Ligji 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” ka përafruar legjislacionin tonë me të drejtën evropiane. Afërmendsh, ky ligj i nënshtrohet parimeve bazë të traktateve dhe konventave, në të cilat Shqipëria është palë, në mënyrë të vecantë, Konventës së Bernës.
Në Ligjin 35/2016 parashikohet efekti mbrojtës që do të ketë ai mbi veprat, qofshin ato shqiptare apo të huaja. Në kuadër të këtyre të fundit, Ligji 35/2016 parashikon se dispozitat e tij zbatohen për veprat “(iii) që janë shfaqur për publikun në Shqipëri ose janë shfaqur për publikun në një vend tjetër dhe brenda 30 ditëve, janë shfaqur në Shqipëri[1] dhe (iv) të autorëve të huaj, të shfaqura për herë të parë në vendin e tyre ose në një vend të tretë dhe brenda 30 ditëve, të jenë shfaqur në Shqipëri.” Këto dispozita bien në kundërshtimin me parimin e trajtimit kombëtar të parashikuar në Konventën e Bernës, ku Shqipëria është palë dhe janë diskriminuese, në mënyrë të pajustifikuar, për autorët e huaj.[2]
Një nga kriteret më të rëndësishëm të Konventës së Bernës është ai i trajtimit kombëtar të veprës. Cfarë është ky parim dhe a është përshtatur sic duhet në ligjin 35/2016?
Parimi i trajtimit kombëtar sipas Konventës së Bernës
Konventa e Bernës mbron autorët e veprave (i) të cilët janë shtetas te një vendi te Bashkimit[3] për veprat e tyre te publikuara ose jo; (ii) autorët qe nuk janë shtetas te njërit prej vendeve te Bashkimit për veprat te tyre te publikuara fillimisht ne njërin prej vendeve te Bashkimit ose ne te njëjtën kohe ne një vend jashtë Bashkimit dhe ne një vend te Bashkimit[4] dhe (iii) autorët që nuk janë shtetas te njërit prej vendeve te Bashkimit, por qe kane rezidencën e tyre ne një prej tyre do te konsiderohen si shtetas te atij vendi për qëllimet e kësaj Konvente.[5]
Sipas dispozitave të mësipërme, do të dallojmë dy momente që lidhen me autorët e huaj: së pari, autori i huaj por që është shtetas i një shteti anëtar të Konventës dhe autori i huaj që është shtetas i një shteti që nuk është anëtar i Konventës.
Në rastin e parë, Konventa është e qartë: autori i huaj që është shtetas i një shteti palë të Konventës do të gëzojë të njëjtat të drejtat me autorin vendas, shteti i të cilit është gjithashtu palë e Konventës, pra ai do të gëzojë një trajtim të barabartë. Një parim i tillë gjendet i formuluar në Konventën e Bernës si vijon: “Autorët, për sa i përket veprave për te cilat ata mbrohen nga kjo Konventë, ne vendet e Bashkimit, përveçse ne vendin e origjinës, gëzojnë te drejtat qe do t’i japin shtetasve, tani e tutje, ligjet e tyre respektive”[6] dhe “mbrojtja ne vendin e origjinës drejtohet nga ligje te brendshme”. Gjithsesi, “kur autori nuk është shtetas i vendit te origjinës se veprës për te cilën ai është nën mbrojtjen e kësaj Konvente, do te gëzojë ne atë vend te njëjtat te drejta si autorët vendas”.[7]
Thënë ndryshe, pavarësisht faktit që autori i huaj e ka krijuar veprën e tij në shtetin e tij të origjinës (për shembull Franca) ose në një shtet tjetër që është palë e Konventës (për shembull Spanja), ai do të gëzojë të njëjtën mbrojtje që gëzojnë dhe autorët e vendit (që është gjithashtu palë e Konventës, për shembull Shqipëria) ku ai ndodhet ose kur vepra është e publikuar.
Për sa i përket rastit të dytë, pra kur autori është shtetas i një shteti që nuk është pjesë e bashkimit (pra nuk është palë e Konventës), Konventa parashikon një mekanizëm mbrojtës për ta, sipas të cilit ky autor e gëzon mbrojtjen, nëse ka publikuar veprën për herë të parë në shtetin palë të Konventës ose në te njëjtën kohë, si në një vend jashtë Bashkimit ashtu dhe në një vend të Bashkimit.[8] Si përcaktohet kriteri i njëkohëshmërisë (“publikuar në të njëjtën kohë”)?
Ky përcaktim rezulton nga dispozitat e vetë Konventa e Bernës e cila thotë që “një vepër do te konsiderohet e publikuar njëkohësisht në disa vende, nëse ajo është publikuar në dy ose me shumë vende brenda 30 ditëve nga publikimi i saj i parë.”[9]
Tashmë, kemi një tablo të qartë të mënyrës së mbrojtjes së autorit të huaj, sipas Konventës së Bernës: (i) autori i huaj i një shteti palë me Konventën gëzon të njëjtën mbrojtje nga ligji vendas, njësoj si autori vendas dhe (ii) një autor i huaj i një shteti që nuk është palë gëzon gjithashtu mbrojtje të njëjtë, me kusht që të përmbushë kriteret që pëmendëm më sipër (pra të njëkohshmërisë) dhe që e lidhin veprën në njëfarë mënyre, me një shtet palë të Konventës.
Përputhshmëria e ligjit shqiptar me Konventën e Bernës
Ligji 35/2016 bën vetëm një dallim: do të gëzojnë mbrojtje ato vepra që janë shfaqur brenda 30 ditëve në Shqipëri, duke filluar nga publikimi i parë i tyre. Në këtë mënyrë, ligji ynë nuk ka rimarrë asnjë nga kriteret e Konventës së Bernës, kryesori prej të cilëve është trajtimi kombëtar, duke bërë kështu që ndërmjet veprave të huaja dhe kombëtare të ekzistojë një diskriminim shumë i fortë, bazuar në një kriter kohor krejt arbitrar: nëse titullarët e veprave të huaja nuk respektojnë afatin 30 ditor, nuk do të gëzojnë mbrojtjen e ligjit shqiptar!
Dispozita e mësipërme është një tregues i faktit se jo çdo ndryshim ligjor është i duhuri. Kështu, ligji i parë për të drejtën e autorit i vitit 1992, i ndryshuar në vitin 2000[10], parashikonte në mënyrë të saktë dhe logjike parashikimet e Konventës së Bernës.[11]
Oltion Spiro
[1] Neni 2(a)(iii) i Ligjit 35/2016
[2] Neni 2(a)(iv) i Ligjit 35/2016
[3] Fjala “bashkim” është përkthim i fjalës “Union”. Përkthimi mund të jetë i saktë në aspektin literal, por krijon një konfuzion, pasi duket sikur i referohet një entiteti të caktuar, për shembull Bashkimit Europian. Por nuk është kështu, me “bashkim” kuptohet tërësia e vendeve që janë palë të Konventës së Bernës.
[4] Neni 3(1) i Konventës së Bernës
[5] Neni 3 (2) Id.
[6] Neni 5(1) Id.
[7] Neni 5(3) Id.
[8] Neni 3(1)(a) Id.
[9] Neni 3(4) Id.
[10] Ligji 7564/1992, ndryshuar (ndër të tjera) me ligjin 8594/2000. Duhet thënë se ky ligj u shfuqizua me hyrjen në fuqi të ligjit 9380/2005, i cili u shfuqizua me hyrjen në fuqi të ligjit aktual 35/2016, çka e rëndon edhe më shumë pozitën e redaktuesve të ligjit 35/2016.
[11] Neni 51 i Ligjit 7564
Leave a Reply