Ditët e fundit në mediat botërore u shpërnda lajmi bombastik i sherrit mes Australisë dhe Facebook-ut rreth miratimit të një projektligji nga ligjvënësi australian, në bazë të të cilit “gjigandët e teknologjisë” Facebook dhe Google, do të duhet të paguajnë mediat (ose botuesit e shtypit) australiane, për përdorimin e lajmeve dje artikujve të tyre në platformat dhe agregatët e lajmeve, pjesë e shërbimeve të Facebook dhe Google.

Shqetësimi i radhës për Facebook-un

Projektligji parashikon si hap të parë që palët, mediat nga njëra anë dhe platformat nga ana tjetër, të hyjnë në negociata për përcaktimin e shpërblimit për përdorimin e lajmeve dhe artikujve të mediave. Nëse këto negociata dështojnë, projektligji parashikon se një arbitër i pavarur do të caktojë çmimin që platformat do të duhet t’u paguajnë mediave australiane.[1]

Nëse në një kohë të parë të dy gjigandët morën flakë si titanët e mitologjisë, Google ndryshoi mendim rrugës dhe lidhi marrëveshje me grupet kryesore mediatike australiane.[2] Facebook-u, nga ana tjetër, vijoi rezistencën, duke mbyllur të gjitha faqet mediatike australiane, përfshi dhe ato që përmbanin informacione të interesit publik, si për shembull informacione me interes publik të lartë, duke ngritur një valë tjetër kritikash[3], sikur të mos mjaftonin ato që kërcënojnë prej kohësh Facebook-un.[4]

Ajo që acaronte në mënyrë të veçantë titanin tonë, ishte caktimi në mënyrë arbitrare i tarifës. Me anë të kësaj dispozite, projektligji dashur pa dashur i detyron platformat (Facebook-un) që të hyjnë në negociata me botuesit e shtypit. Në fakt, dhe këtu qendron shqetësimi i Facebook-ut, masa që ndërmori Australia nuk është një masë e izoluar, por një përpjekje ndërkombëtare për të mbajtur në këmbë mediat, të rrezikuara në financat e tyre nga shpërndarja pa kriter e teklif i informacioneve të tyre nëpër platforma, nga njëra anë dhe kufizimi gjithmonë e më konkret i aktiviteteve të këtyre platformave, të cilat në mos demokracinë[5], rrezikojnë gjithmonë e më shumë të drejtën e konkurrencës.[6]

E vërteta është se Australia është shteti i radhës që vendos disa rregulla në lidhje me “tarifikimin” e përdorimit të informacioneve që janë pronësi të mediave nga platformat e mëdha online. Direktiva 2019/790 e BE-së në lidhje me të drejtën e autorit dhe të drejtat fqinje në Tregun Unik Dixhital dhe me amendimin e Direktivës 96/9/KE dhe 2001/21/KE (“Direktiva 2019/790”)[7], parashikon, ndër të tjera, detyrimin për shtetet anëtare që të parashikojnë të drejta fqinje me të drejtën e autorit në favor të botuesve të shtypit, të cilat konsistojnë në të drejta riprodhimi dhe të drejta të vënies në dispozicion të publikut, për shkak të përdorimit të publikimeve të tyre nga “furnizues të shërbimeve të shoqërisë së informacionit”[8], këta të fundit nuk janë kush tjetër veç mastodontët tanë Facebook, Google e shokë. Me fjalë të tjera, botuesit e shtypit janë mbajtës të të drejtave fqinje, që lindin dhe janë të lidhura me të drejtat e autorit që u përkasin autorëve të artikujve të botuar nga botuesit e shtypit.[9] E drejta fqinje e krijuar u kundrejtohet platformave, të cilat tashmë, në bazë të kësaj direktive dhe në zbatim të të drejtës fqinje të krijuar prej saj, duhet të shpërblejnë botuesit e shtypit për përdorimin e informacioneve dhe artikujve që ato shpërndajnë ose përmbledhin në formën e agregateve të lajmeve në platformat e tyre.[10] Pra, thënë troç, Facebook-u dhe Google nuk kanë nga shkojnë, duhet të paguajnë.

Sic e thamë, Google e ka kuptuar dhe ka marrë masa, ndërsa Facebook-u e ka kuptuar gjithashtu por fillimisht vendosi të rezistojë, edhe pse tashmë lajmet na vijnë që ka pranuar të negociojë me qeverinë austrialiane.[11] Gjasat janë që kjo e Australisë të ishte një prelud i një lufte të hapur mes Facebook-ut dhe shteteve të ndryshme (përveç Australisë dhe BE-së edhe SHBA-të po mendojnë të miratojnë ligje që shkojnë në këtë drejtim). Por mundet gjithashtu që Facebook-u të jetë duke testuar vendosmërinë e shteteve. Mirëpo, duke parë rrethanat, shtetet nuk do të lëshojnë pe ndaj këtyre platformave, si në çështjen konkrete të botuesve të shtypit ashtu dhe në çështje të tjera, në të cilat, kryesisht Facebook-u nuk para ka shkëlqyer këto kohët e fundit.

OS


[1] https://www.bbc.com/news/world-australia-56163550

[2]https://www.businessinsider.com/google-australia-nine-entertainment-30-million-news-2021-2

[3]https://www.theguardian.com/technology/2021/feb/27/facebook-australia-news-ban-us-legislation (“It really made an extreme tactical mistake in shutting down something of such fundamental importance to the public interest”)

[4] Id

[5] https://www.reuters.com/article/us-facebook-congress-idUSKBN1X2167

[6]https://www.forbes.com/advisor/investing/facebook-antitrust-lawsuit/

[7] https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:32019L0790&from=EN

[8] Neni 15 i Direktivës 2019/790

[9] Id.

[10] Id, Konsiderata 54

[11]https://www.theguardian.com/technology/2021/feb/27/facebook-australia-news-ban-us-legislation