Prania e kontratave në largësi në shkëmbimet tregtare në Shqipëri është tashmë e konsoliduar. Shqipëria ka kuadrin ligjor të përshtatshëm që rregullon këto kontrata (Kodi Civil, Ligji për tregtinë elektronike, Ligji për Mbrojtjen e konsumatori si dhe VKM për kontratat në largësi).

Sigurisht, përshtatshmëria e kuadrit ligjor do të duket më qartë kur dispozitat ligjore dhe nënligjore do të shqyrtohen nga gjykatat, në funksion të rasteve që do të paraqiten.

Megjithatë, duke patur parasysh se kuadri ligjor në këtë fushë është një përafrim me direktivat e BE-së, jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së (GJDBE) mund të na shërbejë për sqarimin e disa çështjeve të caktuara (siç është rasti që do të prezantojmë më poshtë), të cilat me shumë mundësi do të paraqiten në të ardhmen edhe në gjykatat shqiptare.

Në çështjen C-681/17 datë 27 mars 2019, GjDBE vendosi disa kritere në lidhje me zbatimin e heqjes dorë nga kontrata në largësi.

Faktet e çështjes

Slewo është një shoqëri shitje/bleresh në linjë, që shet, ndër të tjera dhe dyshekë (më poshtë referuar si “Shoqëria”).

Më 2014, një klient i quajtur Ledowksi (më poshtë referuar si “Klienti”) porosit një dyshek nga faqja e internetit të Shoqërisë, për përdorim personal. Dysheku që iu dorëzua Klientit ishte i mbuluar me një qese mbrojtëse, të cilën Klienti e hoqi pasi e mori atë në dorëzim.

Disa ditë pasi dysheku i ishte dorëzuar Klientit, ky i fundit njofton Shoqërinë, me anë të e-mailit se dëshiron që ta kthejë dyshekun dhe i kërkon gjithashtu shoqërisë që të marrë përsipër shpenzimet e kthimit të mallit, pa dhënë ndonjë arsye specifike se përse dëshiron që ta kthejë.

Shoqëria nuk pranoi që malli të kthehej, për pasojë as nuk pranoi që të paguante shpenzimet për kthimin e mallit. Në këto kushte, klienti e ktheu dyshekun dhe i pagoi vetë shpenzimet e dërgesës. Njëkohësisht, ai paditi shoqërinë, duke i kërkuar rimbursmin e çmimit të blerejes, shpenzimeve të transportit si dhe interesat përkatës.

Gjykatat e faktit i dhanë të drejtë klientit. Në këto kushte Shoqëria paraqiti një rekurs kundër këtyre vendimeve pranë Gjykatës Federale gjermane të Drejtësisë.

Gjykata Federale gjermane iu referua, gjatë analizës së saj Direktivës 2011/83 në lidhje me të drejtat e konsumatorëve. Në mënyrë të veçantë ajo analizoi kushtet e dorëheqjes nga kontrata dhe në mënyrë edhe më specifike, përmbajtjen e nenit 16 të Direktivës 2011/83, që lidhet me rastet kur nuk pranohet dorëheqja nga kontrata.

Vlerësimi juridik

Pika e) e nenit 16 të Direktivës 2011/83 parashikon se [nuk do të parashikohet dorëheqja nga kontrata për furnizimin e mallrave të paketuara dhe të mbyllura (sealed goods) të cilat nuk mund të kthehen për shkak të mbrojtjes së shëndetit ose arsyeve higjienike dhe që janë hapur (unsealed) pas dorëzimit.

Çfarë është e drejta për t’u tërhequr nga një kontratë në largësi? Sipas Direktivës 2011/83, konsumatori ka të drejtë që të tërhiqet nga kontrata në largësi, pa dhënë asnjë arsye dhe pa asnjë kosto, brenda 14 dita e nënshkrimit të kontratës ose nga data e blerjes së mallit (në varësi të llojit të kontratës – shërbimi ose mallrash). Kjo e drejtë parashikohet gjithashtu në Ligjin tonë për tregtinë elektronike.

Sigurisht, në rast se shërbimi i kërkuar është kryer që në çastin e pagesës (për shembull, shkarkimi i një vepre muzikore ose i çdo sendi të patrupëzuar numerik), parimi i dorëheqjes nga kontrata në largësi bie vetvetiu, sepse kontrata është përfunduar në mënyrë të njëkohshme me dhënien e pëlqimit nga ana e konsumatorit. Por rasti ynë konkret nuk është i tillë: ai lidhet me një send të trupëzuar, për të cilin kontrata është lidhur në largësi, por ajo bëhet tërësisht efektive me dorëzimin e sendit (të patrupëzuar).

Gjykata Federale gjermane i kërkoi një interpretim dispozitës të mësipërme të Direktivës duke i drejtuar këtë pyetje: a duhet që dispozita në fjalë e Direktivës të interpretohet në mënyrë të tillë që mallrat që u referohet ajo dhe që nuk janë të përshtatshme për t’u kthyer mbrapsht për shkak të mbrojtjes së shëndetit dhe arsyeve higjienike përfshijnë gjithashtu edhe mallrat (si për shembull dyshekët), të cilët edhe pse, për shkak të llojit të tyre, janë në kontakt me trupin e njeriut, mund megjithatë të rishiten sërish pasi t’i jenë nënshtruar masave të përshtatshme të pastrimit?

Sipas Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, e drejta e tërheqjes është parashikuar si mënyrë për të mbrojtur konsumatorin nga një situatë e veçantë, që është lidhja e kontratës në largësi. Kjo situatë është e veçantë për shkak se konsumatori nuk është në gjendje që të shohë dhe vlerësojë mallin ose shërbimin përpara se të lidhë kontratën. Kjo e drejtë pra është një mënyrë për të balancuar dizavantazhin fillestar të konsumatorit që rezulton nga kontrata në largësi.

Në këtë kontekst, përjashtimi nga kjo e drejtë shumë e rëndësishme që ndihmon palën e dobët në kontratën në largësi (konsumatori), duhet të interpretohet në mënyrë strikte. Kjo do të thotë se për të arritur në përfundimin se për një rast të caktuar, duhet të vërtetohet se tregtari është në një situatë ekstremisht të vështirë, për shkak se natyra e mallrave është e tillë që përdorimi i tyre passjell probleme në lidhje me mbrojtjen e shëndetit dhe higjienës dhe për pasojë, është për të shumë e vështirë që t’i qarkullojë sërish ato në treg.

Në këto kushte, Gjykata vëren se, dyshekët, edhe pse mund të jenë përdorur në çastin kur klienti ushtron të drejtën e tërheqjes, nuk janë domosdoshmërisht të papërshtatshëm për përdorim nga palë të treta ose nuk janë të papërshtatshme për t’u shitur prapë. Për të ilustruar këtë qendrim, Gjykata rikujton rastet e dyshekëve të hoteleve si dhe tregut të rishitjes së dyshekëve të përdorur, kuptohet pasi të jenë larë. Gjithashtu, Gjykata sjell në vëmendjen tonë edhe rastin e robave, të cilat kanë dhe ato tregun e tyre të shitjes dhe rishitjes.

Në këto kushte, Gjykata e Drejtësisë së BE-së arrin në përfundimin se dyshekët nuk janë mallrat për të cilat do të vlejë përjashtimi nga e drejta që ka konsumatori për t’u tërhequr nga kontrata në largësi.

Po në të drejtën tonë?

VKM për kontratat në largësi parashikon se “dispozitat e pikës 3 të nenit 37 të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” (heqja dorë nga kontrata pa penalizim) nuk do të zbatohen për kontratat e mëposhtme:

[…]

c) Për furnizimin e mallrave sipas specifikimeve të konsumatorit apo personalizimit të qartë, ose të cilat, për shkak të natyrës së tyre, nuk mund të kthehen apo kanë mundësi të prishen a t’u përfundojë shpejt afati.”

Mendojmë se Vendimi i mësipërm i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së ndihmon në interpretimin e shkronjës c) më sipër të pikës 10 të VKM për kontratat në largësi. Ky vendim i GJDBE ndihmon në interpretimin e rasteve të përjashtimit nga e drejta e heqjes dorë për shkak të natyrës së mallrave.

(tregti elektronike, konsumator)