Juritek.

e drejta e krijimeve intelektuale dhe inovacionit

Disa çështje të tjera rreth ligjit antishpifje (në pritje të Venecias)

Ligji “Për ndryshimin e Ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Shqipëri” (“Ligji anti-shpifje”), pasi u votua në Kuvend, u kthye për rishqyrtim nga Presidenti. Më tej, Kuvendi nuk e rrëzoi dekretin e Presidentit, me arsyetimin se do të pritej mendimi i Komisionit të Venecias në lidhje me të. Për pasojë, ky ligj është bllokuar në “purgator”, as mes nesh as mbi ne.

Ndërkohë që presim me padurim mendimin e Venecias[1], përfitojmë nga rasti për të hedhur një sy mbi disa nocione dhe kategori të reja të parashikuara nga ky ligj.

Siç dihet dhe kemi thënë dhe në artikuj të mëparshëm[2], aktorët e jetës numerike ndahen sipas funksionit që kryejnë dhe raportit që kanë me informacionin që shpërndajnë. Në këtë kuptim do të kemi aktorë që luajnë një rol të thjeshtë ndërmjetësi teknik, pra që shërbejnë si përcjellës të thjeshtë të informacionit, aktorë që bëjnë dhe krijojnë mundësinë e stokimit (magazinimit, depozimit) të informacionit në një hapësirë të caktuar të rrjetit dhe në krijues të informacionit. Një aktor mund të kryejë më shumë se një rol të përmendur më sipër dhe në funksion të rolit, do të përcaktohet marrëdhënia që ka me informacionin dhe përgjegjësia që ka ai në lidhje me të.

Në këtë kuadër, në mënyë shumë skematike, këta aktorë mund t’i ndajmë në dy grupime kryesore: në ndërmjetës teknikë që sigurojnë teknikisht përcjelljen e informacionit dhe, ofruesit e informacionit, ata që sigurojnë informacionin në vetvete. Sigurisht, këto dy grupime nuk janë të ndara me thikë, një aktor mund të kryejë të dy llojet e shërbimeve dhe se, në funksion të kësaj përzierjeje, disa aktorë do të kenë role dhe regjim juridik specifik të përgjegjësisë. Specifikat e tyre pra, në fakt, kanë si element përcaktues, nivelin dhe natyrën e përgjegjësisë.

Ligji për tregtinë elektronike[3] ka përcaktuar disa prej aktorëve që i përkasin grupit të parë, të cilët, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tyre, ruajnë një “distancë higjienike” me informacionin që qarkullon nëpërmjet shërbimeve të tyre. Ata nuk do të jenë përgjegjës për sa kohë nuk iniciojnë transmetimin [e informacionit], nuk e modifikojnë informacionin ose nuk e zgjedhin marrësin e informacionit[4], që ruajnë në mënyrë të përkohshme informacionin, pa e modifikuar atë[5], ose ofrojnë hapësira për depozitimin e informacionit[6]. Këta aktorë nuk do të jenë përgjegjës për informacionet që qarkullojnë nëpërmjet tyre. Është e kuptueshme një gjë e tillë. Duke patur parasysh sasinë e madhe të informacionit që qarkullon, këta ndërmjetës jo vetëm që nuk duhet të penalizohen, por duhet të inkurajohen dhe të mbrohen, në mënyrë që të bëjnë të mundur qarkullimin në vijimësi të informacionit, si pjesë e shkëmbimeve mes njerëzve dhe si një garanci për të drejtën e informacionit, qarkullimit të fjalës së lirë dhe sigurisht, një tregtie sa më të lirë dhe të efektshme. Natyrisht, mungesa e përgjegjësisë nuk është absolute. Ata do të jenë përgjegjës nëse ndërhyjnë në informacion[7] ose kanë dijeni për praninë e një informacioni të kundraligjshëm dhe nuk kanë marrë masa kundrejt tij ose personit që është përgjegjës për përmbajtjen e tij[8].

Nëse kuadri ligjor në Shqipëri në lidhje me ndërmjetësit teknikë[9] është deri diku[10] i stabilizuar, ose i përkufizuar mjaftueshëm për t’u përdorur nga prakticienët dhe gjykata, ai i ofruesve të përmbajtjeve (informacionale) nuk është ende i përkufizuar qartësisht në ndonjë ligj. Ndoshta një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike ka qenë dhe ndër të tjera, objekti i ligjit antishpifje.

Kështu, ligji krijon ofruesin e shërbimeve të publikimeve online (“OSHPE”), i përkufizuar si personi që ofron shërbime të publikimeve elektronike, në formën e faqeve të internetit, me (i) përmbajtje të formësuar editoriale ose portale të medias së shkruar dhe/ose (ii) me informacione për publikun me qëllim argëtimin, informimin dhe edukimin[11]. Kjo është tentativa e parë për të përkufizuar rolin e furnizuesve të përmbajtjes informacionale dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e tyre.

Nëse i përmbahemi dy kritereve të përmendur (qofshin ato kumulativë ose jo) del në pah fakti që OSHPE-të janë faqe që kanë një përmbajtje informacionale, që kërkon një linjë editoriale të caktuar dhe që këto informacione i drejtohen publikut. Këto informacione kanë një qëllim të caktuar (argëtimin, informimin dhe edukimin e publikut). Parë në këtë këndvështrim, OSHPE-të janë ato subjekte që publikojnë informacione për publikun. Në njëfarë mënyrë, OSHPE-të janë një formë tjetër e mediës së shkruar, pra në formë elektronike, e cila gëzon gjithashtu avantazhe të tjera në raport me median e shkruar, për shkak se ofron përmbajtje multimediale. Pra, nëse i referohemi ligjit, OSHPE-të janë publikuesit (ose furnizuesit) e informacioneve në linjë.

Duke dhënë një përkufizim të OSHPE-ve dhe detyrime konkrete ndaj tyre, ligjvënësi krijon një pabarazi në trajtim ndërmjet tyre dhe medias së shkruar. Siç dihet për të dytën ekziston një ligj me një nen, i cili disponon se shtypi është i lirë dhe se mbrohet me ligj[12] dhe në anën tjetër, kemi ligjin antishpifje që u ngarkon OSHPE-ve detyrime të detajuara dhe një kontroll administrativ të informacionit, nëpërmjet Këshillit të Ankesave. Duket sikur ligji diktohet nga një frymë dyshuese ndaj OSHPE-ve dhe për pasojë, krijohet përshtypja se dëshiron “t’u vendosë kufirin te thana”. Një dallim i tillë, edhe pse mund të gjejë mbështetje në problemet praktike të hasura, është i pakuptimtë nga pikëpamja juridike, aq më tepër nëse kemi parasysh se as shtypi i shkruar nuk i shpëton dhe nuk do i shpëtojë shpifjeve dhe pasaktësive të tjera të qëllimshme ose jo.

Gjithashtu, integrimi i OSHPE-ve në ligjin për mediat audiovizive në Shqipëri mund të duket pak i çuditshëm. Format e komunikimit të informacionit nga ana e OSHPE-ve, mënyra e ndërveprimit me publikun[13] i largojnë ato nga cilësimi si media audiovizive. Në këtë kuadër, referimi që relatorët[14] e projektligjit bëjnë te direktiva 2010/13/EU[15] e datës 10 mars 2010, si burim për hartimin e ligjit antishpifje, nuk është i saktë. Kjo direktivë e ka të përcaktuar mirë fushën e saj të veprimit dhe nuk është kurrsesi furnizuesit e informacioneve online, por vetëm i sherbimeve media si transmetimet televizive me programe të prëcaktuara[16] ose shërbime media audiovizive “on-demand”[17]. Kjo ide përforcohet nga qendrimi që mban Direktiva se “qëllimi i saj nuk duhet të mbulojë versionet elektronike të gazetave dhe revistave[18]”.

Në këto kushte, integrimi i OSHPE-ve, ashtu siç janë kufizuar, në ligjin për mediat audiovizive përbën një problem që mendojmë se sjell si rrjedhim edhe problematikat e tjera në lidhje me këshillin e ankesave, si organ administrativ dhe kompetencat e tij ndaj OSHPE-ve.

Pra ligji antishpifje mbart dy problematika: së pari rregullon OSHPE-të bazuar në një logjikë që nuk i përket OSHPE-ve dhe së dyti, nuk zgjidh rastet e tjera të përgjegjësve të furnizuesve të përmbajtjes të faqeve të tjera, që nuk janë OSHPE, si për shembull blog-et ose faqet me karakter tregtar ose inventorues, pra që nuk kanë asnjë karakter argëtues, informues ose edukues, ose faqet “content sharing” si për shembull Youtube, twitter…

Së fundi, ligji antishpifje nuk zgjidh çështjen e ndalimit të shkeljeve që kryhen nga faqe anonime ose faqe që nuk hyjnë në përkufizimin e OSHPE-ve. Cili është roli, për shembull, i ISP-ve, ose host-eve, pra ndërmjetësve teknikë? A mund të ndërhyjnë ata për të ndaluar shkeljen? Në bazë të cilit vendim? A duhet të ndërhyjë gjykata apo ndonjë organ tjetër administrativ? Këto janë pyetje që së pari kanë gjetur zgjidhje në legjislacionet e huaja dhe ekziston një praktikë e bollshme gjyqësore dhe së dyti, kërkojnë ndërhyrjen në ligjin për tregtinë elektronike, më shumë sesa në ligjin për mediat audiovizive. Në këtë kuadër, ndoshta është mirë që të bëhet një diskutim i përgjithshëm në lidhje me aktorët e botës dixhitale dhe të vendosen rregulla loje më gjithëpërfshirëse dhe më të kuptueshme nga aktorët vetë dhe subjektet që përdorin internetin.

[1] Disa opinione tonat si dhe mendimin e OSBE-së mund të gjendet në lidhjet në vijim:

http://juritek.al/2019/07/17/disa-probleme-rreth-projektligjeve-per-publikimet-online/

https://www.osce.org/representative-on-freedom-of-media/426152?download=true

[2] http://juritek.al/2019/10/14/ne-lidhje-me-pergjegjesine-per-publikimet-online-te-komenteve/

[3] Ligji nr. 10128 datë 11.5.2009.

[4] Shërbimet e transmetimit të thjeshtë (mere conduit), ku mund të fusim ISP-të.

[5] Caching, dosje elektronike (file) që vendosen në hard disk kur futemi në një faqe interneti. Lundrimi sërish në të njëjtën faqe disa çaste më vonë bëhet me ndihmën e cache. Kështu nuk është e nevojshme që urdhri i dhënë nga kompjuteri të shkojë sërish në serverin ku gjenden faqja e internetit, por nëpërmjet cache, aksesojmë mënjeherë në faqe, duke kursyer kështu kohë.

[6] Hosting.

[7] Siç mund të jetë rasti i ofruesve të shërbimeve të transmetimit të thjeshtë (ISP ose caching).

[8] Ofruesit e shërbimeve hosting.

[9] Termi është një konvencion i yni. Në ligjin për tregtinë elektronike, një term i tillë nuk ekziston.

[10] Në fund të këtij artikulli, kemi ngritur disa çështje të cilat justifikojnë “deri diku-n”.

[11] Neni 3(26/1) i Ligjit 97/2013, me ndryshimet e ligjit antishpifje. Duhet nënvizuar se e njëjta dispozitë parashikon se individët që kanë faqe interneti dhe nuk plotësojnë kriteret e parashikuara në fjalinë e parë të dispozitës, nuk do të jenë OSHPE. Se çfarë do të jetë ky individ, ligji nuk e thotë, se ç’përgjegjësi do të ketë, ligj nuk e thotë. Ne thjesht mund të hamendësojme se ligji në këtë rast, i referohet blog-eve, por është thjeshtë një hamendësim.

[12] Neni 1 (dhe i vetëm) i ligjit 7756 datë 11.10.1993 “Për shtypin”, i ndryshuar.

[13] Për shembull nëpërmjet publikimit të komenteve.

[14] Faqja 3 e Raportit.

[15] “On the coordination of certain provisions laid down by law, regulation or administrative action in Member States concerning the provision of audiovisual media services (Audiovisual Media Services Directive)”

[16] Neni 1(e) i Direktivës 2010/13/EU.

[17] Neni 1(g) i Direktivës 2010/13/EU.

[18] Pika 28 e Direktivës 2010/13/EU.