lidhura me të drejtën e autorit janë ato të drejta pjesë e orbitës të së drejtës së autorit: ato nuk mund të kenë një jetë të tyre autonome nëse nuk do të kishte një vepër të mbrojtur nga e drejta e autorit, sepse të drejtat e lidhura mbrojnë ato veprime, të cilat ndihmojnë në jetësimin e veprës.[1] Pra, që të kemi të drejta të lidhura, duhet të kemi një vepër që ekziston paraprakisht.

Disa të drejta të lidhura parashikohen në ligj, për shembull: e drejta e artistëve dhe interpretuesve, e drejta e producentëve të veprave audiovizuale, fonografike dhe ato të operatorëve të shoqërive audiovizuale. Siç mund të kuptohet nga kjo listë, kategoria e të drejtave të lidhura me të drejtën e autorit është një kategori heteroklite. E vetmja pikë lidhjeje ndërmjet tyre është fakti që secili prej këtyre aktorëve luan një rol vendimtar në jetësimin e veprës.

Përfshirja e kësaj kategorie në ligj është pjesë e një procesi dinamik dhe, për pasojë, është objekt i ndryshimeve në funksion të teknologjisë dhe aktorëve që kanë lidhje me autorin dhe veprën e tij.

Në këtë kuadër dhe, siç do e shtjellojmë më poshtë, krijimi i një të drejte të re të lidhur nga Direktiva 790/2019 nuk habit; përkundrazi është një përkthim logjik i nocionit të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të, brenda prizmit të konceptit pronësor të së drejtës së autorit dhe në kuadër të përhapjes gjithmonë e më të madhe të veprave në mjedisin digjital. Një ekstrakt artikulli i reklamuar nga Google përbën një përdorim të një vepre të mbrojtur nga e drejta e autorit, por ky artikull përbën një publikim shtypi; rrjedhimisht, Google-i nuk shfaq vetëm një ekstrakt të artikullit, por e bën atë duke përdorur faqen, logon, dizenjon e faqes së internetit, të shoqërisë së publikimit të shtypit.

Një zgjatim i tillë i së drejtës së lidhur u bë objekt i kritikave të shumta, për shkak se do të sillte, në analizë të fundit, një rritje të shpenzimeve të përdoruesve për të pasur akses drejt veprës. Megjithatë, një pohim i tillë mbetet për t’u vlerësuar, duke pasur parasysh që jo të gjitha vendet e kanë transpozuar këtë Direktivë.

II. Publikuesit e shtypit on-line dhe lidhja e tyre me të drejtën e autorit

Por për cilat publikime po flasim? Ato janë përkufizuar në Direktivën 790/2019. Sipas kësaj direktive, publikimet e shtypit përkufizohen si përmbledhje të përbëra kryesisht nga vepra letrare të natyrës gazetareske, por që mund të përfshijnë gjithashtu vepra të tjera, të cilat përbëjnë një njësi brenda një publikimi periodik ose të përditësuar në mënyrë të rregullt nën një titull unik, si për shembull një gazete ose një reviste me interes të përgjithshëm ose të posaçëm; ka për qëllim që t’i japë publikut të gjerë informacione në lidhje me lajmet ose çështje të tjera; publikohet në çdo media nën iniciativën, përgjegjësinë editoriale dhe kontrollin e ofruesve të shërbimit. Në mënyrë të përmbledhur, do të përbëjnë publikim çdo artikull shtypi, me kusht që të përmbushë kushtet e një vepre origjinale (në të kundërt, nuk do të kemi të bëjmë me një vepër që mbrohet nga e drejta e autorit dhe për rrjedhim, as për të drejta të lidhura me këtë vepër).

Ndaj kujt i kundrejtohet kjo e drejtë ose thënë ndryshe, kush duhet të paguajë për përdorimin e kësaj të drejte të lidhur? Direktiva 790/2019 detyron ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes së përmbajtjeve në linjë (ofruesit content sharing), kryesisht platformat e mëdha të rrjetit social, si: Google, Facebook, Twitter e kështu me radhë.

Çdo riprodhim ose komunikim i publikimeve nga ofruesit e shërbimeve content-sharing do të sjellë lindjen e së drejtës së lidhur të publikuesve të shtypit on-line (një pjesë e fitimeve do të shkojnë për autorin, sipas një mekanizmi që në vija të trasha është i ngjashëm me atë që vihet re mes autorit dhe producentit të veprave audiovizuale).[2]

Thënë ndryshe, duke u njohur një të drejtë të tillë publikuesve të shtypit on-line, në fakt, Direktiva krijon një detyrim mbi ofruesit e shërbimeve content-sharing, të cilët tashmë janë përballë detyrimit që ose të mos vendosin në sistemet e tyre të agregimit dhe referencimit, publikimet e shtypit on-line ose t’i vendosin me kusht që të respektojnë të drejtën e lidhur të publikuesve për këto botime.

Duke qenë se ofruesit e shërbimeve content-sharing (ndryshe platformat e mëdha digjitale) do të kryejnë një akt komunikimi ose riprodhim të artikujve të shtypit on-line, ata do të kryejnë në fakt një akt të parashikuar në Direktivën 2001/29, që, nëse nuk është i autorizuar nga publikuesit e shtypit on-line, do të përbëjë një shkelje të së drejtës së lidhur me të drejtën e autorit (si dhe, aksesorisht, të së drejtës së autorit).

Për këtë arsye, Google dhe sivëllezërit e tij janë të detyruar që të hyjnë në marrëveshje me shoqëritë e publikimit të shtypit, në mënyrë që të përcaktojnë marrëdhëniet që do të kenë në të ardhmen në raport me përdorimin e këtyre veprave të mbrojtura dhe në mënyrë të veçantë, me të drejtat e lidhura të publikuesve të shtypit.

III. Marrëveshja me publikuesit dhe problemet që lidhen me konkurrencën

Me ligjin e datës 24 korrik 2019, Franca përafroi legjislacionin e saj me Direktivën 790/2019. Në këtë kuadër, një nga synimet e këtij ligji është krijimi i kushteve për negociata të ekuilibruara ndërmjet publikuesve të shtypit dhe platformave digjitale të content sharing.[3] Google vendosi në mënyrë të njëanshme që, në shërbimet e tij, nuk do të shfaqeshin më ekstraktet e artikujve (Google Search, Google Neës dhe Google Discovery), nëse nuk do të marrë autorizimin nga publikuesit për t’i shfaqur ato me kushtin që një gjë e tillë të bëhet falas.[4]

Nga pikëpamja praktike dhe para hyrjes në fuqi të ligjit transpozues të Direktivës 790/2019, shumica e publikuesve të shtypit kanë pranuar që t’i japin Google-it licenca për përdorimin e shfaqjes së vepra të mbrojtura të shtypit, pa qenë në kushte për të diskutuar kushtet nëpërmjet negociatave (pasojë e mungesës ligjore që e ndreqi Direktiva 790/2019). Për pasojë, publikuesit e shtypit iu drejtuan Autoritetit të Konkurrencës me një kërkesë për të gjykuar çështjen në themel, si dhe për marrjen e masave të përkohshme me qëllim që të detyrojnë Google-in që të hyjë në negociata në mirëbesim në lidhje me shpërblimin për përdorimin e artikujve.

Autoritetet e Konkurrencës shqyrtojnë rastet kur shoqëritë merren vesh për të penguar, kufizuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg dhe rastet kur një shoqëri abuzon me pozitën e saj dominuese në treg.  Në rastin konkret, Autoritet i Konkurrencës konstatoi se tregu në fjalë ishte ai i motorëve të kërkimit të përgjithshëm on-line, në të cilin Google zotëron 90% të tij. Rrjedhimisht, Google ka një pozitë dominuese në këtë treg. Mirëpo, fakti që një shoqëri ka një pozitë dominuese nuk është në vetvete një shkelje e rregullave të konkurrencës: çështja është se çfarë bën dhe si vepron nisur nga kjo pozitë dominuese.[5] Në këtë kontekst, abuzimi me të përbën një shkelje të rregullave të konkurrencës dhe mund të dënohet me një gjobë që shkon në proporcion me shkeljen e kryer.[6]

Autoriteti francez i Konkurrencës, në prill 2020, vendosi të marrë masa të përkohshme ndaj Google-it, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar (vendimi i korrikut 2021). Kundër këtyre masave, Google-i paraqiti padi përpara Gjykatës së Apelit të Parisit, e cila e rrëzoi atë, duke ndjekur argumentet e Autoritetit të Konkurrencës. Kushtet kishin të bënin me fillimin e negociatave në mirëbesim në lidhje me përcaktimin në mënyrë transparente të shpërblimeve të parashikuara në ligj (në bazë të Direktivës së transpozuar) për të drejtat e lidhura të publikuesve të shtypit. Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se fryma e mirëbesimit nuk u respektua nga Google-i: ai refuzoi të diskutonte në lidhje me vetë specifikën e shpërblimeve, si dhe refuzoi të përfshinte në diskutime publikimet që vijnë nga publikimet e shtypit politik dhe me karakter të përgjithshëm, ndërkohë që kjo kategori qëndron në themel të Direktivës 790/2019. Nëse nuk do të pranoheshin kushtet e Google-it, këto grupe publikuesish rrezikojnë “dereferencimin”, për pasojë, të mos reklamoheshin nga Google-i po aq sa ato grupe që do të pranonin kushtet e Google-it (kushte, të cilat nuk kanë ardhur prej negociatave në mirëbesim).

Duke pasur parasysh xhiron e Google-it, si dhe shkeljen e rëndë të tij në raport me publikuesit e shtypit, gjoba rezultoi në shifra shumë të mëdha. Çështja është nëse këto gjoba do të kenë fuqinë e mjaftueshme disuazive që Google-i të respektojë rregullat e reja të lojës.

O.S.

(foto marrë nga https://www.seroundtable.com/google-french-search-results-snipets-28420.html)


[1] C. Caron, Droit d’auteur et droits voisins, LexisNexis, Manuel, botimi i tretë, 2013

[2] Sipas Direktivës 790/2019, të drejtat e lidhura të përshkruara në të nuk zbatohen për publikimet e shtypit të botuara për herë të parë përpara datës 6 qershor 2019.

[3] https://www.autoritedelaconcurrence.fr/fr/communiques-de-presse/droits-voisins-lautorite-fait-droit-aux-demandes-de-mesures-conservatoires

[4] Id.

[5] Pozita dominuese e Google-it rezulton dhe prej qëndrimin që mban në lidhje me ekstraktet e artikujve. Kështu, siç rezulton nga Vendimi i Gjykatës së Apelit të Parisit, Google e justifikonte mospagesën për përdorimin e ekstrakteve të artikujve duke thënë se i reklamonte ato si snippets (pra si ekstrakte të shkurtra) që, në bazë të parimeve të së drejtës së autorit (dhe parashikimeve të Direktivës 2001/29) përbëjnë citime dhe përjashtohen nga mbrojtja e të drejtës së autorit. Një qëndrim i tillë abuziv u konstatua nga Gjykata, për shkak se rregulla përjashtimore, e kthyer në rregull të përgjithshme në mënyrë abuzive, i përjashtonte publikuesit e shtypit nga marrja e shpërblimit të drejtë, në bazë të së drejtës së lidhur, e njohur kjo me Direktivën 790/2019 (https://www.autoritedelaconcurrence.fr/sites/default/files/appealsd/2020-10/ca_20mc01_oct20.pdf, paragrafi 99).

[6] Duke pasur parasysh se gjoba do të vendoset në bazë të xhiros (deri në 10% të saj) dhe për këtë, grada e shkeljes do të ketë një rëndësi shumë të madhe.