Kënga më poshtë ka qenë një hit i vitit 2019 (e cila fillon në fakt, në 1:26 të videos):
Kjo këngë ka një histori që tregon shumë mirë sesi funksionon sot krijimi artistik. Autori i saj me emrin shumw poetik, Lil Nas X, e bleu këtë këngë, ose më saktë strukturën e saj, për 30 dollarë te një “shitës me shumicë” krijimesh muzikore[1]. E vecanta është se cedimi, sipas kësaj skeme, është i plotë: asgjë dhe askush nuk e mbron dot ceduesin që të kërkojë të drejta mbi veprën, pasi ta ketë shitur atë[2]. Pra, Lil Nas X u bë pronar i materialit me të drejta të plota. Pas disa muajve me një sukses relativisht mediokër, një shtëpi diskografike e zbuloi nëpërmjet rrjeteve sociale. Menjëherë pasi firmosi kontratën me shtëpinë diskografike, Lil Nas X, me këngën e tij “Old Town Road”, u kthye në fenomen ndërkombëtar.
Por nuk mbaron me kaq. Rrugës, u kuptua se kjo këngë huazonte elemente të një materiali tjetër muzikor, që as shitësi dhe as blerësi, tashmë titullari i saj, Lil Nas X, nuk e dinin as ekzistencën as autorin e tij.
Kështu, vija e parë melodike e përbërë nga tingujt e një kitareje dhe një banxhoje (një lloj kitareje e përdorur në muzikën “country”) ishte e huazuar nga një material i mëparshëm. Ky lloj huazimi quhet “sampling”.
Pjesa e huazuar është kompozuar nga Trent Reznor dhe Aticus Ross, të grupit Nine Inch Nails (NIN). Ky grup ka lëvruar për një kohë të gjatë në rrymën e quajtur industrial rock. Megjithatë, të dy autorët janë dalluar dhe dallohen ende edhe sot, për eklektizmin dhe vizionin pararojë që ata kanë për muzikën. Prandaj dhe shumë producentë veprash audiovizuale, kompjuterike e kështu me radhë, nuk janë gabuar kur kanë zgjedhur bashkëpunimin me ta. Kështu, shumë nga krijimet e tyre mund t’i dëgjojmë shpesh dhe shkarazi nëpër filma[3], reklama, lojëra kompjuterike[4] ose si pjesë përbërëse të veprave të tjera të prejardhura[5], ku përfshihet dhe videoja më sipër. Vecanërisht, në shoqërinë e sotme ku pamja zë “pjesën e luanit”, ky grup është më i njohur për shkak të logos së tyre, e stampuar nëpër bluza e çanta.
Përtej meritave të tyre në fushën e muzikës dhe në atë vizive, grupi NIN ka qenë nga të parët me famë dhe me influencë në botën muzikore që ka hedhur në qarkullim krijimet e tij, me liçencën e quajtur “creative commons”. Një prej krijimeve që mbajnë këtë liçencë është dhe “Ghost IV – 34”:
Një nga elementet me dallues të këngës së parë është në fakt një vepër e mëparshme në formën e një “sample”, që përmbahet të videoja e dytë, që është dhe materiali muzikor i NIN.
Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Teknika e “sampling” është tejet e përhapur[6] dhe përbën gjithashtu një bazë të shëndoshë për konflikte gjyqësore, pavarësisht se rregullat e reja, përfshirë dhe ato të parashikuara në Direktivën 2016[7], tentojnë ose t’i sheshojnë ato ose të privilegjojnë arritjen e marrëveshjeve.
E veçanta e këtij rasti qendron se NIN e kishte hedhur në qarkullim këtë pjesë muzikore sipas liçencës “attribution-noncommercial-share”, që do të thotë se nga përdoruesit e tretë, kjo pjesë muzikore mund të riprodhohej, komunikohej dhe shpërndahej lirisht, të transformohej ose të krijohej një material i ri muzikor mbi të, por nga ana tjetër, përdoruesit do të kishin detyrimin që të citonin autorin, të mos përdornin materialin për qëllime tregtare dhe nëse do e transformonin atë, ta rishpërndanin sipas kushteve të të njëjtës liçencë[8].
Liçenca të kësaj natyre janë disa dhe për to, do të ketë në këtë faqe një trajtim të veçantë, por duhet thënë megjithatë se ato shprehin pushtetin real që ka autori mbi veprën e tij. Për sa kohë, ai është krijuesi i saj dhe për sa kohë ai e ka vënë atë në jetë, pa ndërhyrjen e ndonjë pale tjetër (për shembull një producenti që financon ose ndërhyn në linjën artistike të veprës), ai ka të drejtë të përcaktojë lirisht përdorimin e saj.
Sipas deklarimeve të NIN, vendosja e materialit në këtë liçencë vjen si një qendrim kritik që ky grupi mbajti ndaj industrisë muzikore[9] në vitin 2008, kur publikoi materialin Ghost-IV 34. Sigurisht, hatërmbetja nuk zgjati shumë, sepse në 2012, grupi u pajtua me këtë industri[10], por kjo nuk ndryshoi pozitën juridike të materialit muzikor.
Le t’i rikthehemi huazimit tonë. Duke përdorur një material që përmbante një “sample” dhe duke qenë se po e shfrytëzonte ekonomikisht këtë material, Lil Nas X ishte në shkelje të licencës së përcaktuar më sipër. Ai duhet të kishte kërkuar autorizimin e titullarit të të drejtës, që në rastin konkret (gjë e rrallë sot, por që kjo lloj licencë e krijon këtë mundësi) i përkiste vetë autorit, përpara se vepra të publikohej. Pavarësisht se kjo nuk ndodhi, Lil Nas X e korrigjoi veten rrugës. Sigurisht, përgjigja e NIN ishte pozitive, gjë që tregonte një lloj konsistence nga ana e grupit, pavarësisht se Lil Nas X e kishte shkelur licencën, për shkak se vepra e prejardhur tashmë ishte në qarkullim ekonomik të hapur.
Sigurisht, detajet nuk i dimë. Ndoshta palët kanë nënshkruar një marrëveshje konfidenciale ndërmjet tyre, që rregullon dhe cështjet financiare. Megjithatë, ky është një spekulim që nuk duhet të errësojë mënyrën se si krijimi muzikor qarkullon, për kënaqësinë e të gjitha shijeve, me kusht që të jetë cilësor.
#sampling #DRM #CreativeCommons
[1] Një DJ hollandez me emrin akoma më poetik YoungKio
[2] Diskutimi për të drejtën morale ose të drejta që burojnë prej krijimit të veprave të prejardhura nuk shtrohen në këtë lloj marrëdhënieje. Arsyet do i trajtojmë në një artikull tjetër.
[3] Man on Fire, Doom, The Social Network, Citizen Four, Lara Croft: Tomb Raider, Twin Peaks, Watchmen…
[4] Call of Duty
[5] Kënga e kënduar nga Johnny Cash “Hurt” është në fakt një cover e këngës me të njëjtin titull të grupit Nine Inch Nails.
[6] Përndryshe nuk do të kishim DJ dhe një hip-hop shumë të varfër.
[7] Direktiva mbi të drejtën e autorit në tregun e përbashkët digjital https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:52016PC0593&from=en
[8] https://creativecommons.org/licenses/by-nc-sa/4.0/
[9] “The end result is a wildly varied body of music that we’re able to present to the world in ways the confines of a major record label would never have allowed – from a 100% DRM-free (Digital Right Millenium), high-quality download, to the most luxurious physical package we’ve ever created.”
[10] https://www.theguardian.com/media/2012/oct/24/trent-reznor-label; https://www.rollingstone.com/music/music-news/trent-reznor-old-town-road-903889/
Leave a Reply