Përdorimi i Youtube për të parë video të natyrave të ndryshme është bërë tashmë mënyrë e padiskutueshme dhe parësore e kontaktit me veprat artistike dhe jo vetëm. Në lëmin e veprave muzikore, janë gjithmonë e më të rrallë artistët që nuk e shoqërojnë nxjerrjen e një albumi të ri me publikimin e videos (klipit) të këngës së parë të tij në Youtube.
Rëndësia e publikimit të videove në Youtube nuk është tashmë vetëm një mënyrë për ta bërë artistin ose autorin të njohur pranë publikut të gjerë. Ajo gjendet gjithashtu në përfitimin financiar që del prej këtyre videove, në funksion të klikimeve dhe të sasisë së videos që përdoruesi shikon.
Mënyra sesi gjenerohen të ardhurat nuk është objekti i këtij artikulli. Diskutimi do të bëhet rreth aktorit ose aktorëve përgjegjës për mbledhjen dhe shpërndarjen së shpërblimit në favor të autorëve dhe artistëve, ose më gjerë, të titullarëve të të drejtave, pra do të diskutohet kuadri juridik i aktorëve të “monetizimit” të videove.
I. Praktika ekzistuese e monetizimeve të videove në Youtube
Përgjithësisht, artistët ose pronarët e videove që postohen në Youtube hyjnë në marrëdhënie me shoqëri që marrin përsipër monetizimin dhe mbrojtjen e videos nga riprodhimet dhe shpërndarjet e paautorizuara. Këto shoqëri marrin përsipër që të mbulojnë të gjitha kostot teknike dhe tarifore ndaj platformës Youtube, zgjedhin formën e reklamimit dhe përkundrejt këtyre shërbimeve, mbajnë një sasi të fitimeve, në formën e shpërblimit, që do të gjenerohen (të cilat luhaten ndërmjet 50-30 %, sipas vullnetit të palëve të kontratës).
Roli i këtyre shoqërive (ose agjencive) nuk është i qartësuar në ligj. Megjithatë, shërbimi që ato ofrojnë është i ligjshëm, pavarësisht problemeve që lindin në lidhje me parashikimet e kontratës për shërbimet që ofrojnë këto agjenci, parë në raport me legjislacionin për të drejtën e autorit.
Së fundi, vlen të theksojmë se deri më tani, është e pamundur që një individ i vetëm të ngarkojë video në Youtube dhe të organizojë dhe administrojë vetë monetizimin e videos së tij, për shkak të bllokimit që Youtube i bën këtij lloj shërbimi Shqipërisë. Sigurisht, një gjë e tillë më kalimin e kohës do të ndryshojë. Ky moment është i rëndësishëm sepse shmang nevojën e një pale të tretë (agjencia që merret me monetizimin) dhe kështu, përfitimet do t’i përkasin në mënyrë ekskluzive individit që ka ngarkuar videon.
II. Legjislacioni për të drejtat e autorit dhe veprimtaria e agjencive të monetizimit
Veprimtaria e agjencive të monetizimit është lënë jashtë rregullimeve praktike që parashikohen nga ligji për të drejtat e autorit dhe vendimet e dala në zbatim të tij, në mënyrë të veçantë vendimin e Këshillit Kombëtar të të Drejtave të Autorit (KKDA) në lidhje me tarifat e përdorimit të veprave artistike[1]. Ky vendim parashikon komunikimin në publik në radio, në televizion, komunikimin në strukturat akomoduese, në vendet ku konsumohen ushqim dhe pije si dhe në vende ku ofrohen shërbime të tjera. Ky vendim nuk parashikon as mënyrën dhe as shpërblimin e autorëve ose titullarëve të të drejtave për veprat e komunikuara online, për shembull, nëpërmjet Youtube. Mungesa e një parashikimi të tillë tregon se zgjidhja e çështjes së administrimit të këtyre të drejtave do të rregullohet në mënyrë të veçantë nga ligjvënësi ose autoriteti kompetent (ndoshta KKDA), ose nëpërmjet marrëveshjeve mes palëve (autorë ose titullarë të të drejtave dhe shoqëritë e “monetizimit”).
Mirëpo, nëse shikojmë Ligjin për të drejtën e autorit, rezulton të ketë një mospërputhje midis praktikës së deritanishme dhe parashikimit ligjor në lidhje me komunikimin në publik të veprës, në formën online. Për të sqaruar më mirë këtë mospërputhje, duhet së pari, të jepet përkufizimi i komunikimit në publik, në formën online, sipas Ligjit për të drejtat e autorit. Kështu, nëse analizojmë juridikisht platformën Youtube, do të shikojmë se mënyra e saj e funksionimit hyn në parashikimin e Ligjit për të drejtën e autorit, i cili parashikon se [e drejta e komunikimit në publik] përfshin “të drejtën e vënies së veprave në dispozicion të publikut, që do të thotë e drejta ekskluzive për të përcjellë në publik një vepër, me ose pa tel, në mënyrë të tillë që të jetë e arritshme për pjesëtarët e publikut në vendin dhe kohën e zgjedhur prej tyre”[2]. Kjo do të thotë se kjo formë komunikimi në publik (pra, pa tel dhe e arritshme në vendin dhe kohën e zgjedhur prej përdoruesve – ku hyjnë veprat në VOD dhe videot që gjenden në Youtube]) duhet të autorizohet nga autori i veprës, që do të thotë edhe më shkoqur, se vepra e tij nuk mund t’i komunikohet publikut nëse ai nuk e ka dhënë pëlqimin për këtë gjë. Çështja e dytë që shtrohet lidhet me administrimin e veprës së publikuar në Youtube. Ky administrim mund të jetë i lirë, në kuptimin që autori ose titullari i të drejtës mund të hyjë në marrëdhënie kontraktore me një shoqëri administrimi, siç është dhe praktika sot, apo ka ndonjë kufizim të natyrës ligjore?
Mirëpo, Ligji për të drejtat e autorit duket se përcjelljen në publik të veprës e vendos brenda sauzës së “administrimit kolektiv të detyrueshëm”[3], që do të thotë se ligji kufizon aftësinë kontraktore që mund të ketë autori për të hyrë në marrëdhënie shërbimi me kë të dojë dhe si të dojë. Në ç’formë paraqitet ky kufizim? Sipas Ligjit për të drejtat e autorit, administrimi kolektiv i detyrueshëm, për të cilin ligji duket se mbulon dhe përcjelljet në publik, bëhet vetëm nga agjenci të liçencuara nga ministria përgjegjëse për kulturën[4]. Kjo do të thotë se autori nuk ka nga shkon, por është i detyruar të lidhet me këto agjenci për të përfituar shpërblimet përkatëse të përdorimit të veprës të komunikuar nëpërmjet Youtube. Pra, aktiviteti i agjencive të administrimit ekzistuese të palicensuara, të veprave në Youtube, mund të përbëjë një praktikë që shkel ligjin.
Sigurisht, jemi në kuadër hipotetik. Për shembull, mund të lind me të drejtë diskutimi nëse përfshihen apo jo në togfjalëshin “përcjellje në publik” të gjitha llojet e përcjelljes së veprës në publik (përfshi dhe ato online)? Kjo është një pyetje që ngrihet me të drejtë, sepse nëse është kështu, mundet që aftësia kontraktore e autorëve të kufizohet së tepërmi. Mirëpo, ligji, me formulimin e tij, nuk lë shumë vend për interpretim.
Të shikojmë sesi do të zgjidhet ky problem, pasi jemi të sigurt se shumë shpejt, do të shfaqet.
[1] Vendimi nr. 3 datë 4.8.2017 “Për miratimin e metodologjisë dhe masës së tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv”
[2] Pika f) e nenit 29 të Ligjit për të drejtat e autorit
[3] Neni 131 i Ligjit për të drejtat e autorit
[4] Si për shembull Albautor, AKDIE, AMP…
Leave a Reply