Në fund shtatori të këtij viti, Netflix do të publikojë një përshtatje audiovizuale të veprave të shkrimtares amerikane Nancy Springer, e cila, bazuar në veprat e Sir Arthur Conan Doyle mbi aventurat e Sherlock Holmes-it, ka imagjinuar një personazh të ri, Enola Holmes, motra e detektivit të famshëm (Enola Holmes Mysteries), që është dhe personazhja kryesore.
Sir Arthur Conan Doyle-i është autori i gjashtëdhjetë veprave me personazhe kryesorë Sherlock Holmes-in dhe ndihmësin e tij, Dr. Watson, të shkruara ndërmjet viteve 1887 dhe 1927. Pesëdhjetë të parët janë bërë pjesë e domenit publik, për shkak se është tejkaluar periudha ligjore e mbrojtjes së tyre.
Dhjetë të tjerat që nuk janë bërë pjesë e domenit publik, pra që vijojnë të gëzojnë mbrojtjen e të drejtës së autorit janë shkruar nga viti 1923 deri në vitin 1927.
Mbajtësit e të drejtavr të Arthur Conan Doyle-it (Conan Doyle Estate Ltd) ka paditur Nancy Springer për shkelje të të drejtës së autorit[1], për arsyet e mëposhtme.
Veçantia e kësaj çështjeje është se Nancy Springer (e Paditura) nuk ka përshtatur elemente të veprave të Arthur Conan Doyle-it, qofshin ato të domenit publik ose të mbrojtura nga e drejta e autorit. Sipas Palës Paditëse, autorja e librave përshtatës ka marrë elemente dalluese të karakterit të personazhit kryesor të veprave të Conan Doyle-it, të cilat gjenden vetëm në dhjetë veprat e tij të mbrojtura nga e drejta e autorit.
Kështu, në veprat e rëna në domenin publik, përshkruhet një Sherlock Holmes shumë të kujdesshëm ndaj detajeve dhe me aftësi analitike jashtë të zakonshmes, veti këto që e ndihmojnë atë të zbulojë autorët e krimeve, shumë përpara se të shpalosë publikisht deduksionet e tij. Mirëpo, karakterit të tij, po në këto vepra të rëna në domenin publik, i mungon totalisht empatia: ai është një personazh i ftohtë, antipatik dhe aspak i interesuar për jetën e njerëzve që e rrethojnë. Njerëzit që jetojnë dhe punojnë me të (në radhë të parë Dr. Watson) e kanë pranuar ashtu siç është, pavarësisht tentativave të shumta për t’i ndryshuar pak kursin.
Por diçka e rëndësishme ndryshon në dhjetë veprat e tij të fundit të Arthur Conan Doyle-it. Ai përshkruan një Sherlock Holmes me trajta karakteri pak më të buta, më simpatik dhe më të kujdesshëm ndaj njerëzve që e rrethojnë, në mënyrë të veçantë mikun dhe bashkëpunëtorin e tij Dr. Watson.
Ky ndryshim kursi, sipas paditësit, është bërë vetëm në dhjetë veprat e fundit dhe kjo për një arsye objektive që ka rënduar mbi jetën e Arthur Conan Doyle-it. Këto dhjetë vepra janë shkruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, në të cilën ai humbi djalin dhe vëllain e tij. Këto ngjarje influencuan në punën krijuese të autorit dhe një nga pasojat ishte dhe përshkrimi i një personazhi kryesor më human.
Ku qendron shkelja e pretenduar? Nëse përdorimi i personazheve të Sherlock Holmes-it është i lirë, për shkak se periudha e mbrojtjes ka përfunduar (ato janë, së bashku, me veprat e para, pjesë të domenit publik), sipas paditësit, trajtat e karakterit jo, për shkak se ato kanë ndryshuar: në një moment të parë, kemi një Sherlock Holmes antipatik (domen publik) dhe në një moment të dytë, kemi një Sherlock Holmes empatik (veprat që gëzojnë ende mbrojtjen e të drejtës së autorit).
Në këtë kontekst, paditësi ka konstatuar se e paditura (autorja e librave përshtatës) ka përdorur trajtat e karakterit të Sherlock Holmes-it të cilat gjenden në grupin e dytë të veprave të Conan Doyle-it. Pavarësisht se situatat e përshkruara nga ajo nuk janë kopjime ose përdorime të situatave të përshkruara në librat Conan Doyle-it, ato megjithatë, përshkruajnë një Sherlock Holmes njerëzor, ashtu sic është përshkruar në veprat që gëzojnë ende mbrojtjen. Kështu, librat përshtatës përshkruajnë një Sherlock Holmes që shqetësohet për zhdukjen e motrës së tij Enola, ose për rrëmbimin e Dr. Watsonit, në një dialog me gruan e këtij të fundit, situata të ngjashme për nga empatia e treguar me situatat e përshkruara në librat që e Conan Doyle-it që gëzojnë ende mbrojtje.
Situata është shumë e vecantë. Asgjë nuk e ndalon asnjë autor që të përdorë personazhin e Sherlock Holmes-it, por nga ana tjetër, jo cdo lloj Sherlock Holmes-i mund të jetë objekt i një përdorimi të lirë. Kompleksiteti qendron në faktin se i njëjti personazh është përshkruar me karakteristika të ndryshme në dy periudha të ndryshme. Nëse ndjekim logjikën e Paditësit, nga pikëpamja e të drejtave dhe, nëse e konsiderojmë personazhin si një objekt të të drejtave, do të kemi në fakt një objekt të përshkruar në trajta të ndryshme ose thënë ndryshe, dy objekte të ndryshme, për shkak se secili prej tyre mund të ketë origjinalitetin e tij. Nëse nuk do të ekzistonin librat e pas Luftës së Parë Botërore, cdokush do të ishtë i lirë të përshtaste Sherlock Holmes-in e tij[2], për shkak se të vetmet vepra ekzistuese do të ishin ato të cilat kanë rënë në domenin publik.
Sigurisht, cështja është duke u shqyrtuar dhe nuk mund të arrijmë në përfundime paraprake. Vepra audiovizuale bazuar në librat e autorës përshtatëse do të fillojnë të shfaqen në Netflix në 23 shtator. Nëse palët nuk do të kenë arritur në marrëveshje jashtëgjyqësore, klauzolat e të cilës do të jenë të fshehta, cështja do të vijojë të shqyrtohet dhe kështu, mundësitë që një vendim gjyqësor të zgjidhë konfliktin do të jenë dhe më të mëdha dhe për pasojë dhe ne të kemi cfarë të interpretojmë.
OS
[1] Si dhe për përdorim të paligjshëm të markës tregtare.
[2] Me kusht që të mos e denigronte në mënyrë të dukshme, gjë që mund të shkelte të drejtën morale të trashëgimtarëve të autorit.
Leave a Reply