Kompjuteri Hal 9000 – (2001: A Space Odissey – S. Kubrick)

Të shtunën më datë 21 dhjetor, në kuadër të prezantimit të planit të ri të  veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë dhe ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënies shkollë – nxënës – prindër, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të mbyllte Tik Tokun për një vit. Lajmi mori dhenë dhe për pak orë, lexohej në gjuhë të huaj nëpër portale, platforma, gazeta dhe agjenci lajmesh të huaja.

Konteksti ndërkombëtar në lidhje me platformat online shumë të mëdha (emri duket si i sajuar, por është një përkthim jo zyrtar i termit “very large online platform” që përdoret në rregulloren e BE, Digital Services Act) ndihmoi së tepërmi këtë turravrap ndërkombëtar për ta marrë e publikuar këtë lajm. Dhe në fakt, e meriton një garë të tillë. Kjo deklaratë e vendos Shqipërinë në listën e vendeve (që, për hir të të vërtetës nuk janë shumë) që shprehen hapur për një masë esktreme kundër Tik Tokut. Deri më tani, kemi dëgjuar se Tik Toku është ndaluar të përdoret nga punonjësit e BE-së, kemi dëgjuar dhe për Restrict Act dhe për një ligj tjetër që synon mbrojtjen e amerikanëve kundër rreziqeve të platformave të huaja (që ndjek parimin “ban or divest”, që do të thotë se nëse konstatohet rrezikshmëri e lartë kundër sigurisë kombëtare prej platformës, kjo e fundit ose do të ndalohet – mbyllet, ose do të detyrohet të ndryshojë kontroll), kemi dëgjuar gjithashtu dhe për masën ekstreme të ndërmarrë në Australi, që synonte ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. Të gjitha sa më sipër janë të bazuara në parimin e vlerësimit të rrezikut që platformat paraqesin. Si për të treguar seriozitetin e këtij vlerësimi, edhe rregullorja Digital Services Act ngarkon Komisionin Evropian të vlerësojë në rang BE-je elementet e rrezikshmërisë që mund të paraqesë një platformë, sipas kritereve të përcaktuara në rregullore dhe jo vetëm vendet anëtare. Sepse platformat, si rregull, janë ndërmjetës teknikë që ofrojnë hapësirat e tyre për komunikimet dhe shkëmbimet mes përdoruesve, me të vetmin ndryshim se këto platforma kanë një detyrim mbikëqyrjeje më të fortë dhe ky aspekt i bënë ato aktorë të rëndësishëm në jetën politike dhe sociale të vendeve.

Nga sa u tha më lart, del qartë se dy shtylla themelore po tronditen nga këto platforma: siguria kombëtare e vendeve dhe mirëqënia dhe mirërritja e fëmijëve. Të dy këto shtylla janë të një rëndësie të madhe për rendin publik të një vendi. Vlerësimi se në këto platforma, zhvillohet një aktivitet që ato nuk arrijnë ta frenojnë dot dhe që rezulton në dobësimin e këtyre shtyllave mund të justifikojë fare mirë një ndërhyrje në liritë që gëzojnë platforma dhe përdoruesit e saj, si liria e fjalës, liria për të tregtuar, për të ofruar dhe marrë shërbime (shembulli i zgjedhjeve presidenciale në Rumani është tregues shumë i qartë). Ndërhyrja në këto të drejta kërkon një akt juridik, që t’i japë mbështetje dhe forcë aktit moral, pra qëndrimit të deklaruar politikisht për marrjen e masave kundër platformave. Në stadin aktual, një korpus i tillë ligjor mungon në Shqipëri dhe këtë mesazh Kryeministri e la të nënkuptohet duke vënë theksin te koha që duhet për të bërë “hulumtimet teknologjike” (dhe jo ligjore) dhe se, pas kalimit të vitit të bllokimit, “do të shikohet si do të veprojnë vendet e tjera”, por dhe kjo në aspektin teknologjik dhe jo ligjor.

Gama e masave që mund të merren është e gjerë. Nuk është qëllimi këtu që të jepet ndonjë opinion se cili është më i miri dhe sa realizohet nga pikëpamja teknike. Marrja e një mase të tillë kundër Tik Tok, nëse ndërmerret nuk përbën në vetvete ndonjë skandal (fatkeqësisht, është vetë evoluimi i rrjeteve sociale që ka sjellë në këtë situatë), për më tepër që Tik Tok është një shërbim i huaj, jo i lidhur me BE-në dhe në parim, nuk shkel ndonjë interes madhor të Tik Tok në Shqipëri, gjë që s’mund të thuhet për përdoruesit shqiptarë të tij. Aty ku duhet të tregohet kujdes (si për tani ashtu dhe për të ardhmen), është te rregullimi ligjor i masave të tilla. Vlen të theksohet këtu se në fusha ku ka një rregullim ligjor, nuk bëhet mjaftueshëm për të ruajtur etikën e komunikimeve, si për shembull në shërbimet audiovizuale (por ky është një debat tjetër).

Influenca e këtyre platformave duhet të na bëjë më të kujdesshëm jo vetëm në aspektin teknik, por edhe ligjor, në mënyrë që të mos harrojmë se jemi një vend që i nënshtrohemi ligjshmërisë dhe të mos i japim rrugaçit të lagjes arsye për të ngritur zërin kur ndërkohë ai duhet të heshtë.

OS