Dispozitat e drafit të Kodit Penal (“Kodi Penal”) të lidhura me të drejtën e autorit përmbahen në tre nene, konkretisht, nenet 928 (Plagjiatura), neni 929 (Ruajtja e kopjeve të paligjshme) dhe 930 (favorizimi i shkeljeve të të drejtës së autorit).

Neni 928 përmban në thelb një përkufizim të shkeljes të të drejtës së autorit, në mënyrë të veçantë, rreshtimin e veprimeve të cilat, pa autorizimin e autorit përbëjnë arsye për marrjen e masave si kundërvajtje penale ose burgim.

Në vijim, disa komente të shkurtra që mendoj se mund të kontribuojnë sadopak në diskutimet e hapura në lidhje me përmbajtjen e dispozitave të lidhura me të drejtën e autorit

Terminologjia e përdorur në nenin 928 nuk përputhet në disa raste me ligjin special pë të drejtën e autorit (ligjin 35/2016). Konkretisht, fjala “plagjiaturë” nuk gjendet në ligjin 35/2016. Termi plagjiaturë mund të përdoret, por kërkon një përkufizim më të plotë. Historikisht, termi plagjiaturë është lidhur me përvetësimet e teksteve të shkruara, pra përdorimi i një fjale të till redukton fushën e veprimit të nenit në fjalë.

 Në fjalor, fjala “plagjiaturë” përkufizohet si: “paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri sikur është e vetja; vepra e vjedhur në këtë mënyrë: e dënuan për plagjiaturë”. Në këtë kontekst, për të dhënë një kuptim më të gjerë idesë që kërkohet të transmetohet nga neni 928 i Kodit Penal, mund të përdoret termi “përvetësim (i padrejtë ose i paligjshëm)”, që e jep më mirë idenë e marrjes së punës krijuese të tjetrit dhe paraqitjen e saj si të vetën.

Akti i përvetësimit nuk përmban vetëm shkelje të të drejtës pasurore të autorit, por edhe dimensionin moral (e drejta jopasurore), pra që puna krijuese e një autori të bëhet e njohur si puna e një tjetri (pra përvetësuesit), thënë ndryshe, do të kemi një fshirje të autorësisë dhe zëvendësimin e saj me një tjetër që nuk është autori. Në këtë kuptim, masa represive ndaj akteve të përvetësimit duhet të jetë më e fortë. Me pak fjalë, duhet të kemi një dallim mes shkeljeve të të drejtës pasurore dhe të drejtës morale (jopasurore).

Sërish në lëmin e terminologjisë, vihet re se për të njëjtin një koncept, është përdorur terminologji e ndryshme: “vepër”, “shfaqje letrare, artistike ose shkencore”, “pronësi intelektuale”, “norma të mbrojtura nga pronësia intelektuale”. Mendojmë se përdorimi i togfjalëshit “vepër, sipas ligjit për të drejtat e autorit” mund të jetë terminologjia e duhur që përfshin në tërësi, të gjitha krijimet që përmbushin kriteret e përkufizimit ligjor për t’u konsideruar vepra.

E njëjta vërejtje dhe për termat “komunikimi publikisht” (që duhet të jetë “komunikimi në publik”).

Së treti, termi transformim duhet të zëvendësohet me togfjalëshin “vepra të prejadhura”, siç është në ligjin 35/2016. Konkretisht, neni 30 i nenit 35/2016, jep përkufizimin e veprave të prejardhura, që përfshin aktet e përshtatjes, përkthimit dhe veprime të tjera. Për thjeshtësi, mund të përdoret termi “përshtatje”. Përdorimi i një termi të tillë e lidh konceptim që jepet në Kod me terminologjinë e përdorur në ligjin special.

Së katërti, mendojmë se “ekzekutimi dhe interpretimi artistik” i një vepre duhet të parashikohet në një dispozitë të veçantë. Ekzekutimi dhe interpretimi lidhen me të drejtat e lidhura të të drejtës së autorit, konkretisht ato të artistëve interpretues dhe ekzekutues. Këto aktorë nuk kanë të drejta autori mbi krijimin, por kanë të drejta mbi interpretimin e tyre, të fiksuar në një fonogram (për dëgjim) dhe/ose një videogram (dëgjim dhe shikim). Në këto kushte, duhet të përcaktohet më qartë se për çfarë veprimesh bëhet fjalë dhe cilët janë aktorët (pra artistët interpretues dhe ekzekutues) që janë të prekur. Nëse nuk parashikohet një dispozitë e tillë e veçantë, rreziku është që për këta artistë interpretues dhe ekzekutues të mos ekzistojë norma penale që dënon shkeljet e të drejtave të tyre.

E njëjta vërejtje bëhet dhe për prodhuesit e fonogramit, prodhuesit të veprës audiovizuale dhe për agjencitë e shtypit. Të drejtat që kanë këto janë të drejta të lidhura me të drejtat e autorit dhe, në këto kushte, një shkelje ndaj materialit që ata kanë prodhuar duhet të njohë gjithashtu ndëshkimin penal. Nëse nuk parashikohet një dispozitë e tillë, lihet përshtypja se aktorët e mësipërm kanë të drejta autori mbi prodhimet e tyre, ose thënë ndryshe, përdorimet e paligjshme të prodhimeve të tyre përbëjnë shkelje të të drejtës së autorit, ndërkohë që nuk është e vërtetë: përdorimet e këtyre materialeve përbëjnë shkelje të të drejtave të tyre të lidhura respektive me të drejtën e autorit (prodhuesit e veprave audipvizuale mund të jenë mbajtës të të drejtës së autorit, në bazë të kontratave të prodhimit audiovizual, por krijimi audiovizual mbart në vetvete të drejta të tjera, që shkojnë përtej të drejtës së autorit dhe që lidhen me prodhimin audiovizual). Thënë ndryshe, nëse dispozita ligjore lihet kështu, Kodi Penal nuk u jep mundësi këtyre aktorëve që të dënojnë shkelësit e prodhimeve të tyre.

Së pesti, mendojmë se togfjalëshi “pa autorizimin e mbajtësve të të drejtave përkatëse ose personave të autorizuar prej tyre” (neni 928, pika 1) duhet të rishkruhet si vijon: “pa autorizimin e mbajtësve të të drejtave dhe agjencive të administrimit kolektiv” (duke patur parasysh vërejtjen e mësipërme, pra që të jetë bërë ndarja e “të drejtave përkatëse”, në të drejta autori dhe të drejta të lidhura me to). Futja e personave “të autorizuar prej mbajtësve të të drejtave të autorit” në tekst krijon një amulli, për shkak se këta persona përbëjnë një kategori shumë të gjerë që nuk nënkupton domosdoshmërisht se i autorizuari ka marrë në mënyrë të saktë dhe të qartë, siç e kërkon ligji special 35/2016 tagrat e plota nga mbajtësi i të drejtave për qëllimet e dhënies së autorizimit për përdorimin e veprës. Një mundësi tjetër do të ishte që të thuhej vetëm “në shkelje të të drejtave të autorit”, gjë që ka meritën e thjeshtësimit dhe të lidhjes më direkte me veprimin e kryer nga shkelësi.

Së fundi, fjalia e parë e pikës 2 të nenit 928: “Ndihma në mënyrë aktive, jo thjesht teknike, e aksesit ose gjetjes në internet të veprave ose shfaqjeve që i nënshtrohen pronësisë intelektuale”, duhet të rishikohet, sepse, nga mënyra si është shkruar, mënyra teknike e aksesit dhe gjetjes së veprave në internet rezulton të jetë më e rëndë se mënyra aktive e përdorur për gjetjen e këtyre veprave. Së pari, duhet të jepen disa linja drejtuese që do të ndihmojnë se çfarë nënkuptohet me mënyrë aktive. Së dyti, ndihma në mënyrë teknike nuk duhet të ketë një kuptim gjithëpërfshirës ose automatik: një faqe ose një program kompjuteri mund të ndihmojë në përhapjen e informacioneve, por jo çdo informacion i përhapur përbën shkelje të të drejtave të autorit. Kjo pikë duhe parë e lidhur me ligjin për tregtinë elektronike, i cili përcakton se një veprim teknik nuk angazhon automatikisht përgjegjësinë e ofruesit të shërbimit dhe se rastet kur kjo përgjegjësi angazhohet, parashikohen në ligjin në fjalë. Në këtë kontekst, duhet të përkufizohet mirë “ndihma në mënyrë teknike” në aksesin e paautorizuar në vepër, në përputhje me ligjin për tregtinë elektronike (i cili, do të jetë me siguri objekt ndryshimesh, në mënyrë që të jetë në përputhje me rregulloren “Digital Services Act”).

Në nenin 929, termi “norma të pronësisë intelektuale” nuk shkon dhe duhet të zëvendësohet me “dispozitat përkatëse të të drejtave së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to”. Gjithashtu, ky nen duhet të qartësojë idenë se kemi të bëjmë me qarkullimin fizik të krijimeve intelektuale dhe jo me qarkullimin në linjë, për të cilin nuk vlejnë parashikimet e këti neni

Kodi Penal është një tekst ku reflektohen më së miri mutacionet e një shoqërie. Një Kod Penal i kohës së Zhaverit nuk mund të jetë njësoj me Kodin Penal të kohës së “Diellës”. Kodet penale sot përmbajnë dispozita që shkojnë përtej kuptimit klasik, duke pasur parasysh gamën më të gjerë të shkeljeve, për shkak të kompleksitetit të veprimtarive sociale, ekonomike dhe politike që zhvillohen në shoqëri. Në këtë kontekst, çdo dispozitë e Kodit Penal, e cila lidhet ngushtë me një ligj sektorial të caktuar, duhet të trajtohet me një kujdes dhe vëmendje të veçantë.

OS