Siç dihet dhe siç është njoftuar këto kohët e fundit, administrata e Presidentit Trump ka njoftuar ndalimin e bashkëpunimit të shoqërive amerikane me kompani të cilat vënë në rrezik sigurinë kombëtare. Edhe pse nuk thuhet se cila ose cilat janë këto kompani, tashmë dihet se bëhet fjalë për Huawei, kompaninë kineze që tashmë mund të konsiderohet lider botëror në teknologjitë e telekomunikacionit.
Përtej konsideratave juridike të një ndalimi të tillë, pyetja që shtrohet tashmë është se cilat do të jenë pasojat dhe a do të ndihen këto pasoja te konsumatorët, kryesisht atyre të produkteve Huawei.
Tashmë, të gjitha statistikat tregojnë se Huawei ka zënë vendin e dytë në tregun e telefonisë së lëvizshme, duke lënë prapa Apple (me brandin iPhone) dhe duke rrezikuar vendin e parë të brand-it Samsung[1]. Por nuk është ky problem kryesor. Huawei është kompania lider në botë për sa i përket pajisjeve teknologjike që sigurojnë shpërndarjen e rrjetit. Sipas administratës së Trump, problem kryesor nuk përbëjnë aparatet celularë, por pajisjet teknologjike që sigurojnë lidhjen me dhe shpërndarjen e rrjetit, për të cilat, administrate Trump dyshon se mund të shërbejnë për aktivitete të mundshme spiunazhi. Për hir të të vërtetës, një frikë të tillë nuk e ka vetëm administrata Trump, por i gjithë spektri politik vendimmarrës i SHBA-ve[2].
Pasoja më e rëndë për klientët mbajtës të një aparati Huawei është ndoshta ndërperja e ofrimit të shërbimeve të Google për këto aparate celularë. Kështu, Google njoftoi se, në vijim dhe bazuar në urdhrin e administratës Trump, do të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Huawei për sa i përket programeve dhe aplikacioneve që nuk janë publikuar nën liçencës open-source (të lirë), pra që janë pasuri intelektuale e Google, pra aset i një shoqërie amerikane. Kuptohet se një ndërprerje e tillë e marrëdhënieve, sado logjike qoftë, (nëse i referohemi vendimit të administratës Trump), përbën një hedhje drejt së panjohurës për Huawei, Google dhe konsumatorët e tyre, pasi dihet që Huawei bazohet në sistemin operativ Android, aset i Google.
Cilat do të jenë pasojat? Së pari, për aparatet e rinj celularë Huawei, pritet që ato nuk do të kenë më akses drejt asnjë programi ose aplikacioni të Google (Gmail, Google Play ose Google Play Protect, ndër të tjera). Gjithashtu, Google nuk do t’i ofrojë më ndihmë teknike Huawei-t[3].
Po në lidhje me aparatet tashmë të blerë ? Sipas njoftimit të Google, shërbimet e tij do të vijojnë të jenë të vlefshëm për to. Por, megjithatë, konsumatorët nuk do të jenë në gjendje që të përditësojnë sistemin e tyre Android, që do të thotë në fakt, se në një kohë që ende mbetet për t’u vlerësuar, celularët tashmë të blerë do të zhvlerësohen për shkak të mungesës së përditësimit të sistemit operativ ose aplikacioneve të tjerë Google[4].
Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Huaëei. Përtej përgjigjes që do të japë Kina ndaj vendimit të administratës amerikane, Huawei do të duhet të përpunojë dhe të promovojë versionin e tij të një android kinez, në mënyrë që t’i bëjë ballë kësaj situate dhe të “mos lërë në baltë” konsumatorët e tij ekzistues.
[1] https://www.idc.com/getdoc.jsp?containerId=prUS44188018
[2] https://edition.cnn.com/2019/05/17/politics/trump-china-trade-war-intl/index.html
[3] https://www.cnet.com/news/google-reportedly-cuts-off-huawei-phones-from-future-android-updates/
[4] https://www.theverge.com/2019/5/20/18632265/seven-questions-we-still-have-about-huaweis-us-blacklisting
Leave a Reply