
Etje aspiratash, qëllim të përbashkët, dëshirë për bashkëpunim, komunikim i hapur dhe i sinqertë, asnjë prej këtyre nuk ka vend në fjalorin e shumicës dërrmuese të personave që merren me të drejtën e autorit. Për hir të së vërtetës, dikush mund të thoshte se në përgjithësi, këto nuk kanë vend dhe në shumë fusha të jetës, por kjo është të jesh pesimist, cinik dhe i pashpresë. Dikushi mund të kundërpërgjigjej duke thënë se prandaj ikin njerëzit nga Shqipëria, por jo, kjo do të ishte disfatizëm dhe në fund, do të kuptonte se një përpjekje për mirë e lënë përgjysmë dëmton shpirtin e njeriut dhe të vetë kombit.
E hapa këtë artikull me një pohim që me siguri tërheq kritikat, por në fakt, synon të tërheqë vëmendjen, por ndoshta edhe dëshirën për ta kundërshtuar. Jam i sigurt megjithatë, se cilësia e forcës argumentuese për të rrëzuar atë që shkruajta në hapje të këtyre mendimeve, do jetë shumë e dobët dhe e cenueshme, jo prej kapaciteve të kundërshtuesve, por sepse do ta kuptojnë dhe ata vetë (interlokutori po se po), se ato qëndrojnë gjithsesi, megjithë sikletin që ato sjellin.
Ndryshe nuk do të shpjegohej përse e drejta e autorit në Shqipëri është si ornamenti që ke në shtëpi, që nuk të shkon mendja ta tregosh, por që herë pas here, kujtohesh dhe i thua mikut “u shiko, kam dhe këtë”, sikur të ishte një gjë që mendon se ka vlerë, por nuk e di pse dhe për ç’arsye. Ndryshe, nuk do të shpjegohej përse e drejta e autorit në Shqipëri është një humnerë shifrash qesharake, gropa dështimesh të njëpasnjëshme, me pamjen e të cilave habiten përfaqësuesit e vendeve fqinje të rajonit, pa përjashtim (e lëmë Evropën mënjanë, nuk ka vend këtu ta përmendim, thjesht do ta baltosnim kot), të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë se përse Shqipëria (kjo Shqipëri që dukshëm po ecën me hapa viganë drejt modernizimit), ka mbetur në vend-numëro në fushën e të drejtës intelektuale. Progres raporti për Shqipërinë, për vitin 2025, ka nënvizuar në mënyrë të qartë hendekun e madh që Shqipëria ka me vendet e tjera të rajonit në fushën e të drejtës së autorit dhe kjo duhet të shërbejë si një sinjal i qartë që autoriteti publik, përkatësisht drejtoria përgjegjëse për të drejtën e autorit, të rrisë vëmendjen dhe të tregojë vendosmëri më të madhe në forcimin e zbatimit të të drejtës së autorit, në mënyrë të veçantë të sistemit të administrimit kolektiv të të drejtës së autorit. Një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian vlerësohet, ndër të tjera, edhe për mënyrën se si respekton dhe mbron intelektin e qytetarëve të vet dhe punën e tyre krijuese.
Megjithatë, sikur po duken disa rreze shprese. Ka një përpjestim të drejtë mes afrimit të hyrjes në BE dhe ndreqjes së problematikave të të drejtës së autorit; mund të jetë thjesht inerci, ose shenjë se ëndrra për Evropë si thirrje nga e pandërgjegjshmja, po vepron mbi ndërgjegjen tonë; fakt është që gjërat po ecin përpara. Edhe breshka kur ecën, bën hapa përpara.
Para se të shikojmë se cilat janë këto rreze shprese, duhet të rreshtojmë defiçitet konkrete, qofshin kronike apo të herë pas hershme që janë vënë re.
Së pari, kryesorja, sjellja e përdoruesve. Të mos duash të paguash të drejtën e autorit është një gjë, të mos duash të paguash të drejtën e autorit, ta përdorësh atë, edhe pse e ke bindjen se efektivisht nuk ke ligjërisht të drejtë për ta bërë një gjë të tillë, shoqëruar kjo edhe me lavdet propagandistike të rastit për autorët, është një gjë tjetër. Kjo e dyta është ajo që ndodh rëndom me përdoruesit e veprave, të vegjël e të mëdhenj. Më parë, ka patur një tendencë për ta justifikuar përdorimin e një vepre duke thënë se “kemi paguar artistin (nënkupto interpretuesin)”, një argument totalisht i pahijshëm dhe në keqbesim, sepse përdoruesi e di shumë mirë se një interpretim nuk është i barasvlefshëm me një kompozim – Killing me softly mund ta këndojë çdo interpretues në Shqipëri, por autor është Norman Gimbel, që e ka krijuar këtë këngë në vitet ’70 të shekullit të kaluar, Kuturu mund ta këndohet live në gjysmat e pub-eve në Shqipëri, por autor është Pirro Çako. Me interpretimin e përdoruesve, i bie që autori të mos përfitojë asgjë, por ama të falenderohet nga zemra për veprat që na ka krijuar, sikur ky pranimi i këtyre falenderimeve të ishte një licencë e plotë e lëshuar nga autori që vepra e tij të përdorej lart e poshtë, sipas nevojave të përdoruesve. Sigurisht që nuk është kështu. Por kjo sjellje ka krijuar një situatë shumë të vështirë për autorët: çfarë rëndësie ka njohja e kontributit dhe falenderimet, kur ndërkohë ai nuk është paguar kurrë për krijimin e tij. Në krye të listës së përdoruesve që përmenda më sipër, vë sigurisht, ata që ushqehen më së shumti me të drejta autori, televizionet. Nuk dua të futem në çështje shifrash, por refuzimi i përsëritur për të mos njohur të drejtat që ka autori për përdorimin e veprës së tij, ndihmuar nga një kuadër rregullator i paligjshëm dhe absurd që ka mbretëruar prej kohësh (më në fund, pranuar si i tillë këtë vit nga vetë autoriteti publik), mund të përllogaritet si një nga fitimet e munguara më të mëdha në historinë e jetës ekonomike shqiptare.
Së dyti, inercia e zakonit dhe sjellja inkoherente të autoritetit përgjegjës publik. Nga njëra anë promovojnë, organizojnë, mbështesin aktivitete kulturore ku përdoren masivisht vepra, nga ana tjetër, nuk sigurojnë as minimumin e komunikimit me agjencitë e autorëve, le më pastaj të parashikojnë marrjen e autorizimit për të përdorur veprat dhe pagesën e tarifës përkatëse. Nga njëra anë, përafrojnë me hap të shfrenuar legjislacionin tonë me atë evropian dhe, nga ana tjetër, lënë të gëlojnë anomalira brenda në ligj, si për shembull sportelin unik, i ndarë nga agjencitë, që merret me mbledhjen e të ardhurave, duke ia hequr këtë përgjegjësi dhe detyrë agjencive. E bukura e kësaj situate është se agjencitë raportojnë përpara autoritetit publik (siç duhet të jetë), por jo sporteli unik, edhe sikur ai të mos e bëjë hiç punën (siç nuk po e bën aktualisht) dhe të gëzojë njëkohësisht mbrojtjen konjukturale të ndonjë agjencie, se kështu i shërben kësaj të fundit për momentin; e bukura e kësaj situate është gjithashtu se ndaj agjencive mund të merren masa, ndaj sportelit unik jo. Duhet thënë se sistemi që ka ngritur Shqipëria është unikal në botë (për keq) dhe, kështu siç janë gjërat, po ia komplikon tej mase punën agjencive që duan të punojnë dhe autorëve. A do të ishte më e thjeshtë të merrej një model tashmë i konsoliduar jashtë? Me siguri. Por ama dimë që autorët po paguajnë shtrenjtë edhe prej kësaj inkoherence kronike të autoritetit publik.
Së treti, marrëdhënia tejet dyshuese që agjencitë e autorëve ushqejnë ndaj njëra-tjetrën. Nuk dua të hyj në detaje kush ka të drejtë e kush e ka gabim; fakt është që nuk ka besim dhe, mungesa e besimit nuk gjen shërim as nga mënyra si është trajtuar kjo pjesë nga ligji, siç e kanë ngritur autoritetit publik. Sipas ligjit, agjencitë kanë një vend në bordin e sportelit unik dhe kuptohet që, në rastin më të parë kur interesat nuk përputhen, situata bllokohet. Nëse ligji ka supozuar se agjencitë përfaqësohen nga njerëz të rritur që dinë të merren vesh, ligji duhet të kishte parashikuar gjithashtu dhe rastet kur në bord ka përfaqësues kalamaj me të drejtë vote. Këmbëngulja e agjencisë që kam patur nderin të përfaqësojë, për ta zgjidhur këtë situatë ka rënë, direkt e pa pengesa, në veshin e shurdhër të autoritetit publik, për arsye që ende mbeten për t’u kuptuar.
Megjithatë, vijmë te rrezet e shpresës në horizont. E them edhe njëherë, afrimi me BE-në duket se po shërben si një elektroshok që po shkund dikasteret tona si kurrë më parë. Kjo duket dhe në fushën e të drejtës së autorit. Në këtë kontekst, kuadri ligjor po rregullohet, edhe pse vonë. Për herë të parë në Shqipëri, u vendos një standard i drejtë, i ekuilibruar (rrjedhimisht i lartë), i përcaktimit të tarifave që do të paguajnë përdoruesit (televizionet in primis), falë këmbënguljes së agjencisë ku kam qënë pjesë dhe mbështetjes që ka marrë nga agjencitë e huaja simotra (ndoshta e vetmja që ka një mbështetje të tillë të hapur, që është shumë shpresëdhënëse). Sigurisht që do të ketë kundërshtime, por rruga që po shtrohet është e duhura. Gjithashtu, nga takimet dhe shkëmbimet, herë të qeta, herë të acaruara me përdoruesit, është vënë re se tashmë ata kanë ndryshuar qëndrim, duke qënë më të vetëdijshëm pë detyrimin që kanë, në lidhje me përdorimin e lejuar dhe pagesën e të drejtës së autorit. Shume vonë, por gjithsesi, mirë edhe kështu. Së fundi, fushatat e forta qeveritare kundër informalitetit dhe ngritja e strukturave të forta dhe të përgjegjshme për të luftuar këtë fenomen, ndihmojnë gjithashtu në vendosjen e një raporti tjetër ndërmjet përdoruesit dhe të drejtës së autorit që ata shfrytëzojnë.
Tashmë është urgjente që të gjithë aktorët e të drejtës së autorit të mos vuajnë më nga varfëria e aspiratave dhe të luftojnë për qëllimin e përbashkët, me dëshirë për bashkëpunim dhe me komunikim të sinqertë. Koha nuk pret, autorët nuk presin, Shqipëria nuk pret. Moderniteti ku duam të futemi nuk lë më vend për asnjë kompromis. Ai kërkon vendosmëri, drejtësi dhe vullnet. Duhet të tregojmë që i kemi të treja.
OS
Leave a Reply