Në çështjen Der Standard […] kundër Austrisë, shqyrtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), bëhej fjalë për një kërkesë drejtuar gjykatës për heqjen e anonimatit të dy komentuesve për postimet e tyre, në lidhje me një artikull të botuar në Der Standard (në vijim, “media online”), për shkak se kërkuesit pretendonin se këto komente ishin fyes. Gjykata e shkallës së parë u rrëzoi kërkesat, ndërsa gjykata e apelit dhe gjykata e lartë u dhanë të drejtë kërkuesve.

Në mënyrë të përmbledhur, pas leximit të vendimit të GJEDNJ, arrijmë në këto përfundime:

Së pari, përcaktimi juridik i hapësirës së dedikuar për komentet e publikut në një media online (ose portal) i takon juridiksioneve kombëtare. Në rastin konkret, gjykatat austriake e kishin përcaktuar këtë hapësirë si një hapësirë për të cilën media online ushtronte funksionin e ofruesit të shërbimit të hostimit (host provider), për të cilin zbatohet regjimi juridik i Direktivës 200/31/EC të datës 8 qershor 2000 mbi tregtinë elektronike.[1] Në disa raste të tjera (si ai i jurisprudencës së GJEDNJ, Delfi kundër Estonisë, media online ushtronte përgjegjësinë e kontrollit të hapësirës së komenteve në cilësinë e publikuesit (paragrafi 72), që për nga pikëpamja e përgjegjësisë është një nivel më i drejtpërdrejtë se ai i hostuesit).

Së dyti, përcaktimi juridik i hapësirës së dedikuar për komentet e publikut do të kishte rëndësi vetëm nëse ky përcaktim, i bërë nga juridiksionet kombëtare, siç u tha më sipër, do të përbënte një ndërhyrje të padrejtë në zbatimin e nenit 10 të Konventës. Me fjalë të tjera, nëse një përcaktim juridik nga ana e juridiksioneve kombëtare do të lejonte një ndërhyrje të padrejtë në lirinë e shprehjes, atëherë GJEDNJ do të duhej të shqyrtonte përputhshmërinë e saj me përmbajtjen e nenit 10 të Konventës, sipas analizës së tre testeve që do të trajtohet më poshtë.

Së treti, komentet e postuara nga lexuesit e medias online konsiderohen opinione dhe në këtë kuptim, ato kategorizohen si “informacione” në kuptimin e Rekomandimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mbi të drejtat e gazetarëve që të mos përhapin burimet e tyre të informacionit. Megjithatë, komentet në rastin konkret nuk përbëjnë burime gazetareske, për shkak se ato i drejtohen publikut (komentet janë publike) dhe jo gazetarëve. Për pasojë, GJEDNJ bie dakord se ato nuk mbrohen si burime gazetareske. Duhet thënë këtu se një nga linjat mbrojtëse të medias online ishte që komentet të konsideroheshin si burime gazetareske dhe për pasojë, media online të mos divulgonte emrin e komentuesve (pra të mbronte anonimatin e tyre). Rrjedhimisht, në rastin konkret, media online aplikuese nuk mund të pretendonte konfidencialitetin editorial.

Së katërti, pavarësisht sa më sipër, duke qenë se gjykatat kombëtare vendosën detyrimin për median online që të hiqte anonimatin për komentuesin, pra t’u vinte në dispozicion palëve që ishin objekt i fyerjes së pretenduar prej këtyre komenteve, GJEDNJ nënvizoi se duhet të shqyrtonte format e tjera të ndërhyrjes në lirinë e shprehjes (paragrafi 71).

Në këtë kuadër dhe së pesti, GJEDNJ përdori mjetet e saj për të përcaktuar nëse ka ndërhyrje në të drejtën e lirisë së shprehjes dhe nëse po, a ka qenë kjo ndërhyrje e ligjshme dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike (analiza me tre teste). Vënia në balancë e të drejtave (nga njëra anë, e drejta e palës së dëmtuar që pretendon se komentuesit kanë shpifur dhe e drejta e lirisë së shtypit – korrolar i lirisë së shprehjes) është “arma” me të cilën GJEDNJ shqyrton faktin nëse zbatimi i ligjit nga juridiksionet kombëtare ka respektuar balancën ndërmjet dy të drejtave. GJEDNJ konstaton se ka patur ndërhyrje (kemi vendime gjyqësore kundër medias online aplikuese), konstaton gjithashtu se ndërhyrjet kanë qenë të ligjshme (efektivisht, vendimet janë marrë në bazë të ligjeve në fuqi në Austri), por konstaton gjithashtu se ndërhyrja ka qenë e panevojshme në një shoqëri demokratike. Sipas GJEDNJ, të thuash në një koment poshtë një artikulli të shkruar për një parti politike: “corrupt politician-assholes forget, [but] ëe don’t ELECTION DAY IS PAYDAY!!!!!” dhe për një koment tjetër që liderin e saj e quante kriminelin më të madh të Republikës, nuk përbën arsye të mjaftueshme për të kërkuar dorëzimin e të dhënave identifikuese të komentuesve (pra heqjen e anonimatit). Në fakt, GJEDNJ konstatoi se dy gjykatat që kishin pranuar kërkesat e të fyerve nuk kishin kryer në mënyrën e duhur analizën me tre teste. Madje, ato e kishin shmangur atë, duke thënë se analiza e balancës së të drejtave duhet bërë në procesin kundër komentuesve dhe jo kundër medias online (çka justifikonte dhe heqjen e anonimatit). Sigurisht, GJEDNJ nuk e mendoi kështu, për shkak se heqja e anonimatit, për komente që nuk ishin qartësisht të paligjshme, do të përbënte një kufizim të të lirisë së shtypit, që gëzon media online. Kështu, qartësisht GJEDNJ është gardiane e zbatimit të drejtë dhe të plotë të parimeve që ajo i ka krijuar me jurisprudencën e saj dhe kujdeset që juridiksionet kombëtare të mos i anashkalojnë ato.

Oltion Spiro


[1] Njëjtë me regjimin juridik që kemi në në Ligjin për tregtinë elektronike (gjithmonë nëse ligjin tonë e lexojmë në dritën e jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, e cila e ka zgjeruar nocionin e hostit.